


Arbër Kapllani, drejtues i Shkollës Shqipe në Dallas-Fort Worth, Texas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e krijimit të shkollës shqipe në në Dallas-Fort Worth, Texas, angazhimin dhe kontributin në shkollën shqipe si qendër komunitare, kurrikulat mësimore, tekstet, bashkëpunimet dhe aktivitetet atdhetare e patriotiko-kulturore në dobi të ruajtjes së historisë e gjuhës shqipe si formë e identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës. Me Arbër Kapllanin bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË DALLAS, TEXAS
Shkolla Shqipe në Dallas u themelua me një mision të qartë: ruajtjen dhe përçimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar tek brezat e rinj të shqiptarëve në diasporë. Filloi si një përpjekje komunitare nga disa përfaqësues idealistë që donin të krijonin një hapësirë arsimore në gjuhën amtare. Nga klasat e improvizuara, me kalimin e viteve, shkolla është zhvilluar në një institucion funksional me strukturë të mirëorganizuar, drejtues, mësuese të kualifikuara dhe mbështetje të gjerë nga komuniteti. Sot, shkolla zhvillon mësime çdo fundjavë dhe ka pasur një rritje të qëndrueshme në numrin e nxënësve dhe përfshirjen e prindërve – dëshmi e dëshirës së madhe për të ruajtur lidhjen me rrënjët shqiptare. Aktualisht, mësimi zhvillohet në ambientet moderne të Qendrës Kulturore Shqiptaro Amerikane në Texas (AACC Texas), në një ndërtesë bashkëkohore dhe klasa të konceptuara posaçërisht për të garantuar cilësinë maksimale të mësimdhënies. Kjo ka ndihmuar që fëmijët të mësojnë në kushte të përshtatshme, me mjete didaktike bashkëkohore dhe një ambient të ngrohtë, shqiptar. Frekuentimi i Shkollës Shqipe dhe Klubit Social ofrohet falas për të gjitha familjet e komunitetit shqiptar në zonën e DFW. Të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës sonë.
KURRIKULA MËSIMORE, MËSUESIT DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT
Përdorim një kurrikulë të përshtatur për realitetin e fëmijëve dygjuhësorë që rriten në SHBA. Ajo përfshin: Abetaren dhe tekstet e miratuara nga MASR dhe MASHT, Ushtrime për lexim, shkrim dhe komunikim në shqip, Mësime për kulturën, historinë dhe traditat shqiptare, Aktivitete krijuese si recitime, këngë, valle e festime kombëtare. Mësueset tona janë profesioniste me përvojë nga Shqipëria, Kosova dhe SHBA. Ato punojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me dashuri për fëmijët. Përfshirja e prindërve është thelbësore. I inkurajojmë të flasin shqip në shtëpi, të lexojnë me fëmijët dhe të marrin pjesë aktive në jetën e shkollës. Këtë vit kemi ngritur Këshillin e Prindërve, si një strukturë e posaçme që forcon bashkëpunimin dhe komunikimin mes të gjithë përbërësve të shkollës.
SHKOLLA SHQIPE SI QENDËR KOMUNITARE QË BASHKON SHQIPTARËT
Shkolla Shqipe në Dallas ka tejkaluar rolin e saj edukativ – ajo është kthyer në një qendër komunitare ku shqiptarët ndihen të bashkuar. Ne organizojmë aktivitete kulturore, festa, panaire dhe koncerte, të cilat krijojnë hapësira për bashkëbisedim, ndarje përvojash dhe ruajtje të identitetit. Në një realitet si ai amerikan, ku integrimi ndodh natyrshëm, kjo shkollë është një mburojë identitare që e mban të gjallë përkatësinë tonë kombëtare.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË TEXAS
Gjuha është thelbi i identitetit. Kur një fëmijë shqiptar mëson gjuhën shqipe, ai nuk mëson vetëm fjalë – mëson për kulturën, historinë, heronjtë dhe rrënjët e tij. Në një shtet si Texas, ku shqiptarët janë të shpërndarë, gjuha është ajo që na bashkon e na mban të lidhur me origjinën.
SHOQËRIA AMERIKANE MIRËPRET RUAJTJEN E KULTURAVE TË NDRYSHME
Shoqëria amerikane në përgjithësi e mirëpret dhe e mbështet ruajtjen e kulturave të ndryshme. Këtë vit do të organizojmë vizita në ndërmarrje të rëndësishme industriale për nxënësit tanë – një mënyrë për të lidhur kulturën dhe edukimin me botën reale dhe për t’i frymëzuar për të ardhmen.Një partner i pazëvendësueshëm ka qenë Qendra Kulturore Shqiptaro Amerikane në Texas (AACC Texas), e cila është shoqata mëmë e shkollës. AACC Texas ka ndihmuar në çdo drejtim: me mjete financiare, literaturë, vullnetarë dhe mbështetje logjistike.
VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI
Sfida më e madhe është fakti që shumica e fëmijëve tanë janë lindur në SHBA dhe anglishtja është gjuha e tyre e parë. Shpesh e shohin shqipen si të vështirë ose të huaj. Prandaj, ne po punojmë me metoda kreative, lojëra dhe teknologji për t’i bërë orët sa më tërheqëse. Vizioni ynë për të ardhmen përfshin: Zgjerimin me klasa vallesh tradicionale dhe grupe artistike, Ofertën e mësimit të shqipes për të gjitha moshat, jo vetëm për fëmijët, Kurse të përshpejtuara të gjuhës angleze për të rriturit, për të ndihmuar familjet e reja që vijnë nga trevat shqiptare.
MËSIMI SHQIP DHE EFEKTI NË RRITJEN E PATRIOTIZMIT
Kur fëmijët mësojnë shqip, ata ndjejnë krenari për origjinën e tyre. Ata fillojnë të kuptojnë këngët, tregimet, historinë dhe sakrificat e popullit të tyre. Kjo nuk është thjesht mësim gjuhësor – është mësim për kombin, për flamurin, për Skënderbeun, për Nënë Terezën. Rritet ndjenja e përgjegjësisë për të ruajtur trashëgiminë.
KUSH ËSHTË ARBËR KAPLLANI?
Kam lindur në Berat, Shqipëri, dhe aktualisht jetoj prej tetë vitesh në SHBA. Kjo është përvoja ime e dytë me emigracionin – kam jetuar edhe më herët jashtë vendit, si shumë familje shqiptare gjatë viteve të tranzicionit. Kam ndjekur studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe në Fakultetin e Drejtësisë. Aktualisht punoj në një kompani të ndërtimit të Data Centers, ku jam i përfshirë në planifikim strategjik dhe menaxhim të përmirësimit të vazhdueshëm të proceseve. Prej dy vitesh kam marrë përgjegjësinë si drejtues i Shkollës Shqipe në Dallas-Fort Worth. Historia dhe gjeografia janë ndër pasionet e mia më të mëdha, dhe kur kombinohen me ndjenjën e lartë të atdhedashurisë, angazhimi në komunitet bëhet një kënaqësi e veçantë.