Një film mbi shëmbjen e komunizmit shfaqet në Kongresin amerikan/
Nga Frank Shkreli/
Komisioni për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, i njohur edhe si Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara njoftoi se ditën e martë me 23 korrik do të sponsorizojë, në njërën prej sallave të Kongresit, çfaqjen e filmit “Shekulli i Kllapisë”. Filmi është i bazuar në librin me titull, “Shekulli i Kllapisë: Shëmbja dhe Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik”, e autorit të njohur amerikan të çështjeve ruso-sovjetike, Dejvid Satër, i cili ka punuar për gazetat Uoll Strit Xhurnal dhe Fajnënshël Tajmas dhe tani punon pranë Institutit Hudson. Pas shfaqjes së filmit, sipas njoftimit të Komisionit Amerikan të Helsinkit, anëtarët e Kongresit dhe publiku do të kenë mundësi të diskutojnë mbi filmin me vet autorin Dejvid Satër dhe me presidentin e Radios Evropa e Lirë, Kevin Klose, edhe ai një ekspert i çështjeve ruso-sovjetike.
Filmi, “Shekulli i Kllapisë”, i bazuar në librin me të njëjtn titull, botur në vitin 1966 është një kronikë e shëmbjes së regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik, dhe tërthorazi në gjithë zonën ish-komuniste, e treguar nepërmjet përvojave personale të individëve të ndryshëm nga të gjitha nivelet e shoqërisë sovjetike,e të cilët kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve transformuese historike që çuan në rrëximin e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik dhe në mbarë Evropën Lindore. Filmi, i bazuar librin “Shekulli i Kllapisë” i Dejvid Satër, është cilësuar, si “një prej portreteve më të mira psikologjike të Rusisë gjatë 1970-ave dhe 1980-ave”. Filmi ka fituar çmimin prestigjioz Van Gough në Festivalin e Filmave në Amsterdam, për vitin 2013 dhe është çfaqur, përveç në Amerikë, edhe në Rusi, në Angli, Gjermani, Kanada e gjetkë.
Dejvid Satër, i cili ka shërbyer si korrespondent në Moskë për gazeta dhe media të ndryshme, përfshirë gazetën prestgjioze amerikane Uoll Strit Xhurnal dhe atë britanike Fajnënshël Tajms, në rolin e ekspertit ka shkruar një numër librash dhe artikujsh dhe ka dhënë intervista, enteve më të njohura mediatike të botës, përfshirë edhe Zërit të Amerikës, mbi shëmbjen e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik. Por, përveç portretizimit të sistemit komunist sovjetik, libri dhe filmi i bazuar në librin, “Shekulli i Kllapisë”, në të vërtetë portretizojnë me mjeshtëri edhe tiparet karakteristike të shoqërive të tjera nën regjimet komuniste anë e mbanë Evropës lindore, gjatë “Shekullit të Kllapisë”. Si korrespondent në Moskë gjatë asaj periudhe fatkeqe por historike, Dejvid Satër ishte dëshmitar i pasojave shkatërruese, për shoqërinë sovjetike dhe për individin, të një ideologjie komuniste fanatike, që sipas tij,ndër të tjera – ishte shkaktare e urisë së përmasave të mëdha në Ukrainë, një idelogji që me ligj urëdhëroi ndalimin e fesë, torturoi, burgosi dhe dërgoi në kampe përqendrimi në Siberi dhe gjetkë, miliona kundërshtarë politikë, etnikë dhe fetarë. Filmi i Dejvid Satër tregon me të vërtetë, efektet dhe goditjet shkatërrimtare shpirtërore dhe materiale të komunizmit mbi shoqërinë dhe individët, të cilët kanë patur fatin e keq të jetonin nën atë regjim.
Në një intervistë për një revistë amerikane, Dejvid Satër ka thënë se filmi, “Shekulli i Kllapisë”, ka të bëjë me “Shëmbjen dhe shkatrrimin e regjimit komunist sovjetik, i parë nga përvoja personale, ashtu siç është përjetuar nga vet popujt sovjetikë”. Ai thotë se, ” Skenari i filmit tregon pasojat e rënda dhe se çdo të thoshte të ndërtohej një shtet i tërë në bazë të një ideje fals e të gabuar dhe se si informacioni i saktë mbi gënjeshtrën e madhe, më në fund çoi në shkatërrimin e shpejtë dhe të pandalshëm të Bashkimit Sovjetik.” Dejvid Satër shpjegon se filmi përmban intervista me persona dëshmitarë të ngjarjeve, dhe konkretizon përvojat e tyre që më në fund çuan në rrëximin e regjimit komunist. Skenari i filmit e çon shikuesin në qendrat e KGB-së, aty ku merreshin në pyetje disidentët dhe kundërshtarët politikë të regjimit, si dhe në kampet e përqendrimit, ku protesta më e vogël e një të burgosuri sjellte ndëshkime të rënda për të dhe për të tjerët, përfshirë izolim në qeli. Edhe kampet e punës së detyruar të mbushura me kundërshtarë e disidentë politikë të të gjitha bindjeve e të cilët pësonin tortura të llojllojshme, janë gjithashtu pjesë e skenave të filmit.Filmi portretizon Aleksandër Shatravka-n, i cili kishte kaluar kufirin me Finlandën, por finlandezët e këthejnë mbrapa duke ua dorëzuar atë autoriteteve komuniste sovjetike, të cilët si pasojë e torturojnë në një spital të çmendurish. Një tjetër, person që shfaqet në film, është Nina Smirnova, një vajzë e re sakate, e cila lutej në një kishë për tu shëruar dhe e cila u persekutua nga autoritetet komuniste, pasi për mrekulli ajo filloi të ecte rishtas. Dhe individi i tretë që portretizon filmi, “Shekulli i Kllpisë”, është një i ri nga qyteti Shadrinsk, i cili besonte vendosmërisht dhe me bindje në ideologjinë komuniste, por i cili ndërkohë mësoi se cili ishte realiteti i regjimit komunist sovjetik ndërsa po luftonte në Afganistan.
I pyetur se cili është objektivi i filmit, Dejvid Satër tha se “duke treguar realitetin e frikshëm të jetës nën regjimin komunist nepërmjet përvojave personale, filmi ka për qëllim të tregojë se çdo të thotë të jetoje në një shoqëri të bazuar në një ide fals e të gënjeshtërt. Dhe synon gjithashtu që të kallëxojë pasojat tragjike të përpjekjeve të ideologëve komunistë, për të ndryshuar, me force, natyrën njerëzore…dhe njëherazi për të treguar realitetin se si njerzit ishin të detyruar të jetonin dhe të vepronin në bazë të këtij realiteti të trilluar dhe të rremë.”
Filmi, “Shekulli i Kllapisë” i bazuar në librin me të njëjtin titull i autorit Dejvid Satër, ”hedhë poshtë çdo nocion që ende mund të ekzistojë në disa qarqe dhe në radhët e disa individëve nostalgjikë, se ideologjia komuniste ishte progresive dhe humane”. Libri dhe filmi venë në dukje se cila në të vërtetë ishte arsyeja që u shemb sistemi komunist, duke u bazuar në dëshmitë dhe përvojën e atyre të shkretëve që e pësuan rëndë nga mos pajtimi i tyre me ideologjinë komuniste, dhe njëkohësisht hedhë dritë mbi arsyet se pse u shëmb perandoria komuniste.
Filmi, “Shekulli i Kllapisë”, portretizon gjendjen tepër të keqe në Bashkimin Sovjetik, sidomos gjatë 20-vjetëve të fundit të ekzistencës së regjimit të tij, si njëra prej dy fuqive më të mëdha në botë, dhe njëkohsisht nxjerrë në dritë gënjeshtrat dhe deluzionet e regjimit si dhe brutalitetin e policisë sekrete sovjetike KGB ndaj kundërshtarve të regjimit dhe të partisë komuniste. Autori Satër, me mjeshtëri dhe pasion paraqet se si popujt sovjetikë, por edhe popujt e vendeve të tjera komuniste, jetonin dhe vepronin duke u mbështetur në një gënjeshtër të madhe të një regjimi brutal, siç ishin regjimet komuniste anë e mbanë Evropës. Dy të këqiat e shekullit të kaluar, nazizmi dhe komunizmi, kishin shumë gjëra të përbashkëta, por dallonin për nga grupet qe ata kishin në shënjestër për eliminim. Nazistët përqendroheshin në zhdukjen e një grupi të veçantë etnik, ndërsa komunistët fokusoheshin në zhdukjen e të gjithë atyre, të cilët ata i konsideronin si persona që kërcënonin ekzistencën e regjimit komunist.
Filmi i bazuar në librin e Dejvid Satër, më në fund, demonstron se regjimi komunist sovjetik dhe regjimet si motra anë e mbanë Evropës lindore — duke u mbështetur dhe duke ndjekur një ideologji fanatike që refuzonte të njihte liritë civile dhe të drejtat bazë të njeriut — u këthyen nga ekperimente të mëdha shoqërore, në një katastrofë gjigante dhe falimentin të rëndë për të gjithë. Sistemi komunist dështoi në mënyrën më fatkeqe për të krijuar “njeriun e ri” dhe “shoqërinë e përfeksionuar”. Me librin e tij, “Shekulli në Kllapi” dhe tani me filmin kinematografik të bazuar në këtë libër, autori dhe eksperti i çështjeve ruso- sovjetike, Dejvid Satër i ka bërë një shërbim të çmueshëm njerëzimit duke hedhur dritë për publikun dhe tani për Kongresin amerikan, mbi natyrën e vërtetë të komunizmit, ashtuqë krimet dhe masakrat për të cilat ai flet në këtë antologji kinomatografike të mos përsëriten kurrë më. Dhe me shpresë që njerzit të dalin nga kllapia e harresës së mëkateve dhe krimeve si dhe e të miliona viktimave të pafajshme të regjimit komunist sovjetik, dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës lindore. Këjo duket se është edhe arsyeja kryesore që filmi po sponsorizohet nga Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara për tu shfaqur të marten, me 23 Korrik, në njërën prej sallave të mëdha të Kongresit amerikan.