Opinion nga Albin Kurti/
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po e mbron Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, nga diskriminimi! Ja cili është rezultati politik e konceptual i dialogut pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës. Jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore por edhe pas zgjedhjeve, Daçiqi dhe të gjithë zyrtarët e tjerë shtetërorë të Serbisë do të mund të hyjnë e vijnë në Kosovë, të flasin e të veprojnë. Në mbrëmjen e 7 tetorit, pas negociatave në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, Thaçi sërish lëshoi pe dhe u nënshtrua.
Pas raundit më të fundit dhe më të ri të negociatave të vazhdueshme në Bruksel, në njërën anë, Thaçi deklaroi që ‘askush nuk mund të pengohet në lëvizjen e lirë’, ndërkaq, në anën tjetër, ai theksoi që ‘Kosova do ta respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë, pa diskriminim’. Herën e parë bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes si një e drejtë, kurse herën e dytë për marrëveshje politike mbi lirinë e lëvizjes. E para gjithsesi do të ishte e pamjaftueshme sepse dihet që kriminelët e armiqtë, siç e mendojnë Daçiqin shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, nuk kanë liri të lëvizjes. Prandaj, vjen kjo e dyta për marrëveshjen politike me Serbinë e cila e zgjeron lirinë e lëvizjes (duke e shkelur në thelb atë) edhe për Daçiqin e zyrtarët e tjerë shtetërorë të Serbisë.
Kështu Daçiqi, Nikoliqi, Vuçiqi dhe krerët e tjerë të Serbisë e fituan lirinë për pelegrinazhin e fashizmit serb në Kosovë. Ata që nuk do të duhej të kishin liri të fjalës, tubimit e veprimit as në Serbi i fituan ato në Kosovë. Thaçi po ia jep lirinë e lëvizjes Serbisë në Kosovë. Pas lirisë së krijimit të Asociacionit a Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pas amnistisë ligjore për kriminelët serbë, Serbia e fitoi edhe lirinë e fushatës për Serbinë në Kosovë. E legalizuan krimin e deritanishëm për të kaluar në një fazë të re për zgjerim e forcim shtesë.
Marrëveshja e këtillë na thotë që diskriminuesi më i madh nuk duhet diskriminuar! Sepse dihet kush është Ivica Daçiq: tetë vjet zëdhënës i partisë famëkeqe të Milosheviqit (SPS) dhe një Milosheviq-junge i spikatur; ishte bashkë me Milosheviqin kur ai ushtronte apartheidin në Kosovën e paraluftës, kur zbatonte gjenocid në Kosovë gjatë luftës dhe kur Milosheviqi i la trashëgim strukturat paralele në Kosovë pas luftës. Pas zgjedhjes në krye të partisë së Milosheviqit, më 4 dhjetor 2006, Daçiq tha se ‘askush nuk mund të thotë se nuk do të ketë përsëri luftë në Kosovë’, për të shtuar se ‘Kosova duhet të mbrohet me të gjitha mjetet’. Daçiq ishte bashkë me Nikoliqin e Vuçiqin gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe që prej vitit të kaluar u bënë bashkë sërish në qeverisje me qëllime të vjetra e për qëllime të vjetra (që i kanë të ndryshme mjetet e realizimit vetëm në masën e rrethanave të ndryshuara).
Me lejen e tij për Daçiqin, Kryeministri i Kosovës ka shkelur vendimet dhe qëndrimet e qeveritarëve më të afërt të tij: zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Para vetëm pesë ditëve sipas shtypit ditor në Kosovë, Kuçi deklaroi: ‘Ka qenë një kërkesë e z. Daçiq që ta vizitojë Kosovën nesër dhe i është anuluar kjo vizitë dhe të tjerat me arsyetimin se gjatë fushatës zgjedhore nuk lejojmë të ndërhyjë në procese të brendshme. Kërkesat e tij gjatë fushatës do të refuzohen. Vizitat e karakterit politik dhe partiak nuk do të lejohen. Po ashtu kryeministrit Daçiq i është thënë se niveli i lartë në Serbi gjatë gjithë fushatës nuk do të lejohet të vijë në Kosovë’. Ndërsa para vetëm dy ditëve Kuçi tha se ‘ne jemi për atë që të inkurajohen serbët lokal për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, por jo që të kemi fushatë elektorale të Serbisë në Kosovë’. Vendimin e tij qysh në fillim e pat përforcuar Ministri Enver Hoxhaj kur potencoi që ‘kjo nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh presionin që do të bëjë Serbia në Bruksel’. Mirëpo, duket se një presion tjetër ishte më i rëndësishëm sesa presioni i Serbisë në Bruksel – presioni i Brukselit mbi Thaçin apo edhe ai direkt i Serbisë mbi Thaçin. Kuçi dhe Hoxhaj nuk janë të vetëdijshëm se sa pak trysni nevojitet mbi Thaçin që të kryhen punë të shumta për Serbinë. Deklarimeve të tij të mësipërme, Kuçi ia pat shtuar edhe atë se ‘pala kosovare nuk do të zmbrapset karshi shantazhit të kryeministrit serb’. Tash, ose Kuçi nuk e njeh fare kryeministrin e tij, ose nuk e konsideron atë të jetë pjesë e palës kosovare.
Serbia në dialogun në Bruksel vazhdimisht shtron kërkesa të reja e kërkesa shtesë, ndërkaq Kosova bie në defanzivë duke i plotësuar pjesërisht ato (hëpërhë) për t’i plotësuar tërësisht (ca më vonë). Në Bruksel ku ndërmjetëson Baronesha Ashton, edhe koha e raundit të ri të bisedimeve edhe substanca e tyre përcaktohen nga interesi dhe nisma e Daçiqit. Kur ai është i pakënaqur (ndërkohë që është i pangopshëm) organizohen bisedime e negociata ku pak e ngapak, por gjithnjë dhe përherë e më shumë, Thaçi lëshon pe, zmbrapset dhe bën kompromise.
Pasi që iu nënshtrua Daçiqit sa i përket datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Thaçi pranoi edhe kërkesat e Daçiqit për përmbajtjen e zgjedhjeve duke futur 12 mijë serbë shtesë në listat zgjedhore për komunat në veri të Kosovës. Madje, pranoi edhe kërkesat e Daçiqit për fushatën e zgjedhjeve ku Serbia po bëhet njëri ndër opcionet elektorale. Kompromiset e Thaçit nuk janë të tilla që të mos ketë më kompromise të tjera, e aq më pak të atilla që mundësojnë të ecet para. Mbase shumë më tepër Daçiq beson në shtetin e Serbisë sesa që Thaçi beson në Republikën e Kosovës.
Në shekullin e kaluar Serbia nuk kishte një kryeministër në Kosovë sikurse që tash e ka Thaçin. Ky njeri është bërë shërbëtor i dyfishtë: në njërën anë është shërbëtor i privatizimit neoliberal e në anën tjetër shërbëtor i shovinizmit serb. Është e qartë që Thaçi është në lloç të gjallë. Problemi është se teksa po fundoset gjithnjë e më shpejt, ai po e shtrëngon gjithnjë e më fort Kosovën që don ta marrë me vete.