Aida Haziri, mësuese e shkollës shqipe “Ardhmëria” në Londër, Angli, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e gjuhës shqipe, identitetit kombëtar, historisë, kulturës dhe traditës shqiptare në Londër, Angli, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve edukative e patriotiko-kulturore. Me mësuesen Aida Haziri bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ARDHMËRIA”
Që në formimin e saj në vitin 2005, me drejtues Z. Lutfi Vata, Shoqata Ardhmëria është e vetmja shoqatë në Mbretërinë e Madhe, e fokusuar në mësimin e gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë për fëmijët e lindur në Britani. Shoqata Ardhmëria ofron edukim të plotë të gjuhës dhe kulturës shqiptare për fëmijët dhe familjarët shqiptarë. Kemi klasa shqipe në dymbëdhjetë shkolla të ndryshme, në Londër dhe jashtë saj, për të gjithë femijët shqiptare, ku përfshihet mesimdhënia e gjuhës shqipe dhe aktivitete kulturore. (shkollat janë në Westminister, Croydon, Bromley, Bexleyheath, Catford, Palmers green, White City, Luton, Northampton, Oxford, Battersea, Reading). Ofrojmë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore për fëmijët me qëllim që të jenë të shëndetshëm dhe të krijojnë dashuri për vendin dhe kulturën e tyre si vallet tradicionale shqiptare. Organizojmë aktivitete kulturore për të festuar festat kombëtare, me qëllim gjuha dhe traditat të jetojnë në të gjithë brezat.
Përpiqemi shumë që të rrisim dhe të përmirësojmë arritjet e tyre në fushën e edukimit. Një kontribut të madh e jep në përkrahjen e familjeve shqiptare për integrimin e tyre në jetën britanike. Është e rëndësishme për kolektivin e Shoqatës Ardhmëria të punojë shumë që të rrisë konfidencën secilit shqiptar që drejtohet për ndihmë tek ne dhe ti drejtojmë e orjentojmë ata që të marin të gjitha shërbimet që janë të mundura për to.
NË QENDËR TË VËMËNDJES KATËRKËNDËSHI: NXËNËS, PRINDËR, SHKOLLË, MËSUES
Jo vetëm ne, në shkollat shqipe të Ardhmërisë, por të gjitha shkollat shqipe në diasporë kemi në përdorim kurrikulën e miratuar nga të dyja Ministritë e Arsimit, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Planet mësimore bëhen në bazë të materialeve që përdoren për çdo nivel. Vetë mësuesit janë të përgjegjshmëm të planifikojnë orët mësimore, lidhur me numrin e javëve që kemi në shkollë dhe me temat mësimore që do të zhvillohen në një klasë dhe për secilin nivel. Mos harrojmë që ne kemi dy apo tri vivele në një klasë, pra kemi klasa kolektive, sepse numri i nxënësve është i pamjaftueshëm për të pasur një klasë me nxënës të të njëjtës moshë. Kjo e vështirëson punën e një mësuesi në diasporë, aq më tepër që shumica e mësuesve janë vullnetarë.
Ne kemi gjithmonë në qendër të vëmëndjes katërkëndëshin, nxënës, prindër, shkollë, mësues. Bashkëpunimi me prindërit nuk ka munguar asnjëherë, por duhet të jemi të sinqertë që jo të gjithë prindërit shqiptarë janë të interesuar për t’i sjellë fëmijët e tyre në shkollat shqipe. Ata prindër që i sjellin fëmijët kanë një interes të madh, që fëmijët e tyre të mësojnë ta flasin, shkruajnë dhe lexojnë bukur gjuhën shqipe. Ata shpesh ndihmojnë në klasë, kur një mësuese ka nëvojë për ndihmës, ndihmojnë kur zhvillojmë aktivitete të ndryshme në shkollë dhe jasht saj.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË LONDËR
Shkollat shqipe të Ardhmërisë bëjnë dy ose tre orë në javë (kjo sipas kërkesave të prindërve), çdo të shtunë ose të dielë. Gjatë kohës së tyre në shkollë, fëmijët bëjnë lëndën e gjuhës shqipe, të shoqëruar më elementë të gramatikës, sipas niveleve të ndryshme, bëjnë lexim dhe shkrim, më pas mësim rreth kulturës dhe traditave shqiptare dhe në fund, për ta bërë sa më tërheqëse shkollën shqipe, bëjnë lojra të ndryshme, ose art, ku çdo temë ndërthuret me përdorimin e gjuhës shqipe.
Ne organizojmë shumë aktivitete madhështore gjatë një viti shkollor, ku përfshihen shkollat me nxënësit, prindërit, mësuesit dhe i gjithë komuniteti shqiptar. Aktivitete si Dita e Flamurit, Pavarësia e Kosovës, Dita e Mësuesit dhe Nënës, Dita e fëmijëve etj….
SHTETI BRITANIK TREGON VËMËNDJE NDAJ KOMUNITETEVE
Ne jemi me fat që jemi në Britaninë e Madhe, sepse këtu ka një rëndësi të madhe mësimi i gjuhëve të huaja dhe është në qendër të vëmëndjes mësimi i gjuhës së nënës. Shqiptarët janë një komunitet i ri në Britani (afër 30 vjeçar) dhe kemi bërë shumë për një kohë të shkurtër që jemi këtu, në krahasim me komunitetet e tjera. Shteti Britanik tregon vëmëndje ndaj komuniteteve sepse zhvillimi i një komuniteti në shoqërinë Angleze tregon qartë zhvillimin e vendit. Ne bëjmë aktivitete të përbashkëta me shoqata të tjera shqiptare dhe me komunitetet e tjera, ku marrin pjesë edhe anëtarë të Parlamentit Britanik.
Vitin e kaluar në Mars, 2023, unë isha e ftuar në Parlamentin Britanik me rastin e Festës së Mësuesit, 7 Marsin, ku fola për përvojën time në mësimdhënie në shtetin Anglez, dhe kjo gjithmonë e lidhur me punën dhe kontributin që unë kam dhënë në ndihmë të komunitetit shqiptar në Angli. Ishte hera e parë që Festa e Mësuesit festohej në Parlamentin Britanik dhe gjithashtu një eksperiencë e paharrueshme për mua.
MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI
Mjetet kryesore që ne kemi në përdorim të mësimit të gjuhës shqipe, janë librat, kompletet “Gjuha Shqipe” , të niveleve 1,2 dhe 3, të cilat vinë nga bashkëpunimi i dy vedeve tona, Shqipëria dhe Kosova. Mësimi për shumicën e shkollave shqipe, zhvillohet në ambientet e shkollave angleze, ku ne paguajmë qeranë me çmimin që caktohet nga drejtoria e çdo shkolle. Edhe pse teknologjia në këto shkolla është shumë e avancuar, në shumicën e tyre ne nuk kemi qasje në teknologji, nuk lejohemi të përdorim projektorët, kompjuterat apo mjete të tjera në klasë. Ne lejohemi të përdorim vetëm klasën, dërrasën e bardhë, tavolinat dhe karriget.
Kuptohet që ka edhe vështirësi, siç e përmenda edhe më lart për nivelet e ndryshme në një klasë dhe sfidat që kanë mësuesit në këtë rast. Por një vështirësi tjetër është edhe kur fëmijët vinë në klasë pa ditur asnjë fjalë të gjuhës shqipe dhe kjo është si rezultat i mospërdorimit të gjuhës shqipe në familje dhe i martesave më kombësi të ndryshme. Zakonisht kur nëna është shqiptare dhe babai i huaj fëmijët ka raste që edhe flasin pak shqip, por kur është e kundërta, fëmijët pothuajse nuk flasin asnjë fjalë shqip.
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Në shkollat shqipe të Ardhmërisë, krahas gjuhës shqipe, ne i kushtojmë shumë kujdes edhe historisë, gjeografisë, zakoneve dhe traditave të kombit tonë. Të gjitha këto janë pjesë e programit tonë vjetor, ku fëmijët mësojnë shumë për vendet tona, heronjtë tanë, njerëzit e njohur që na kanë përfaqësuar në botë me aftësitë e tyre në fusha të ndryshme. Ne gjithashtu i kushtojmë shumë kujdes temave të ndryshme shoqërore si “Të drejtat e fëmijëve”, “Bulizmi” ose “Ngacmimet” në shkollë dhe jashtë saj. Bëjmë eskursione të organizuara në vende historike dhe në Muzetë Britanike, ku fëmijët bashkë me familjet e tyre të njihen më kulturën Britanike dhe të vedeve të tjera në Botë.
KUSH ËSHTË MËSUESJA AIDA HAZIRI?
Unë jam Aida Haziri. Kam 26 vite që jetoj në Londër. Në vitin 1988 mbarova studimet e larta për Gjuhë-Letërsi dhe më emëruan mësuese të gjuhë-letërsisë në një fshat të largët të rrethit të Elbasanit. Këtu përjetova shumë experienca të vështira dhe të bukura dhe hodha bazat në profesionin tim si mësuese. Kështu iu shtua edhe një mësuese tjetër numrit të mësuesve në familjen time të madhe( 17-të mësues). Punova 7 vjet si mësuese në fshat në shkolla tetëvjeçare dhe të mesme. Më pas u transferova në qytet ku punova si mësuese e anglishtes në gjimnaz. (Anglishten e dija shumë mirë dhe e kisha të mbrojtur). Në vitin 1998 u largova nga Shqipëria dhe erdha në Angli, në Londër. Menjëherë fillova punë në një restorant grek, ku punova për 8 muaj. Pastaj fillova punë në një kopësht fëmijësh, privat. Këtu mu dha mundësia të shkoj në kolegj dhe të mbaroj të gjitha nivelet e gjuhës angleze. Në kolegj studjova edhe për “Child care education” NVQ Level 2 dhe 3.
Dhe “Bilingual teacher assistance” Këto kurse më mundësuan të filloj punë në shkollë fillore si TA, ndihmës mësuese. Në vitin 2003 fillova punë në Sutton ( në jug të Londrës), ku punova për Komunitetin Shqiptar në atë zonë dhe jepja mësimin e gjuhës Shqipe. Me të gjithë vështirësitë që kishim ateherë, ku klasa kishte 51 fëmijë të moshave të ndryshme (5-15 vjeç) dhe unë isha e vetmja mësuese, për të mos i kthyer fëmijët në shtëpi, i ndaja në dy grupe dhe bëja 5 orë mësim çdo të shtunë. Materialet për mësimin e gjuhës shqipe i bëja vetë, sepse në atë kohë nuk kishim asnjë libër në shqip, veç dy abetareve. Një experience e shkëlqyer dhe e paharrueshme.
Ne vitin 2009 fillova të punoj në shoqatën Ardhmëria, në fillim si mësuese dhe shumë shpejt si coordinatore dhe supervisor e shkollave të Shoqatës. Detyrë të cilën e bëj edhe tani. Në vitin 2010 fillova përsëri studimet në Open University (part time) ku studjova gjuhën Angleze dhe Letërsinë Boterore. Gjatë kësaj kohe mu dha mundësia të punoj në British Museum si përfaqësuese e Komunitetit Shqiptar në Londër. Isha anëtare e një grup pune, që organizonim shumë aktivitete për fëmijët e komuniteteve të ndryshme. Kjo punë më dha mundësinë të njihem me shumë njerëz dhe ta bëj kombin Shqiptar, Shqipërinë, Kosovën, traditat dhe zakonet tona, më shumë të njohura. Kjo u përjetua shumë, sidomos me aktivitetet që arrita të bëj çdo muaj Nëntor me rastin e festës së flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Parada e veshjeve tradicionale shqiptare ka lënë të mahnitur shumë vizitorë të Muzeumit Britanik për vite me rradhë.
Kam punuar shumë vite si përkthyese ku në shumicën e rasteve me binte të bëja dy punë në ditë dhe kjo për të ndihmuar sa më shumë bashkatdhetarët në nevojë.Në Mars të vitit 2015 fillova punë në FCDO ( Në Ministrinë e jashtme të Britanisë së Madhe) si Professional language trainer. Ku u mësoj gjuhën shqipe të gjithë dipllomatëve britanikë, që emërohen si Ambasador apo zëvëndës Ambasador në vendet shqipfolëse. Me shumë pasion vazhdoj të punoj edhe tani, dhe kjo punë më jep shumë kënaqësi. Nuk ka gjë më të bukur kur gjatë javës ke punuar për t’jua mësuar gjuhën shqipe të rriturve dhe të shtunën je në mes të fëmijëve shqiptarë, për t’jua mësuar edhe atyre gjuhën tonë të bukur. Kam organizuar shumë seminare, konfereca dhe aktivitete të ndryshme në bashkëpunim me organizata të tjera.
Kohët e fundit në bashkëpunim me Anglo-Albanian Assossiation dhe Ambasadën e Shqipërisë në Londër organizova eventin “Marubi në Londër”, një event shumë i suksesshëm. Tani kam themeluar edhe Organizatën e Gruas Britanike-Shqiptare. British-Albanian Women Assossiation (BAWA). E cila ka për qëllim të ndihmojë shumë gra, për çdo gjë që ato të kenë nevojë, si për edukimin, informimin, fuqizimin, përfshirjen dhe promovimin e tyre.