Djana Koçiaj themeluese e shkollës shqipe “Iliria” në Londër, Angli, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Londër, Angli, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me mësuesen Djana Koçiaj bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
SHKOLLA SHQIPE “ILIRIA” NË LONDËR
Shkolla shqipe “Iliria” është ideuar kohë më parë, prej afro 2 vitesh dhe u bë e mundur të hapet më 14 Shtator 2024. Është një sipërmarrje personale dhe e financuar nga familja ime! Shkalla e vështirësisë dihet, kur je në një vend të huaj dhe me një anglishte të çalë…por me një dashuri dhe pasion të jashtëzakonshëm për profesionin gjithçka realizohet me sukses. E vetëdijshme për misionin që ne kemi, shkolla është e organizuar në fundjavë, pasi gjithë javën nxënësit janë në shkollë. Është një mundësi e shkëlqyer për fëmijët e prindërit që të gjithë bashkë të bashkëpunojmë e të fuqizohemi si komunitet në Londër. Orari i mësimit të shkollës është : çdo të shtunë nga ora 10 – 1.30. Aktualisht janë rreth 40 nxënës dhe akoma shumë të tjerë që kanë treguar interes. Kam edhe 3 mësuese ndihmëse si edhe një valltare që vjen 1 ose 2 herë në javë nga 1 orë për t’u mësuar vallet shqiptare fëmijëve që frekuentojnë shkollën shqipe. Mësueset Arjeta, Difja dhe Mara i presin me shumë dashuri e kënaqësi fëmijët në shkollë. Për fëmijët tanë ia vlen çdo sakrificë. Baza e kombit është gjuha, trashëgimi i kombit janë fëmijët. Për të gjithë prindërit e interesuar për fëmijët e tyre, adresa e shkollës është: 3 Stapylton Rd, Barnet EN5 4QT, Chipping Barnet, ndërsa kontakti cel: +44 7555 126064, email: djana.kociaj67@gmail.com
PRINDËRIT MBËSHTESIN MËSIMIN SHQIP
Për mësimdhënie në shkollën tonë ne përdorim : Abetaren e miratuar nga MASH dhe MAK( për nxënësit në diasporë) gjithashtu, shumë libra dhe materiale plotësuese të marra nga Shqipëria për nivelin e nxënësve. Kemi një bashkëpunim të frytshëm me prindërit dhe komunitetin shqiptar në Londër. Këtu gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen time me përulësi për çdo përpjekje që ata bëjnë për të qëndruar fort pas rrënjëve identitare, gjenezës sonë kombëtare!
PËRPJEKJET DHE VËSHTIRËSITË
Dihet vështirësia e cila është prezente, fëmijët janë lindur dhe rritur në Angli, që do të thotë se nuk janë në kontakt me gjuhën amë, por ne do të bëjmë të pamundurën për ta ruajtur gjuhën, kulturën, identitetin, traditën dhe trashëgiminë tonë kombëtare. Të gjithë së bashku do t’ja dalim me sukses e krenari!
LONDRA MIRËPRET SHKOLLËN E SHQIPTARËVE
Për hirë të së vërtetës, jam e surprizuar nga pritja dhe bashkëpunimi me organet shtetërore këtu në Londër! Ata ishin prezent që në ditën e hapjes së shkollës shqipe “Iliria”. Ata u shprehen shumë pozitivisht dhe ishin të lumtur që në komunën “Barnet” në Londër po hapej një shkollë e tillë. Ata u surprizuan gjithashtu nga dëshira e nxënësve për të mësuar gjuhën mëmë si dhe nga gjithçka tjetër, për ne si komunitet i angazhuar. Ata kënduan dhe kërcyen shqip, bashkë me ne. Një mbështetje dhe entuziazëm për ne në këtë rrugëtim patriotik e komunitar. Ndihmesa e komunitetit shqiptar është evidente. Prindër mbështetës që përmes sfidave të ndryshme (emigrantë në dhe të huaj) janë të gatshëm t’u krijojnë mundësinë fëmijëve për të mësuar gjuhën tonë të shenjtë shqipe.
FËMIJË QË PREMTOJNË SHUMË
Vështirësia në mësimdhënie për fëmijët me dy gjuhësi është prezente për vetë specifikat delikate të mësimdhënies si proces dhe të kushteve të fëmijëve në emigracion. Ata janë lindur dhe rritur larg atdheut, nuk kanë kontakte të rregullta me gjuhën shqipe (veç kur shkojnë tek të afërmit e tyre në Shqipëri) pastaj gjithë kohën janë në kontakt me anglishten dhe ndodh jo rrallëherë që shkronjat përzihen e procesi i të nxënit vështirësohet te fëmijët. Jam e bindur në progresin e fëmijëve dhe barrierat do thyejmë shpejt e progresi do të jetë i dukshëm nga java në javë.
PUNA ME FËMIJËT NJË EMOCION I VEÇANTË
Ndihem e privilegjuar sepse kam nxënës kaq të zellshëm për të mësuar gjuhën e kulturën kombëtare shqiptare. Me sytë e kthjellët si qielli i vendlindjes sonë e me shpirtin e sakrificës prindërore, fëmijët të emocionojnë sa bukur e kanë pritur mësimin shqip! Ata çdo ditë e më shumë po përshtaten e vijnë dëshirëplotë për të mësuar gjëra të reja. Ata më falin kënaqësi të jashtëzakonshme me çdo shkronjë që mësojnë, çdo fjalë që shkruajnë apo gjithçka tjetër që ata bëjnë në klasë. Impakti i mësimit gjithëpërfshirës, integruar tek ata, ka një impakt shumë pozitiv. Jam e lumtur dhe e emocionuar për këtë!
KUSH ËSHTË MËSUESE DJANA KOÇIAJ?
Kam lindur në Fier dhe kam studiuar për gjuhë – letërsi në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, më pas kam kryer edhe master për menaxhim dhe administrim arsimi në Universitetin “AleksandërXhuvan” në Elbasan. Kam një karrierë prej 30 vitesh si mësimdhënëse në disa shkolla të qytetit të Fierit. Në disa prej tyre kam qenë drejtuese! Për disa vite kam qenë pjesë e administratës së arsimit si inspektore dhe specialiste e burimeve njerëzore. Në Londër kam kryer trajnime të ndryshme ku jam vlerësuar me Certifikatë në Lidership, program firmimi i Parlamentit Anglez. Prej 4 viteve jemi zhvendosur me familjen në Londër! Që në fillimet e mia këtu, kërkova të jepja mësim për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Pasi dhashë mesim online (për shkak të covid-19) më pas vijova të jap mësim në shkollë larg vendbanimit tim. Gjej rastin të falënderoj znj.Luljeta Nuzi për suportin e jashtëzakonshëm emicional që më ka dhënë në rrugëtimin tim! Mirënjohje pafund që kurrë nuk u lodh duke bërë maksimumun që unë të gjeja ekuilibrat në këtë shtet ku gjithçka funksinonte ndryshe nga vendi që unë vija. Në përgjithësi unë kam kurajë dhe shpirt luftarak, kam vullnet dhe këmbëngulje për të realizuar gjërat që unë marr përsipër të bëj. Ky është një rast i tillë. Kam disa njerëz që më kanë mbështetur duke më udhëzuar, duke më dhënë kohën e tyre të çmuar për të finalizuar këtë sipermarrje atdhetare e komunitare të vështirë por të bukur! Me përulësi falenderoj znj.Merita Isufi e cila nuk u lodh dhe ishte gjithmonë e gatshme për të mu gjendur pranë në çdo hap. Ftoj çdo patriot shqiptar në Londër, të bëhemi të gjithë së bashku për të kontribuar për më të mirën e fëmijëve tanë! Të gjithë së bashku për gjuhën tonë! Për gjenezën tonë identitare kombëtare.