
SI PO SHKATËRROHET IMAZHI MADHËSHTOR I HERONJVE NËPËRMJET SKULPTURËS SË DOBËT/
NGA SOKOL PAJA/

Në median shqiptare u shfaqën punime të disa statujave e shtatoreve të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, legjendës së gjallë të luftës së UÇK Adem Jasharit, shqiptares humaniste Shën Tereza, atit të Pavarësisë Ismail Qemali e disa personaliteteve të shquara të kombit shqiptar të cilat shkaktuan një zëmërim të madh në median sociale kryesisht rreth shëmtisë dhe mediokritetit të këtyre punimeve në skulpturë.

Imazhi madhështor i heronjve tanë, i personaliteteve më të larta e më të shquara të kombit vjen i transformuar në një mënyrë shumë të shëmtuar deri në keqardhje. Heronjtë, mitet, legjendat, personalitetet kombëtare kur vijnë të gjallë nëpërmjet skulpturës janë jo vetëm një vepër artistike por mbi të gjitha vepra shpirtërore ku përceptohet imazhi ynë dhe vetëdija për heroin në fjalë.

Skulptori Fiqiri Kasa, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se: “Vitet e fundit janë realizuar shtatore, buste, monumente të ndryshme me nivel të dobët artistik ku Kosova ka me shumicë por edhe Shqipëria nuk ngelet mbrapa. Arsyeja është e qartë, si në çdo fushë tjetër, në Shqipëri e Kosovë korrupsioni është shtrirë gjerësisht, mungesa trasparencës e konkursit dhe komisioneve serioze dhe profesionale sjellin këto rezultate, ku mes të gjithave futet edhe padija, nënvlersimi, paaftësia, ku edhe një amator konkuron në mënyrë të padrejtë mes skulptorve më të mirë” arsyeton skulptori Kasa.




Në sheshet kryesore të qyteteve më të rëndësishme historike të Shqipërisë sipas Fiqi Kasës “është për të ardhur keq që shohim këto skulptura të shëmtuara në sheshet e qyteteve tona, a thua sikur na mungojnë skulptorët. Shqipëria dhe Kosova kanë skulptorë të talentuar dhe nuk na mungojnë skulptorët, por mënyra e organizimit dhe e tenderimit të një monumenti publik, është përgatitur në një farë mënyre që të bëhet e paarritshme, dhe si përfundim e fiton tenderin ai që bën marrëveshjen që në fillim pa u shpall tenderi” tregon për “Dielli” –n skulptori Kasa. “Kam bindjen se një pjesë e shtatoreve nuk do ti rezistojnë kohës, në një të ardhme jo të largët ato edhe mund të rimodelohen” shprehet i bindur Kasa. “Jam i mendimit që të paktën kur vjen puna tek Heronjtë nuk duhet eksperimentuar me figurat kaq shumë të rëndësishme për shqiptarët, siç është Gjergj Kastrioti, Shën Tereza, Adem Jashari, Ismail Qemali etj, se tashmë e kemi krijuar imazhin e tyre, e kemi të qartë, dhe ajo që kam vënë re tek një pjesë që kanë patur polemika është se janë të deformuara, në disproporcion, ku mungojnë elemetet bazikë të një figure, anatomia, fizionomia, pa plastik ,pa emocion, vlerë artistike zero, pra është një paaftësi prej amatori dhe jo një trajtim ndryshe prej artistit” shprehet i revoltuar skulptori Fiqi Kasa. Sipas Kasës skulptura në përgjithësi ka edhe kundërshtime dhe këndvështrime të ndryshme tek çdo skulptor, por jo në këto nivele. Më ka rastisur të punoj shpjegon Kasa, brenda pak vitesh disa nga figurat kombëtare, dhe jam munduar ti trajtoj në mënyren time por brenda karakterit dhe imazhit që shqiptarët janë mësuar ti shohin heronjtë e tyre, do isha dakort nëse do luanim me elementë të caktuar duke u bazuar nga kërkimet shkencore, historike, gravura, piktura, mënyra e qëndrimit, e shikimit, veshja etj. Sipas Skulptorit Fiqi Kasa, objektet që mbajnë në duar këta heronjë, ose figura të rëndësishme, nuk është nevoja ti paraqesim të gjithë luftëtarët me pushkë, ka dhe mënyra të tjera trajtimit që të tregojë që kjo figurë është një luftëtar dhe hero. Ndër punimet më të rëndësishme të Skulptorit Fiqi Kasa është një portret i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit me lartësi 8 metra në material metal dhe beton, është punuar në vendndodhje dhe ka zgjatur rreth 5 muaj realizimi, ndodhet në Labinot-Fushë 6 km larg qytetit të Elbasanit. Një tjetër punim është busti i Shën Terezës në bronz, lartësia 80 cm dhe ndodhet në Reç të Ulqinit- Mal i Zi dhe busti tjetër Gjergj Kastriotit i punuar me lartësi 120 cm në material Bronz ndodhet në Triesh të Tuzit në Malin e Zi. Skulptori Fiqiri Kasa në çdo punim që realizon si fillim shfleton dhe konsulton një mori studimesh historike, antropologjike, albanologjike dhe dokumente të tjera arkivore në mënyrë që të realizojë në përfeksion heroin e radhës në skulpturë. Skulptori Fiqiri Kasa ka filluar të krijojë portrete në baltë që kur ishte 10-të vjeç, ndërsa sot është kthyer në skulptorin më të famshëm në hapsirën mbarëshqiptare Shqipëri për shkak të punimeve të tij për heronjtë dhe personalitet shqiptare më të rëndësishëm në historinë e shtetit e kombit shqiptar.