-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në ceremoninë hapëse, theksoi mbështetjen për veprimtaritë e Javës së Bibliotekës prej fillimit në vitin 2003/
-Në kuadër të “Javës së Bibliotekës” u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skenderbeut/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 11 Prill 2018/ Në Kosovë ka filluar edicioni i 16-të i Javës së Biblotekës Kombëtare, me temën “Arsimimi dhe Trajnimi Bibliotekar”, aktivitet ky i përvitshëm, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se së bashku do të rrugëtojmë me librin dhe bibliotekën dhe do të marrim përgjegjësitë që na takojnë.Kreu i Qeverisë së Kosovës falënderoi dhe përgëzoi të gjithë ata që në ditë të vështira e mbijetuan librin, bibliotekën, të cilët na bënë të jemi këta që jemi sot. Kryeministri Haradinaj përmendi vakumin 10 vjeçar të paraluftës, shkatërrimet e luftës, por edhe kohërat emergjente, duke theksuar faktin se edhe në atë kohë nuk kemi qenë vetëm.”Më kujtohet, që herët, Ambasada e Amerikës, me një donacion të botimeve, dedikuar qytetarëve dhe studentëve. E kam përcjell atë kohë dhe më pat bërë përshtypje”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Amerikën, popullin e saj, Ambasadën, për këtë kujdes të vazhdueshëm.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në ceremoninë hapëse, theksoi mbështetjen për veprimtaritë e Javës së Bibliotekës prej fillimit në vitin 2003.“Këtë vit, ambasada jonë është krenare që mirëpret Dr. Robert Montojën nga Universiteti i Indianës, Blumington, i cili do të flasë për edukimin dhe trajnimin në biblotekari dhe shkencë informative. Dr. Montoja sapo e ka përfunduar prezentimin e parë me bibliotekarët tuaj dhe mendoj se kjo ishte mënyrë e shkëlqyeshme për t’ia nisur veprimtarive të kësaj Jave. Dr. Montoja, ju faleminderit që jeni këtu me ne”, u shpreh Ambasadori Amerikan.
Ai falënderoi Bibliotekën Kombëtare për përpilimin e një axhende shumë të mirë të veprimtarive për këtë javë, si dhe të gjithë punonjësit e bibliotekave dhe institucionet për mbështetjen e kësaj jave nëpër tërë Kosovën.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi përmes ambasadorit amerikan, falënderoi Qeverinë, institucionet dhe popullin Amerikan për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për bibliotekën, duke vënë në fokus miqësinë e përhershme dhe të gjithanshme mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.
Ai vlerësoi këtë organizim tradicional i cili me sukses ka trajtuar tema të ndryshme duke sensibilizuar publikun për rëndësinë e bibliotekarisë dhe të librit në fushën e dijes dhe të kulturës, ndërsa theksoi se Ministria e Kulturës është e përkushtuar që të ndihmojë në funksionimin e mirë të bibliotekave në Kosovë.
Në ceremoninë hapëse po ashtu morën pjesë edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj.
Në kuadër të aktiviteteve në Javën e Bibliotekës së Kosovës u ndanë mirënjohje për ata që kanë dhënë kontribut në ruajtjen dhe pasurimin e librit. Ministri Gashi i ndau mirënjohje Ibrahim Kuçit për pasurimin e biblitekarisë me 9996 ekzemplarë.
Në kuadër të “Javës së Bibliotekës”, u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skenderbeut.
Gjithashtu, ministri Gashi mori pjesë edhe në ndarjen e materialeve bibliotekare për fëmijët me nevoja të veçanta, “Biblioteka n’shesh – Fëmijët me nevoja të veçanta, bibliotekarë të ardhshëm”, aktivitet ky i organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti”.