-Delegacioni i Ambasadës Amerikane, takim në Agjencinë Kosovare të Privatizimit/
-Një element i domosdoshëm për një transformim të suksesshëm ekonomik të Kosovës/
PRISHTINË, 15 Shtator 2016 Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi dhe drejtori menaxhues, Ekrem Hajdari si dhe dy zëvendësdrejtorët menaxhues u takuan sot me delegacionin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, të kryesuar nga Mary Glantz, zëvendësshef i Sektorit për Politikë dhe Ekonomi dhe Meredith Rubin, zyrtare e lartë për Ekonomi.Gjatë takimit, menaxhmenti i AKP-së i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së lidhur me procesin e privatizimit të realizuar në Kosovë deri më tani dhe strategjinë e Agjencisë për vazhdimin e këtij procesi dhe për zbatimin e mandatit të saj ligjor.Delegacioni i Ambasadës Amerikane shprehu interesim në punën e Agjencisë dhe sfidat e saj, duke përfshirë zhvillimet lidhur me ndërmarrjen shoqërore Trepça.Gjatë takimit, menaxhmenti i AKP-së vlerësoi përkrahjen e dhënë nga Ambasada Amerikane në përpjekjet për privatizim në Kosovë, si dhe shprehu rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në këtë fushë, e që është një element i domosdoshëm për një transformim të suksesshëm ekonomik të vendit.