Gjuha jonë sa e mirë,
Sa e ëmbël, sa e gjerë,
Sa e lehtë, sa e lirë,
Sa e bukur, sa e vlerë.
Naim Frasheri (1846 – 1900)
Vera vate shkoi, do të thoshte Naimi ynë i madh, pushimet verore mbaruan dhe përsëri erdhi shtatori, maji i parë i vjeshtës, muaji i hapjes së shkollave. Kështu ndodhi sot, 11 shtator, në Filadelfia, shoqata jonë, “Bijtë e Shqipes”, i hapi dyert për femijët e bashkësisë sonë për të tetëmbëdhjetin vit. Ende pa mbaruar mirë viti shkollor, ne mendojmë për vitin e ardhshëm shkollor dhe gjithmonë kemi shqetësimin se, a do të na vijnë nxënësit përsëri ne vitin e ardhshëm, sa nxënës të rinj do të na vijnë? Që para orës së caktuar për hapjen e shkollës filluan të vijnë prindër e nxënës, por edhe gjyshe e gjyshër që i shoqëronin nipërit e mbesat e tyre. Është kjo një ditë mjaft emocionale për të gjithë, sidomos për ata fëmijë që vijnë për herë të pare, disa nga të cilët edhe nuk flasin farë shqip. Kryesia e shoqatës dhe mësueset e shkollës i kishin bërë kohë më parë përgatitjet e duhura për këtë ditë të posaçme. Mësueset tona të përkushtuara e të përgatitura mirë profesinalisht: Rajmonda Bardhi, Rudina, Bani, Irini Zenelaj, Mimoza Sotiri dhe Afërdita Muzhaqi i prisnin fëmijët krahëhapur, me buzëqeshje e përqafime. Në këtë ditë mësimi nuk zhvillohet, por nxënësit sistemohen nëpër klasa, i marrin librat dhe materialet përkatëse mësimore dhe së bashku me prindërit njoftohen për rregullat, mbarëvajtjen e shkollës. Përvoja jonë shumëvjecare ka teguar se, kur udhëheqësit e shoqatës, mësueset, prindërit dhe nxënësit bashkëveprojnë me mirëkuptim me njëri – tjetrin, atëherë edhe suksesi nuk mungon.
Ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor kishim planifikuar që ta bënim në hapësirat e jashtme të godinës së re, por koha me shi na detyroi që t’i bënim disa improvizime e të zhvendoseshim në hapësirat e brendshme që ende janë duke u rregulluar, meremetuar. Ndërsa mësimi do të zhvillohet në ndërtesën e vjetër ku të gjitha klasat janë të përgatitura mirë për një proces normal mësimor. Mësimi zhvillohet ditëve të diela, ndërsa mësimi online, ditëve të shtuna.. Mësimi online, si rrjedhojë e masave të pandemisë Covid-19, na ka mundësuar që shkollën tonë ta ndjekin edhe nxënësit që jetojnë në shtetet tjera të Amerikës e më gjërë. Që në ditën e parë të shkollës numri i nxënësve ishte në nivelin e lakmueshëm, por përvoja jonë na tregon se ky numër vjen duke u rritur në ditët në vijim.
Nga të gjitha veprimtaritë tona të shumta: atdhetare, kulturore e sportive që organizon shoqata, ne gjithmonë e veçojmë funksionimin e rregullt të shkollës sonë si kryeveprimtarinë tonë. Misioni i shoqatës sonë është: ruajtja e trashëgimisë, gjuhës, traditës e kulturës sonë kombëtare. E ku ka mision më të shenjtë se kujdesi për gjuhën shqipe, ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të saj?! E kush mund ta kryejë këtë mision më mirë se shkolla shqipe?! Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur i sheh fëmijët tanë duke folur shqip, duke recituar vjersha shqip, duke kënduar shqip, duke lozur shqip! Shkolla shqipe për fëmijët tanë është një kënaqësi shpirtërore, një përvojë jetësore, ku perveç njohurive që marrin për gjuhën, letërsinë, artin, kulturën, historinë tonë, ata brumosen edhe me ndjenjat e atdhedashurisë. Njihen me figurat e ndritura të kombit tonë, me shqiptarët që kanë bërë emër në fusha të ndryshme të artit, shkencës, sportit. Të ndihen krenarë për prejardhjen e tyre, për kombin e tyre e jo të vuajnë nga kompleksi i ultësisë (inferiotetit). Se, kombi që ka dhënë Skenderbeun. Shën Nënë Terezen, Aleksandër Moisiun, Ferid Muratin, Ismail Kadarenë e shumë të tjerë, përmban në vete diçka të madhërishme. Shkollën shqipe duhet parë edhe në rolin pak më të zgjëruar, jo vetëm si mjedis ku mësohet gjuha e folur dhe e shkruar, por edhe si një vatër ku ngritet ndërrgjegjja kombëtare dhe mbillet fara e atdhedashurisë. Fëmijve tanë t’ua mbajmë të gjalle dashurinë për Shqipërinë, vendin e të parëve të tyre, vendin e tyre. Dhe një ditë, pse jo edhe ta ndihmojnë vendin e tyre. Edhe të mërguar, kur kujdesemi dhe nuk e harrojmë gjuhën tonë, traditat, vlerat tona kombëtare, atëherë na duket sikur nuk e kemi lënë atdheun prapa shpinës, por atë e kemi marrë me vete. Ndoshta kjo na ngushellon pak.
Kam lexuar diku një thënie të bukur: “Gjuhën shqipe e duam se është gjuha e zemrës, gjuhën tjetër e mësojmë se është gjuha e bukës”. Ndërsa unë do të shtoja se te dish më shumë gjuhë të tjera është kulturë, është tregues i nivelit intelektual të një njeriu. Ta ruash gjuhën tënde, ta flasësh e ta shkruash bukur, nuk është vetëm kulturë, por eshte një detyrim kombëtar, është atdhedashuri. Na duhen të dyja, edhe gjuha e zemrës edhe gjuha e bukës. Njera na siguron jetesën në vendet ku jetojmë, ndërsa gjuha shqipe na mban gjallë shpirtin, qenjen tonë shqiptare. Pra ta mësojmë e ta duam gjuhën e zemrës, elementin kryesor që e përcakton identitetin tonë kombëtar. U bëjmë thirrje të gjithë prindërve që t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollën shqipe, sepse ky është një detyrim kombëtar, se gjuha shqipe është pasuria më e madhe që ata mund t’u lënë trashëgim fëmijve të tyre. Së bashku mund të bejmë më shumë, së bashku mund t’ia arrijmë këtij qëllimi madhor kombëtar. Ejani, ne i kemi hapyr dyert! Na priftë e mbara për një vit të sukseshëm shkollor!
Philadelphia, më 11 shtator, 2022
Dr. Sadik Elshani është anëtar i kryesisë dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.