


Fabjola Gjinaj/
Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York dhe “Vatra” Long Island N.Y. festuan 7 – 8 Marsin. Një aktivitet i shkëlqyer patriotik, edukativ e social me pjesëmarrjen thelbësore të prindërve duke gëzuar e festuar të gjithë bashkë si një familje e bashkuar. Nxënësit e shkollës shqipe uruan mësuesit për 7 – Marsin ku gjatë orës së mësimit, çdo nxënës shkruajti një letër urimi në gjuhën shqipe shoqëruar me një trëndafil për nënën e seicilit duke e lexuar para të pranishmëve. Një emocion shumë i veçantë. Pasi mbaroi mësimi, nxënësit iu dhuruan prindërve letrën e urimit me trëndafil, ku uronin nënën për 8 – Marsin në gjuhën e ëmbël shqipe. Edhe pse në Shqipëri e festojmë si festën e nënës, ndërkombëtarisht kjo datë njihet si dita ndërkombëtare e gruas. Prindërit fisnikë kishin përgatitur plot pasion e dashuri ushqime tradicionale shqiptare për të gjithë pjesëmarrësit. Gjej rastin të uroj edhe njëherë prindërit e shkollës shqipe dhe të falënderoj secilën prej tyre për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe seriozitetin në organizimin e të gjitha festave. Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York dhe “Vatra” Long Island N.Y. po krijon një traditë të shkëlqyer atdhetare e komunitare duke bashkuar e promovuar komunitetin dhe duke i shërbyer kulturës e traditës kombëtare shqiptare në mërgatën e Amerikës. Jemi vërtetë me fat që kemi një bashkëpunimin të frytshëm dhe respekt reciprok në rritje me prindërit e shkollës shqipe ku falë mbështetjes së tyre shkolla po rritet çdo ditë e më tepër. Dua ta ritheksoj se ne bashkëpunojmë në grup dhe jemi si një familje e madhe në diasporë, ku na bashkon gjaku, gjuha, tradita e historia jonë kombëtare. Festa e 7 – 8 Marsit u zhvillua në ambientet e shkollës me muzikë shqiptare dhe në një harmoni e atmosferë patriotike shumë emocionuese. Uroj çdo mësimdhënes, Gezuar 7 marsin, ditën e dijes, kulturës e pasionit për mësimdhënie. Në mbyllje uroj nënat e vajzat e shkollës shqipe dhe çdo femër që feston këtë ditë të shënuar, i uroj Gëzuar 8 marsin. Çdo herë u mbledhshim për festa, gëzime e promovime të komunitetit shqiptar në Long Island N.Y.