Iliaz Bobaj drejtor i Shkollës Shqipe në Patra, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, funksionimin e mësimit shqip në Patra të Greqisë, sfidën për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Greqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe dhe projektet në të ardhmen e shkollës shqipe në Patra të Greqisë. Me Iliaz Bobaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
SHKOLLA SHQIPE NË PATRA
Shkolla shqipe ‟Naim Frashëri”, në qytetin e Patrës, Greqi, u themelua dhe çeli dyert e saj para 13 vjetësh. Ajo u hap për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të ardhur pas vitit 1990 në Greqi, por jo vetëm për ata. Në shkollën tonë mësojnë shqip edhe disa fëmijë grekë, madje edhe vendas të rritur dhe kushdo që dëshiron të mësojë gjuhën shqipe. Themelimi i saj nis në vitin 2008, kur një grup mësuesish( Iliaz Bobaj, Kristiana Veliu dhe Liri Shehu), pas disa viteve përpjekjesh, mundëm ta hapnim për herë të parë shkollën shqipe në këtë qytet. Patëm ndihmë vetëm nga një organizatë joqeveritare(‟Lëvizja”), e cila, me dashamirësi, na vuri në dispozicion mjediset e saj, ku zhvilluam mësimin dy vitet e parë. Ishte një mrekulli hapja e kësaj shkolle, tërësisht me forcat tona dhe me përkushtimin tonë. Më vonë grupit tonë të vogël të mësuesve iu bashkua edhe Anjeza Cuku Domi dhe më pas edhe disa mësues të tjerë. Natyrisht patëm edhe përkrahjen e shumë prindërve, të cilët nuk e besonin se mund të hapej dhe të funksiononte një shkollë e tillë. Por ne vetëm se e forcuam shkollën tonë, duke bërë gjithçka në mënyrë vullnetare. Nxënësit tanë të parë, erdhën të etur për të mësuar gjuhën e tyre, gjuhën tonë të bukur. Në 13 vitet e funksionimit të saj, në bankat e shkollës sonë kanë kaluar qindra e qindra nxënës. Sot shkolla jonë është jo vetëm shkolla shqipe më e madhe në Greqi, por edhe një nga shkollat më të mëdha dhe më të konsoliduara të diasporës shqiptare. Madje edhe e vlerësuar nga disa organizma shtetërore dhe joshtetërore. Me siguri, sfidat e së ardhmes do të jenë edhe më të mëdha se ato të fillimit dhe ecurisë së saj. Por një gjë mund ta them me bindje: ajo do të vijojë të forcohet dhe të konsolidohet më tej.
ORGANIZIMI I MËSIMIT, TRADITA DHE HSTORIA E SHKOLLAVE SHQIPE NË GREQI
Shkolla e parë shqipe në Greqi, pas vitit 1990, u hap në Selanik, në vitin 2001. Ishte mësuesja e palodhur Mimoza Dako, e cila dha shembullin e saj e para dhe me shumë sakrifica, hapi shkollën e parë, duke u bërë edhe pararendësja e këtyre shkollave, të cilat më pas, do të shtoheshin së tepërmi dhe do të bashkëpunonin, duke u formuar edhe ligjërisht Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Por, sidoqoftë, nuk është organizimi i kësaj lidhjeje që diktoi punën, por individët e palodhur dhe të përkushtuar për mësimin e gjuhës sonë amtare. Ata kanë qenë dhe mbeten shtyllat e këtyre shkollave. Më vonë u hapën shkolla shqipe në Korinth, në Athinë, në Patra, në Kretë, në Kallabakë, në ishuj, etj. Këto shkolla nuk gjetën ndonjë traditë, por e formuan dhe e fituan vetë atë, si domosdoshmëri për ecurinë e tyre. Por jo gjithçka ka shkuar pa probleme. Këta dy vitet e fundit, për shkak edhe të pandemisë, por jo vetëm asaj, numri i nxënësve në disa shkolla është pakësuar së tepërmi, duke mbetur me 3-5-7 nxënës, disa me 10-15 nxënës dhe ç’është më e keqja disa shkolla shqipe edhe janë mbyllur. Dhe askush nuk e di, nëse do të gjenden mundësitë e rihapjes së tyre, apo do të mbyllen përgjithmonë, gjë që do të ishte një humbje e madhe për to dhe për mbajtjen gjallë të gjuhës sonë amtare. Kjo kërkon një mobilizim dhe përkushtim shumë më të madh të mësuesve, një bashkëpunim më të frytshëm me prindërit, me organet vendore dhe me shkollat e tjera dhe mbi të gjitha me shtetin shqiptar.
GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR
Dy janë ‘’shtyllat’’, ku mbështetet identiteti kombëtar i një kombi: gjuha dhe historia e kultura kombëtare. Por edhe historia dhe kultura kombëtare mbështetet mbi gjuhën, kështu që gjuha del primare në shprehjen e identitetit kombëtar. Këtu qëndron edhe rëndësia dhe vlera e saj e pazëvendësueshme. Këtë identitet kërkojmë të ruajmë tek brezat e ardhshëm, që ata të mos asimilohen, por të ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Në këtë pikë roli i shkollës shqipe është i pazëvendësueshëm dhe ne mundohem ta mbajmë atë të gjallë, të fuqishme. Por ne bëjmë aq sa mundemi. Megjithatë, edhe pse shkolla jonë është shkolla më e madhe dhe më e konsoliduar, numri i fëmijëve që ndjekin shkollën tonë, në raport me numrin e fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Patra dhe në rrethinat e saj, është ende mjaft i ulët. Por jo gjithçka është në dorën tonë. Ne ofrojmë gjithçka pa shpërblim dhe asnjë fëmijë nuk paguan asnjë cent për mësimin e gjuhës shqipe. Shteti ynë ka qenë tepër indiferent, tepër i vonuar në këtë çështje madhore. Për vite dhe dekada, ai nuk është bërë i gjallë. Vetëm vitet e fundit ka filluar të sjellë tekste mësimore dhe organizon një seminar vjetor, por jo me ndonjë veçanti, ashtu, sa për t’u grumbulluar mësuesit e diasporës. Veç kësaj, edhe pse marrëdhëniet shtetërore me Greqinë janë përmirësuar dhe janë mjaft normale, shteti ynë nuk ka bërë asnjë marrëveshje me shtetin grek, që mësimi shqip të zhvillohet në mjediset e shkollave publike greke. Edhe aty ku është arritur kjo gjë, është realizuar nga vetë mësuesit, pa ndihmën e shtetit tonë. Shteti ynë nuk ka bërë asnjë përpjekje edhe për të paguar mësuesit, të cilët vazhdojnë të punojnë falas në shkollat tona.
BASHKËPUNIMI PRINDËR – NXËNËS – MËSUES DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE
Ky është çelësi i suksesit tonë. Madje në këtë bashkëpunim, ne kemi edhe dy hallka të tjera shumë të fuqishme: shoqatën e shqiptarëve të Patrës ‘’Emigranti’’, me të cilën punojmë dhe organizojmë në sinkronizim të plotë dhe bashkëpunimin e bashkërendimin e punës sonë me organet shtetërore vendore, por edhe qendrore në shtetin helen. Siç iu thashë edhe pak më lart, shkolla jonë është mjaft e organizuar dhe ka fituar një përvojë të madhe gjatë këtyre 13 viteve të funksionimit të saj. Stafi pedagogjik është i konsoliduar. Ne bashkëpunojmë me të gjitha familjet shqiptare të zonës, për të tërhequr kontigjentin e fëmijëve shqiptarë pranë shkollës sonë dhe kjo na ka dhënë shumë rezultat. Por duhet të jesh shumë këmbëngulës, pasi ka shumë prindër indiferentë ndaj fëmijëve të tyre. Madje ka edhe fëmijë shqiptarë që nuk flasin fare shqip. Në këto kushte ne bëjmë aq sa mundemi, por kurrsesi nuk rrimë duarkryq. Për të na ndihmuar në punën tonë, ne jemi e vetmja shkollë, që organizojmë çdo vit këshillin e prindërve të shkollës. Por pika jonë më e fuqishme, është bashkëpunimi me organet vendore të pushtetit lokal por edhe qëndror. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkinë e Patrës, me Këshillin Bashkiak dhe me Drejtorinë e Arsimit. Falë këtij bashkëpunimi, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit në Patrës, ne na vihen në dispozicion çdo vit dy shkolla publike greke, për mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë mënyrë, kushtet e zhvillimit të mësimit të gjuhës shqipe në shkollën tonë, janë të njëjta me ato të nxënësve vendas. Falë gjithë këtij organizimi dhe bashkëpunimi, ne organizojmë edhe shumë aktivitete me shkollën tonë, si: ekskursione në Shqipëri, Kosovë, në mjediset e kulturës greke dhe vende të tjera, organizojmë festën e çeljes së vitit shkollor, festën e Vitit të Ri, festën e Abetares, Festën e Flamurit, festën e mbylljes së vitit mësimor, etj. Përsa i përket ardhmërisë së shkollës sonë, ju them me bindje se ajo është e sigurtë dhe se shkolla jonë do të vijë duke u forcuar. Ne jemi shumë optimistë dhe këtë optimizëm e mbështetim në punën tonë të palodhur.
SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË
Natyrshëm që pandemia edhe tek ne solli shumë probleme, por ne u organizuam menjëherë, falë edhe teknologjisë dhe nuk e ndërpremë asnjë orë mësimin online. Edhe pse ishim pak skeptikë në fillim, ia dolëm mbanë. Madje, numri i nxënësve, sidomos në klasat e para, erdhi duke u shtuar dhe provimet vjetore, të cilat ne i bëjmë çdo vit, na befasuan me rezultatet e tyre aq të mira dhe optimiste. Problemi i dygjuhësisë, nuk është aspak problem për mësimin e gjuhës amtare. Aspak. Përvoja jonë ka treguar se nxënësit shqiptarë e mësojnë gjuhën tonë amtare veçanërisht mirë, pavarësisht gjuhës tjetër. Kuptohet, nuk mungojnë vështirësitë, sidomos ato të shqiptimit të saj, por gjithsesi ato janë plotësisht të kapërcyeshme.
MESAZHI PËR ‟VATRËN”, ‟DIELLIN” DHE DISAPORËN SHQIPTARE NË USA.
Para se t’iu përshëndes, do të ndaloj pak këtu, pasi do t’iu sjell diçka të veçantë, që më lidh me ju. Xhaxhai im, Iliaz Bobaj(i parë), i njohur në SHBA me emrin Elias Lazarati, emigrant në SHBA që në vitin 1916 dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, ka qenë anëtar i ‟Vatrës”, të cilën e ka dashur dhe e ka çmuar si pak kush. Gjatë kësaj periudhe (1916- 1928), ai ka shkruar shumë artikuj patriotikë tek ‟Vatra” e tij e dashur, tek ‟Vatra” jonë e dashur. Para një viti kam botuar në Shqipëri edhe monografinë për të dhe i kam thënë me hollësi këto fakte, duke e përmendur shumë herë ‟Vatrën”. Ai është bërë anëtar i ‟Vatrës” menjëherë pas ardhjes në Amerikë si emigrant, në vitin 1916 dhe ka qenë në sektorin e pritjes dhe përcjelljes së emigrantëve shqiptarë, që emigranin në SHBA. Mik dhe bashkëpunëtor me Fan Nolin, Sotir Pecin, Mihal Gramenon, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazin, Veli Hashorvën, me Frashërllinjtë e emigruar në Amerikë, Kristo Dakon, etj, ai ishte dhe mbeti një anëtar i denjë dhe adhuruas i flaktë i ‟Vatrës”, derisa vdiq në vendlindje në moshën 33 vjeçare. Më tej, ju e kuptoni, që ne jemi rritur duke e patur ‟Vatrën” e Amerikës në shtëpinë tonë, në familjes tonë, në shpirtin tonë. Kësisoj ‟Vatra” juaj është dhe do të mbetet edhe vatra jonë dhe ‟Dielli” juaj do të mbetet një dritë për ne. Me aq sa kam lexuar dhe kam dëgjuar në shtëpinë tonë për ‟Vatrën” dhe ‟Diellin”, ato janë pjesë e historisë së diasporës shqiptare në Amerikë, por edhe pjesë e historisë së familjes sonë atdhetare. Tani urimi im për ‟Vatrën” dhe ‟Diellin” është një urim tejet i përzemërt: ‟Vatra” juaj dhe e jonë, qoftë përherë e ndezur për shqiptarët e Amerikës dhe për kombin shqiptar! ‘’Dielli’’ qoftë përherë plot dritë për shqiptarët e Amerikës dhe për kombin tonë fisnik! Sa herë kujtoj ‘’Vatrën’’, më vijnë ndërmend vargjet e Nolit tonë të madh: ‟Mbahu Nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Qofshi përherë pranë Nënës sonë të dashur Shqipëri, ju bijtë e denjë të ‟Vatrës”!
KUSH ËSHTË PROFESOR ILIAZ BOBAJ
U linda në Lazarat të Gjirokastrës, në një familje me tradita atdhetare dhe kulturore, ku mora gjithçka të bukur që kishte vendlindja ime, sidomos frymën e bukur atdhetare, traditën e bukur dhe të papërsëritshme të atij fshati unikal, frymën e lirisë. U rrita dhe u shkollova në qytetin e Delvinës. Kam kryer studimet e larta për matematikë dhe fizikë. Por gjithë jetën, krahas punës si mësues, jam marrë me atë që më ka pushtuar shpirtin që në moshë të njomë, me letërsinë. Jam autor i 32 librave me fabula, poezi, tregime, tregime satirike, fjalë të urta, epigrame, ese, letërsi për fëmijë. Po ashtu jam autor i 28 përkthimeve nga autorë të mëdhenj botërorë( midis tyre edhe nobelistë), në shqip, por edhe nga shqipja në gjuhë të huaja. Jam anëtar i shumë organizmave letrare botërorë dhe fitues i shumë çmimeve, në atdhe, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Greqi, në Europë dhe në botë. Edhe diçka tjetër që më lidh me Amerikën: jam anëtar i Akademisë Shqiptaro – Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, të drejtuar nga profesori i nderuar, z. Skënder Kodra. Gjithsesi, gjatë këtyre viteve që jetoj si emigrant në Greqi, shkolla shqipe në Patra, mbetet ‟dobësia” ime dhe frymëzimi im. Duke e mbyllur këtë intervistë të bukur, doja t’iu falënderoja përzemërsisht dhe t’iu uroja çdo të mirë, çdo sukses. Qoftë e bekuar ‟Vatra” e Amerikës!