-Gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare, nisi të dalë para 78 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Rilindja, gazeta që rezistoi e nuk u ndal edhe kur u ndalua nga Serbia në vitin 1990…/
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, Shkurt 2023/ Gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare, nisi të dalë para 78 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.
Rilindja, gazeta që rezistoi e nuk u ndal edhe kur u ndalua nga Serbia në vitin 1990 duke dalë edhe me emrin “Bujku”, në këtë 12 Shkurt 2023 do të festonte 78 vjetorin, në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë.
Por, në këtë Kosovë, në këtë vit të 24 vjetorit të Lirisë e jubileut të 15 vjetorit të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen 21 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm…
Më gjerësisht:
SHËNIME MONOGRAFIKE: GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS RILINDJA NËPËR VITE
Gazeta historike e tradicionale e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 78 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.
Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.
“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.
“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).
Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.
Shkrimtari Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja në 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”
Më 11 Qershor 1950, Rilindja (që rëndom dilte një here në javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’Ejtën dhe të Shtunen”.
Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i Nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.
E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltërt, që iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë të dielen e 17 Prillit të vitit 1966.
Gazeta historike Rilindja në 19 Nanduer (Nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht shtypë në 5.000 ekzemplarë”.
Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 Janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.
Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 Fruer (Shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “Funksionojnë 2.485 kurse kundër analfabetizmit, ku janë përfshi 52.413 ndjekësa”.
Rilindja (e datës 1 Janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohet për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 – 1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.
Ndërkohë, krahas luftës kundër analfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qyetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindëra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet.
Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.
Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: “…Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…”
Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972…
“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.
Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.
“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, kam shkruar në Monografi.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…
Rilindja e datës 6 Korrik 1962 shkruante se, Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.
Rilindja në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.
Për këtë kishte angazhime e shkrime edhe vite më herët. Në Rilindja të 4 Dhjetor 1952, Idriz Ajeti (që në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) shprehej “(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…”
Rilindja më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. Rilindja pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.
Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…
Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…
Kosova shkonte drejt pavarësisë, me Rilindjen që nuk u ndal edhe kur u ndalua.
Kosovës para 33 viteve Serbia ia ndaloi edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në atë kohë, Rilindja, por nuk arriti ta ndalë.
“Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënë shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe atë në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunshme të Serbisë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…
Në mëngjesin e 8 Gushtit 1990, të pas natës së ndalimit të gazetës nga forcat serbe në shtypshkronjë, me reportazhin “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, të shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova dhe hyra në Pallatin Rilindja dhe nisa ta daktilografojë me makinë shkrimi. Kolegët, që poashtu nuk përfillnin ndalimin e erdhën në Pallat, më shihnin si me habi pse po shkruaja kur gazeta s’do të dalë…
“Besoj se do e lexoni nesër në gazetë”, u thash, dhe ngjita shkallëve për te Ndërmarrja e Revistave, një nga gjashtë sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, te kryeredaktori i revistës letrare Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve), t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.
Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.
Kjo përvojë e botimit të shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës Rilindja në revistën Fjala me shpeshtime botimi vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare…
Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek, për të cilën Presidenti Amerikan Xhorxh Bush i drejtohej kombit, me një deklaratë të cilën gazeta e botoi në ballinë me titull “Tërheqje pas fitores”…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen…
E nisur me numrin e parë me datën 18 Janar 1991 “Bujku” si gazetë e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe edhe sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë Rilindja.
E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.
Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda – zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.
Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, e cila u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…
E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…
“Kosova filloi Referendumin për Sovranitet”, shkruante në kryetitullin në ballinë gazeta historike e rezistencës shqiptare “Bujku” në numrin e 27 Shtatorit 1991. Legjenda e fotografisë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.
Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991 njoftonte rezultatet e referendumit në faqen e parë me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote…”
Ndërkohë, derisa në Kosovë gazeta dilte me emrin “Bujku”, në Zvicër e pastaj edhe në Shqipëri po me ato shkrime nisi të dalë gazeta jonë Rilindja, me angazhimin e gazetarëv e punonjësve tjerë të saj…
Disa nga titujt e shkrimeve të mia të asaj kohe në gazetën Rilindja në Tiranë që ruhen në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë i shënoj nga “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” ne faqen zyrtare në internet:
Pesë vjet të gazetës “Bujku” -18 Janar, 1996; Do të bashkëpunojmë në konkurrencë – 4 Janar, 1997; Etiketa e terrorizmit për terror kundër shqiptarëve – 29 Janar, 1997; Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet – 5 Janar, 1997; Institucion e qendresë e Kosovës – 21 Janar, 1997; Lajmi i ardhmërisë: Kosova e lirë – 12 Shkurt, 1998; Muri ndërshqiptar si “fundi i botës” – 19 Mars, 1996; Ditë zie në Kosovë – 4 Mars, 1998; Gjendje e rëndë lufte vazhdon dhe në Drenicë – 3 Mars, 1998; Bomba edhe mbi fëmijët shqiptarë – 5-11 Maj, 1996; Beogradi me mesazh të vjetër për Kosovën : Shqiptarët as e pritën e as e patën takim, ndërsa nga serbët u bë pritje e organizuar dhe e sforcuar – 27 Qershor, 1997; Kosova preokupim i vazhdueshëm ndërkombëtar – 6 Korrik, 1996; Kosova e pavarur – e drejtë dhe kompromis i shqiptarëve: Në 7-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës – 2 Korrik, 1997; Sa afër e sa larg Shqipëria – 11-17 Gusht, 1996; SHBA-të udhëheqëse e ndërmjetësuese në çështjen e Kosovës – 10 Gusht, 1996; “Rilindja” nuk ndal – 8 gusht, 1997; Provim i parë i zgjidhjeve për Kosovën – 6 shtator, 1996;
Si një referendum – 21 Nëntor, 1996; Udhëtimi për në Prizren : Reportazh – 31 Dhjetor, 1996; Radioja që sfidon kufirin: Programi dhjetëorësh në ditë i Radio Kukësit dëgjohet shumë në Shqipëri dhe në Kosovë – 1-7 Dhjetor, 1996; Kronikë pa gazetë – Rilindja 29 Prill, 1995; Të vërtetën për Kosovën nuk e mbulon as terrori propagandues – 14 Prill, 1995; Skenar i sulmeve mbi Kosovën : [Sulmet serbe mbi kosovën] – 24 Maj, 1995; Vija amerikane në Kosovë mbrojtëse e interesave në rajon – 8 Korrik, 1995; Marsh i rrezikshëm në Jug – 23 Gusht, 1995…
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga 22 Shkurti me kryetitull në ballinë kërkues për ndërhyrjen e NATO-s “Marrëveshja për Kosovën duhet të ketë mbështetje ushtarake” dhe vazhdoi të dalë derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.
Ekipi i Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.
Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.
Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.
Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri më 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.
Numri i fundit i përditshëm i gazetës Rilindja, me datë 21 Shkurt 2002 shkruante në ballinë: Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta Rilindja detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës.
Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin, ditën e saj – 12 Shkurtin.
Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë” ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.
“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.
“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis.
Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.
Një nga protestat e vazhdueshme ishte në 3 Maj 2005. “Sot, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit”, ishte në ballinë mbititulli i kryetitullit “Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur” dhe nëntitulli “Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet”.
Në ballinënen e gazetës Rilindja në këndin lart theksohej: “Numër protestues i jashtëzakonshëm – Sot në orën 12:00 vizita e të ftuarëve Rilindjes – Pallatit”. Protestë ishte edhe vizita në bodrumin-bunkerin e errët e me lagështi-vërshime uji, ku ishte hedhur-ngujuar arkivi-pasuri kombëtare, teknika e inventari i gazetës Rilindja, që nga fillimi i vitit 2003. “A e shihni ku e keni ngujuar gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – alarm nga bunkeri – Arkivi i Rilindjes, pasuri kombëtare që po shkatërrohet”, shkruan në Rilindjen e 11 Prillit 2005, ku botohen edhe fotografi të kulturocidit.
Që të protestonte, po edhe të vazhdonte të jetë histori e Kosovës Gazeta Rilindja dy javë pas mbylljes-dëbimit nga UNMIK doli me botim të jashtëzakonshëm në 5 Mars 2002 për seancën e Kuvendit të një dite më parë të votimit të Presidentit e të Qeverisë së zgjedhjeve të para parlamentare në liri. Kryetitulli në ballinë ishte: “Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’ – Kryeministri Rexhepi: Gjithçka në Kosovë është me përparësi”. Presidenti Ibrahim Rugova dhe Kryeministri Bajram Rexhepi menjëherë pas zgjedhjes janë përgjigjur në pyetjet që ua kam bërë për këtë numër të Rilindjes, që përgatitej nga ekipi i saj special në një zyrë të Kuvendit të Kosovës. “Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”, është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me këtë pyetje të parë ishte edhe urimi për të sapozgedhurit President e Kryeministër i Kosovës. “Presidenti Rugova e Kryeministri Rexhepi flasin për Rilindjen“ ishte titulli në këndin lart në ballinë.
Në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi.
“Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”, ishte kryetitulli i gazetës Rilindja në ballinë ku botohej i plotë mesazhi i Presidentit historik Rugova me titullin “Shqiptarët forcohen në të gjitha viset” e nëntitullin “Një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj”.
VLERËSIMI DHE PËRKRAHJA E PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA PËR RILINDJEN EDHE NË INTERVISTA EKSKLUZIVE
“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger. Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë…
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.
Pjesa përmbyllëse e intervistës së gjatë botuar në gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 ishte kjo:
RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës “Rilindja” për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që “Rilindja” të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës “Rilindja”.
PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.
Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.
Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.
Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.
RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe gjithë Kosovën.
PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.
Gazeta Rilindja e ditës së 60 vjetorit të saj – 12 Shkurtit 2005 botonte edhe një intervistë tjetër ekskluzive me Presidentin Ibrahim Rugova me titulliun në ballnë “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.
Me rastin e pritjes që më bëri në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.
Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve, duke u shprehur, mes tjerash:
“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të
Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.
Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”
GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA
Rilindja në 27 Janar 2006 shkruante se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.
Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 njerëz – Më se 500.000 njerëz nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës, në Sallën “1 tetori”, te Varrezat e Dëshmorëve e Heronjëve të Kombit në Lagjen Velania në Bregun e Diellit i shprehën nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare Presidentit historik të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Kryetitulli dhe nënkryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishin: Bota nderoi – Nderimet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: Presidenti Rugova parashikoi dhe krijoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve. Tri intervista ekskluzive, e para para 12 vjetëve.
Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. Ibrahim Rugova President i Kosovës (1944 – 2006).
Dr. Ibrahim Rugova President historik i Pavarësisë së Kosovës përgjithmonë, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.
RILINDJA PËR PAVARËSINË E KOSOVËS, BOTIME SPECIALE DHE KALENDARË
“Kosova pret Vitin e Pavarësisë”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja të 31 Dhjetorit 2004, ku në mesazhin e Vitit të Ri 2005 Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte vit i progresit më të madh të Kosovës.
Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe 600 vjetorit të Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidenti Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.
“Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinajn, në kohën kur ishte Kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.
Në këtë numër special të festës së Vitit të Ri 2005 botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Golldberg, që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60 vjetorit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante”, citohej diplomati amerikan në ballinë e në titull të intervistës, ku Golldberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”.
“Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati amerikan Golldberg.
Gazeta Rilindja në 25 Prill 2005 në kryeartikullin që paralajmërohej në kryetitull në ballinë shkruante:
Deklarata, komente dhe qëndrime për Kosovën, të gjithë flasin për pavarësinë: Bashkësia ndërkombëtare ka marrë vendim që Kosova të jetë e pavarur.
Gazeta Rilindja e 31 Dhjetor 2005 sillte Kalendarin e Pavarësisë dhe këtë editorial:
KOSOVË, GËZUAR VITIN E PAVARËSISË
Behlul Jashari
Kosova po kalon e pret vite historike.
Hyrja në finalen e procesit të Pavarësisë së Kosovës është ngjarja më e rëndësishme e vitit 2005.
Kosova në vitin që po skon kishte edhe një ngjarje të rëndësishme: Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për rikontirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i të gjithë shqiptarëve në rajon”, ka ritheksuar Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova pas takimit të parë me Grupin Neogociator, formimi i të cilit ishte një moment me rëndësi edhe për unitetin.
Pavarësia është qëllimi madhor që i bashkon shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, liderët dhe partitë e tyre, dhe këtu nuk ka ndarje në pozitë e opozitë.
Viti i Ri 2006 në Kosovë pritet si një vit tjetër i madh dhe historik i arritjes dhe njohjes ndërkombatare të Pavarësisë së Kosovës.
“Objektiv kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, pavarësi që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Presidenti Rugova pas takimit të fundvitit me Kryeministrin Bajram Kosumi.
Edhe bashkësia ndërkombëtare vlerëson se Viti i Ri 2006 është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns ka deklaruar se një nga synimet më të rëndësishme të SHBA-ve në vitin 2OO6 do të jetë “kryerja e punëve të filluara në Evropë”, duke theksuar posaçërisht nevojën e zgjidhjes së çështjeve kryesore në Ballkan.
“Ky do të jetë vit i vendimit për Kosovën, e ne do të jemi atje për t’i mbështetur me diplomaci dhe me forca të NATO-s në kuadër të KFOR-it për të ruajtur sigurinë në rajon”, ka deklaruar Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns në prag të ndërrimit të moteve.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ka shfaqur shpresën se takimi i parë direkt mes palës serbe dhe shqiptare do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesi i lartë i BE, Havier Solana, gjatë një qëndrimi në Prishtinë ka shprehur bindjen se vendet e rajonit do të kenë ardhmëri evropiane dhe ka theksuar se një faqe e re e historisë së Kosovës po fillon.
I dërguari i posaçëm i OKB për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ka shfaqur shpresën se takimi i parë direkt do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. Ky takim besohet se do të mbahet në Vjenë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, pret që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do të finalizohet çështja e statusit të Kosovës. “Viti i ardhshëm do të jetë edhe vit i manifestimit të kapaciteteve reale të Kosovës”, ka theksuar ai.
Të gjithë presin zhvillime shumë të rëndësishme për Kosovën në vitin që po vjen.
Kosova pret Vitin e Pavarësisë. Gëzuar!
RILINDJA NË KRYETITUJ: KOSOVA SHTET, KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI, KOSOVA SHTET NË OKB
KOSOVA SHTET, është kryetitulli në ballinë i gazetës Rilindja në 30 Dhjetor 2007, e cila përsëri sillte Kalendarin e Pavarësisë me hartë – Flamur Kosove me një yll që do i bashkohet Flamurit të Bashkimit Evropian dhe me urimin: Gëzuar Viti i Pavarësisë 2008. Në ballinë edhe paralajnmërohej: Numri i ardhshëm i Rilindjes del në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ose më së largu më 12 Shkurt 2008.
Paralajmërimet në ballinë: Hashim Thaçi, Kryeministër i Qeverisë së re të Kosovës: Është koha të merret vendim për Kosovën; Presidenti Sejdiu Shpallja e pavarësisë në një kornizë kohore që dihet me afërsi; Bamir Topi: Sot, Kosova, më e pavarur se asnjëherë në historinë e saj ndodhet në procesin e pakthyeshëm të mëvetësisë së saj ndërkombëtare; Sali Berisha: Vizita e ardhshme – e kurorës, në Kosovën e pavarur (Përgjigje e Kryministrit të Shqipërisë në Prizren në pyetjen e Rilindjes).
E editoriali në faqen e parë të Rilindjes ishte ky:
GËZUAR
Viti 2007, që po shkon, mbetet në histori si vit i Planit të Ahtisaarit për pavrësinë e Kosovës, dokumentit të OKB-së me përkrahje të gjerë ndërkombëtare dhe me ndonjë kundërshtim.
Viti i Ri 2008 është një tjetër vit historik i realizimit të këtij Plani, vit i realizimit të ëndërrës shekullore të pavarësisë, pritjeve tona të madha.
Në Vitin e Ri Kosova po hyn me institucione të konstituuara pas zgjedhjeve të lira e demokratike të nëntorit, me Qeveri të re shumë premtuese, poashtu edhe me opozitë parlamentare, që ka paralajmëruar se do të jetë konstruktive.
Të gjithë do të jemi dhe do të punojmë bashkë për të mirën e Kosovës shtet.
Gëzuar!
Ndërsa, editoriali në faqen e dytë, i paralajmëruar në këndin lart të ballinës ishte ky:
RILINDJA PËR GINIS
-Rilindja pret dhe beson që Qeveria e re e Kosovës nuk do të lejojë më asnjë ditë shkeljen e ligjit e të drejtës në rastin e Rilindjes/
Gazeta radicionale e Kosovës Rilindja me Kalendarin e Pavarësisë del numër i jashtëzakonsëm të dielen, më 30 dhjetor 2007. Po në këtë numër Rilindja paralajmëron daljen tjetër në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ose më së largu më 12 shkurt 2008, kur e ka përvjetorin e 63-të.
Është viti i tretë që Rilindja del vetëm një herë brenda vitit, dhe si e vetmja gazetë e përditshme në botë që i ndodhë të dalë vetëm një ditë, vetëm një herë në vit, mund të jetë edhe rast për Librin e Ginisit.
Vetëm një herë Rilindja doli në vitin 2003, pasi e ngujuan në bunkerin e errët e vërshime uji, dhe në vitin 2006, që edhe në këto kushte gazeta historike e Kosovës të shënoi zhvillimet historike nëpër të cilat kalon vendi.
Rilindja është dëbuar kundërligjshëm nga Pallati i saj dhe detyrimisht është mbyllë më 21 shkurt 2002, vetëm pak ditë pasi festoi 57-vjetorin. Ishte kjo një shkelje e rëndë e të drejtës së institucionit shumë të rëndësishëm të Kosovës dhe të njerëzve të Rilindjes, e pashembullt në botën e lirë dhe demokratike.
Edhe kjo mbyllje e pashembullt në botë e Rilindjes, me dëbim nga shtëpia e saj, mund të jetë një rast për Ginis.
Rilindja, edhe pas dëbimit të dhunshëm ka dalë në kushte të jashtëzakonshme me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm, për të ruajtur emrin e traditën dhe për të kundërshtuar mbylljen.
Rilindja ende nuk mund të dalë përditë meqë Pallatin e saj, ku i kishte lokalet e punës, ia kanë shndërruar thuaja në gërmadhë. I kanë shkatërruar gjithë teknikën e inventarin, dhe, çka është më e dhembshmja, Arkivin me dhjëtëra mijëra dokumente historike, pasuri kombëtare e pakompensueshme.
Rilindja është në pritje të realizimit të së drejtës së ligjshme të kompensimit e sanimit të dëmeve, që të mund të ridalë përsëri dhe të hyjë në procesin e privatizimit me spinof special, që të rikthehet e të ruhet gazeta tradicionale e Kosovës, siç i kanë gazetat e veta tradicionale të gjitha vendet normale e demokratike në botë.
Për këtë, Rilindja pret dhe beson që Qeveria e re e Kosovës nuk do të lejojë më asnjë ditë shkeljen e ligjit e të drejtës në rastin e Rilindjes.
RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe të ardhëmes: KOSOVA SHTET NË OKB dhe me paralajmërimin: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
RILINDJA NË 30 DHJETOR 2008:
MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË
Behlul Jashari
Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të ergër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.
Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.
Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.
Gëzuar!
RILINDJA, RIDALJE SIMBOLIKE PROTESTUESE PAS 10 VITESH – 31 DHJETOR 2018
Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…“E punëtorëve të NSH Gazetare Rilindja deri në privatizimin e gazetës”, është shënimi në këndin lart në ballinë.
“GËZUAR 2019 KOSOVA 20 VJET LIRI 11 VJET SHTET”, “NGJARJA E VITIT 2018 E KOSOVËS: FSK USHTRI” “RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh”, janë disa nga titujt e gazetës.
Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.
“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.
Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni i OKB i pas luftës në Kosovë.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.
Edhe në këtë 78-vjetor e shohim të nevojshme ripërsëritjen e një sqarimi për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi.
LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:
1. Pllakati i 60 vjetorit të Gazetës Rilindja
2. Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova duke marrë Pllakatin e 60 vjetorit të Gazetës Rilindja nga kryeredaktori Behlul Jashari
3. Te Shtëpia monument e Rilindjes në Prizren në ditën e 60 vjetorit të gazetës – 12 Shkurt 2005
4. DRITARE NË HISTORI – Faqe arkivi të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja
5.Rilinjdja pas dëbimit punë në shtëpi -kryeredaktori Behlul Jashari me destoperët-disajnerët Dritëro Meha e Fitim Rrmoku
6. Ekipi i Rilindjes në Kuvendin e Kosovës me 4 mars 2002 për botimin e parë të jashtëzakonshëm të gazetës
7. Viti 1990 – Rrethimi i Pallatit Rilindja edhe me helikopter – okupimi serb – Foto Ilaz Bylykbashi
8.Rilindja 1990 – forcat serbe te porta e Pallatit Rilindja
(Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku”. Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)