




Ardjana Gjoni themeluese e shkollës shqipe “Bright Eagles” Birmingham, në Britaninë e Madhe, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Birmingham, në Britaninë e Madhe, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me drejtoreshën Ardjana Gjoni bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
SHKOLLA SHQIPE “BRIGHT EAGLES” – NJË URË LIDHËSE MES GJUHËS, KULTURËS DHE TRADITËS
Shkolla Shqipe “Bright Eagles” u themelua me 5 nëntor 2022 dhe që atëherë është kthyer në një qendër të rëndësishme për komunitetin shqiptar në mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe tek fëmijët/brezi jonë i ri në qytetin e Birmingham-it në Britaninë e Madhe. Çdo të shtunë, nga ora 10:00 deri në 12:00, nxënësit ndjekin mësime të përshtatura për nivele të ndryshme gjuhësore, duke u rritur jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë kulturor dhe social.
Për të siguruar një proces mësimor efektiv dhe të këndshëm, përdorim Abetaren e Përgjithshme si bazë, ndërsa për fëmijët që kanë nevojë për më shumë mbështetje, shfrytëzojmë abetare fillestare për të lehtësuar të kuptuarit. Në mësim, përfshijmë materiale moderne, si monitorë të cilat ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësitë e shqiptimit dhe të kuptojnë më mirë gjuhën shqipe.
Një element i rëndësishëm i metodës sonë janë librat dygjuhësh shqip-anglisht, të cilët ndihmojnë fëmijët të bëjnë lidhje natyrale mes dy gjuhëve. Disa nga librat që kemi përdorur me sukses janë “Dea fillon shkollën” dhe “Eja Dea”, të autores së njohur për fëmijë Merita Isufi. Përveç mësimit të gjuhës, ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me prindërit, pasi mbështetja e tyre është kyçe për suksesin e fëmijëve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.
MËSUESET DHE STAFI MBËSHTETËS I SHKOLLËS SHQIPE “BRIGHT EAGLES”
Mësueset e shkollës tonë Dorina Lekgegaj dhe Marsela Hoxha janë profesioniste të kualifikuara, të trajnuara dhe me përvojë të pasur në mësimdhënie. Ato japin një kontribut të çmuar në arsimimin e fëmijëve, duke ofruar mësim të kualitetit të lartë dhe duke u angazhuar me përkushtim dhe pasion për zhvillimin e çdo nxënësi. Me shumë kënaqësi dhe dedikim, ato krijojnë një mjedis të ngrohtë dhe stimulues për mësim, ku fëmijët ndihen të mbështetur dhe të inkurajuar për të mësuar. Puna e tyre është një pasqyrë e angazhimit të thellë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e brezit të ardhshëm të shqiptarëve në diasporë.Koreografe Zoje Gjoni është e përkushtuar t’u mësojë fëmijëve vallet tradicionale, artin shqiptar dhe më shumë, duke punuar me pasion dhe përkushtim çdo javë me ta. Po ashtu, vullnetarët dhe asistente të shkëlqyera dhe shume te perkushtuara, Anila Diku, Jessica Marku, Juleda Krraba dhe Eriselda Marku, japin një kontribut të madh çdo jave në mbarëvajtjen e klasave. Kemi patur mbështetje dhe nga të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Birmingham, të cilët ndihmojnë në krijimin e një ambienti të kendshem dhe mbështesin mësueset dhe nxënësit në çdo hap të procesit dhe organizimin e aktiviteteve dhe eventeve që ne realizojmë. Puna e tyre është jashtëzakonisht e vlefshme për suksesin e shkollës dhe për të siguruar që çdo aktivitet të realizohet me sukses. Kontributi i tyre është thelbësor për krijimin e një mjedisi te kendshem dhe të suksesshëm.
BËHUNI PJESË E BRIGHT EAGLES PËR TË MËSUAR GJUHËN E KOMBIT
Bëjmë thirrje të gjithë prindërve shqiptarë që jetojnë në Birmingam të bëhen pjesë e Shkollës Shqipe Bright Eagles. Këtu, fëmijët e tyre do të mësojnë gjuhën, kulturën dhe traditat tona, duke krijuar një lidhje të fortë me rrënjët e tyre dhe një ndjenjë të thellë të përkatësisë. Së bashku, mund ta mbajmë gjallë gjuhën dhe kulturën tonë për brezat e ardhshëm!
RËNDËSIA E PËRKRAHJA E MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE
Mësimi i gjuhës shqipe është një nga mënyrat më të rëndësishme për ruajtjen e identitetit kombëtar. Gjuha është lidhja jonë kryesore me historinë, kulturën dhe traditat tona. Përmes shkollave shqipe dhe aktiviteteve kulturore, fëmijët jo vetëm që mësojnë të flasin dhe të shkruajnë shqip, por edhe zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj komunitetit shqiptar. Mbështetja e prindërve dhe komunitetit është kyçe në këtë proces, pasi vetëm nëpërmjet përfshirjes së përbashkët mund të sigurojmë që gjuha shqipe të vazhdojë të jetë pjesë e jetës së brezave të rinj në diasporë.
Shoqëria angleze e ka mirëpritur dhe mbështetur këtë iniciativë si një vlerë të rëndësishme kulturore. Gjithashtu, kemi pasur mbështetjen e bashkisë lokale, deputetëve të zonës dhe institucioneve të tjera. Një ndihmë e madhe ka ardhur nga Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të cilat na kanë mundësuar tekstet shkollore për nxënësit tanë dhe kanë marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme, si Festa e Abetares dhe Festat e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjithashtu, kemi pasur mbështetje nga shoqata të komuniteteve të tjera, me të cilat kemi ndarë përvoja dhe tradita kulturore. Bashkëpunimi me shoqatat shqiptare ka qenë i frytshëm, duke mundësuar shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave të ndryshme, gjë që ka ndihmuar në përmirësimin e procesit të mësimdhënies. Një ndër organizatat që na ka mbështetur që nga fillimi është Successful Mothers, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në fuqizimin e komunitetit shqiptar në Britani.
KUSH ËSHTË ARDJANA GJONI THEMELUESJA DHE DREJTORESHA E SHKOLLËS SHQIPE “BRIGHT EAGLES”
Ardjana Gjoni ka mbi 25 vite që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, një udhëtim i mbushur me sfida, vendosmëri dhe suksese. Ajo u largua nga vendlindja në moshë të re, duke nisur nga e para në Angli, një vend me kulturë dhe mënyrë jetese krejt ndryshe. Si shumë emigrantë, edhe ajo u përball me vështirësi të shumta në fillimet e saj, nga pengesat gjuhësore e deri te përshtatja me një realitet të ri social. Megjithatë, këto sfida nuk e ndaluan; përkundrazi, e motivuan për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e saj.
Pas një periudhe të shkurter, Ardjana filloi studimet në kolegj, ku ndoqi degë të ndryshme, duke treguar përkushtim dhe pasion për të arritur më shumë. Me punë dhe këmbëngulje, ajo mbaroi kolegjin me sukses, por ëndrrat dhe ambiciet e saj nuk ndaluan këtu. E motivuar nga dëshira për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të siguruar një të ardhme edhe më të mirë, Ardjana vendosi të ndjekë studimet e larta. Me përkushtim të palëkundur, ajo përfundoi universitetin me rezultate të shkëlqyera, duke u diplomuar me graden më të lartë në Business Enterprise, një arritje e jashtëzakonshme duke pasur parasysh sfidat që e shoqëruan gjatë këtij rrugëtimi.
Gjatë viteve të studimeve, Ardjana jo vetëm që përballoi kërkesat akademike, por gjithashtu punoi në fusha të ndryshme për të mbështetur veten dhe familjen. Pavarësisht angazhimeve të shumta, ajo arriti të menaxhojë kohën dhe përgjegjësitë, duke u bërë një nënë e përkushtuar e katër fëmijëve – dy djemve dhe dy vajzave. Të qenit nënë, studente dhe e punësuar në të njëjtën kohë, ishte një sfidë e madhe, por Ardjana e përballoi me forcë dhe vendosmëri, duke treguar se asgjë nuk është e pamundur kur ke vullnet dhe pasion.
Prej shumë vitesh, Ardjana punon në një organizatë si Punonjëse Sociale për Skllavërinë Moderne, një rol me rëndësi të madhe që kërkon ndjeshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim të vazhdueshëm. Në këtë rol, ajo ofron mbështetje për persona që janë shfrytëzuar dhe kanë kaluar një jetë të vështirë, duke ndihmuar ata të gjejnë rrugën e tyre drejt lirisë dhe të integrohen në shoqëri me dinjitet. Përmes këtij angazhimi, Ardjana ka krijuar një lidhje të fortë me komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, duke u bërë një pikë referimi dhe mbështetje për bashkëkombësit e saj dhe jo vetëm, që kanë nevojë për ndihmë, udhëzim dhe përkrahje.
Përveç angazhimeve të saj profesionale, Ardjana është një shtyllë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Birmingham dhe më gjerë. Ajo ka organizuar për vite me radhë aktivitete dhe ngjarje kulturore që kanë për qëllim ruajtjen e identitetit shqiptar dhe forcimin e lidhjeve mes bashkëkombësve. Festa e Pavarësisë së Shqipërisë, festa e Mësuesit dhe festa e Nënës janë vetëm disa nga ngjarjet që Ardjana ka ndihmuar të organizohen, duke sjellë së bashku shqiptarët dhe duke krijuar një ndjenjë bashkësie dhe përkatësie.
Si një grua me vizion dhe pasion për edukimin dhe kulturën, Ardjana është gjithashtu anëtare e bordit drejtues të organizatës Successful Mothers, e cila mbështet nënat në rrugëtimin e tyre drejt suksesit personal dhe profesional. Në këtë rol, ajo punon me gra nga komunitete të ndryshme, duke i ndihmuar ato të kapërcejnë sfidat dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Falë punës dhe përkushtimit të saj, ajo është vlerësuar si një grua që ka dhënë një impakt pozitiv te shumë njerëz.
Një tjetër arritje e rëndësishme e Ardjanës është themelimi i organizatës Bright Eagles, një shkollë plotësuese në Birmingham që ofron mësim të gjuhës shqipe, valle tradicionale dhe aktivitete të tjera kulturore për fëmijët shqiptarë. Kjo iniciativë ka lindur nga dëshira e saj e thellë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare për brezat e rinj që rriten jashtë vendit. Përmes Bright Eagles, dëshira e Ardjanës nuk ishte vetëm që fëmijët të mësonin gjuhën shqipe dhe traditat, por gjithashtu t’i frymëzonte ata të jenë krenarë për rrënjët e tyre dhe të vlerësojnë trashëgiminë e tyre kulturore.
Puna e palodhur dhe përkushtimi i saj i pashoq kanë bërë që Ardjana Gjoni të jetë një figurë kyçe dhe një zë i fuqishëm për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Historia e saj është një shembull i jashtëzakonshëm i forcës, vendosmërisë dhe dashurisë për kulturën dhe rrënjët e saj. Ardjana vazhdon të punojë çdo ditë për të ndihmuar të tjerët, për të përkrahur komunitetin dhe për të siguruar që gjuha dhe kultura shqiptare të mbeten të gjalla për brezat që vijnë.