Nga Keze Kozeta Zylo/
Në një ditë të dielltë që të lëbyrte sytë mësues, prindër, gjyshër, nxënës u mbodhën të gëzuar grup-grupe para shkollës për të filluar orët e mësimit shqip, në mjediset e Qendrës “Illyria” siguruar nga z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”.
Në hyrje të shkollës para banderolës ishin varur tullumbacet me ngjyrat kuq e zi, simboli i Flamurit Kombëtar, përgatitur nga znj.Arta Xhaferri, koordinatore e shkollës në Bronx.
Shumë prej tyre takoheshin me mall dhe bisedonin për pushimet e verës. Ata njiheshin dhe ishin bërë miq në bangat e shkollës të familjes së madhe “Alba Life”. Dikush kishte komunikuar me shokun dhe shoqen e tij, disa kishin ardhur për herë të parë, si psh një vajzë e kishte emrin Qershizë, sa emër i bukur, por sidoqoftë ata po lidheshin shumë shpejt sikur njiheshin prej kohësh, sepse bota e fëmijëve është e magjishme. Ja më tha gjyshe Dhurata Maleshka që vjen shumë e rregullt për të sjellë mbesën me emrin Ema në shkollë, ne mezi po prisnim për të filluar mësimin shqip. Përvoja juaj e ka shtuar shumë reputacionin dhe seriozitetin e këtij misioni kombëtar.
Drejtori dhe themeluesi i Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online z.Qemal Zylo i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe iu uroi atyre mirëseardhjen dhe punë të mbarë. Z.Zylo prezantoi djalin me plot perspektivë, z.Enes Basha i cili iu bashkua stafit të Shkollës Shqipe “Alba Life”. Ai prezantoi Asambleisten e shtetit të Nju Jorkut znj.Natalia Fernandez e cila na nderoi me pjesëmarrjen e saj në ceremoninë e hapjes. Asambleistja Fernandez shoqërohej nga z.John Zaccaro i cili shpreson se së shpejti do të ketë një ulëse në Parlamentin e Nju Jorkut. Zonja Fernandez pasi falënderoi të gjithë mësuesit, nxënësit, themeluesit tha se Nju Jorku ka shumë komunitete dhe fliten mjaft gjuhë të ndryshme pothuajse nga e gjithë bota. Në se ne do të kishim një shkolle në spanjisht si shkolla shqipe “Alba Life”, unë do ta dija dhe më mirë spanjishten, pasi prindërit e mi kanë emigruar nga Kuba. Mbajeni fort gjuhën tuaj, gjuhën e të parëve, kulturën, historinë, traditat pasi Amerika i cmon dhe i vlerëson shumë, ju e bëni atë dhe më të pasur. Mësueset Mirvete Krasniqi Veselaj, Dr.Manjola Duli, asistentet dhe ndihmëset si Davida Hasanaj Drilona Sadikaj, Kendra Duli etj kujdeseshin për nxënësit dhe mbarëvajtjen e tyre në shkollë. Grupi i valltarëve intepretuan mjeshtërisht Vallen e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa Erza Shala dhe Leon Gashi intepretuan poezinë për Mëmëdheun nga Cajupi dhe O Flamur Gjak o Flamur shkabë nga Fan Noli.
Prindërit dëgjonin me nostalgji Mëmedheun e Cajupit dhe tek sytë e ndonjerës shikoja që nga faqet I rrokulliseshin lotët e mallit, sepse Atdheu është mall që djeg e përvëlon si në këtë poezi:
Mëmëdhe quhet toka/ ku më ka rënurë koka/ ku kam dashur mëm’e atë/ ku më njeh dhe gur’ i thatë/ ku kam pasurë shtëpinë/ ku kam njohur Perëndinë/ stërgjyshët ku kanë qënë/ dhe varret q’i kanë vënë/ ku jam rritur me thërrime/ ku kam folur gjuhën time/ ku kam fis e ku kam fare/ ku kam qeshur, ku kam qarë/ ku rroj me gas e me shpresë/ ku kam dëshirë të vdes.
Dita e shtunë ishte një ditë tejet mbresëlënëse, e suksesshme dhe si cdo ditë e parë e shkollës në kujtesën e nxënësve do të mbahet mend përgjithmonë.
Urime të dashur nxënës, mësues dhe prindër të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit dhe kudo në botë ku mësohet shqip!
Paci bekimin e Zotit për këtë mision të përbashkët Kombëtar!
Gjuha Shqipe na bashkon!
17 shtator, 2022
Bronx, New York