

Monda Mara/
Me emocionet e fillimit, nisëm ditën e djeshme kursin e mësimit plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare, në shkollën shqipe “Mësonjëtorja” Brescia. Të pranishëm në çeljen e vitit të ri shkollor 2023 – 2024, nxënës, prindër, mësues, të ftuar të ndryshëm, si dhe Pietro Ghetti, consigliere comunale Comune di Brescia.
Jemi të lumtur që këtë vit këtij kursi të gjuhës shqipe, por edhe njohjes së zakoneve, traditave, kulturës sonë, i shtohen nxënës të rinj, me dëshirën dhe kuriozitetin për të mësuar më tepër rreth prejardhjes së tyre shqiptare. Gjithashtu trupës sonë pedagogjike i është bashkuar edhe një mësuese e re, Matilda Troka.
Mirëseardhjen nxënësve ia uroi, koordinatori i shkollës Ahmet Bendo. Ai theksoi rëndësinë që ka gjuha shqipe në formimin e identitetit tonë kombëtar. Ndërsa mësuesit e kësaj shkolle, pasi u prezantuar përpara të pranishmëve, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit shkollë – prind, si çelës në mbarëvajtjen e këtij misioni.
Pietro Ghetti, përfaqësues i arsimit në Comune di Brescia, në përshëndetjen e tij, përgëzoi mësuesit dhe koordinatorin për përkushtimin dhe gadishmërinë për t’iu mësuar këtyre nxënësve gjuhën amtare.
Në mbyllje një nga veprimtaritë më të pëlqyera për nxënësit tonë, vallja popullore, uli siparin e kësaj ceremonie të shkurtër.
Suksese nxënësve të të gjitha shkollave shqipe në mërgim dhe u shtofshin sa më shumë këto kurse të gjuhës dhe kulturës shqiptare!