
2 prill 2024 – Në shenjë të përkushtimit tonë për promovimin e medias së besueshme dhe luftën kundër çrregullimit informativ, Hibrid.info së bashku me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Kontrollit të Fakteve me një serë aktivitetesh edukative dhe informuese.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Kontrollimit të Fakteve, ne dëshirojmë të rrisim ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së verifikimit të informacionit dhe sfidave që na paraqiten nga çrregullimi në sferën mediale. Si pjesë e angazhimit tonë, kemi organizuar një aktivitet të veçantë në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Sami Frashëri, ku Ambasadori Jeffrey M. Hovenier ka pasur një diskutim me nxënësit e kësaj shkolle rreth rëndësisë së kontrollimit të fakteve dhe zhvillimin e mendimit kritik.
Me këtë rast, me kënaqësi ndajmë me mediat dhe gjithë opinionin publik një video mesazh nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier për të theksuar rëndësinë e kësaj dite dhe përgjegjësinë tonë kolektive në ndërtimin e një mjedisi më të sigurt dhe të besueshëm të informacionit.
Në këtë moment, kur dezinformimi dhe informacioni i pasaktë kanë një ndikim të madh në opinionin publik, ne mbetemi të përkushtuar për të nxitur një kulturë të verifikimit të fakteve dhe rritjes së mendimit kritik në shoqërinë tonë.
Këto dhe më shumë informacione rreth aktiviteteve të Ditës Ndërkombëtare të Kontrollit të Fakteve dhe angazhimit tonë në këtë drejtim, mund t’i gjeni në ueb faqen tonë hibrid.info dhe të na kontaktoni.
Faleminderit për bashkëpunimin tuaj dhe përkrahjen në promovimin e një mjedisi të besueshëm dhe mirë të informuar.