


Pranvera Laçi, themeluesja dhe drejtoresha e shkollës shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool, në Britaninë e Madhe, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Liverpool, në Britaninë e Madhe, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me themeluesen dhe drejtoreshën e shkollës shqipe “Pjetër Budi” Pranvera Laçi bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIA E SHKOLLËS SHQIPE “PJETËR BUDI” NË LIVERPOOL
Shkolla Shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool është një projekt i veçantë dhe i rëndësishem për komunitetin shqiptar. Ajo u themelua me qellimin për t’iu ofruar fëmijëve shqiptarë mundësinë të mësojnë gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare, duke ruajtur kështu identitetin e tyre kombëtar. Hapat e parë për hapjen e shkollës nisën më 1 qershor 2024, me një projekt pilot 6 javor, një date simbolike e zgjedhur për të përkuar me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Kjo ishte një mënyrë për të festuar këtë ditë me fëmijët dhe të drejtën e çdo fëmije për arsim dhe kulturë. Kjo ditë shënoi një moment të rëndësishëm, pasi për herë të parë në Liverpool, fëmijët shqiptarë dhe familjet e tyre patën një hapësirë të dedikuar për të mësuar gjuhen shqipe dhe për t’u lidhur me trashëgimine e tyre. Pas një përgatitjeje intensive dhe një pune të palodhur nga mësuesit, vullnetarët dhe prindërit, shkolla u hap zyrtarisht me 7 shtator 2024. Në hapjen zyrtare të shkollës sonë kishim të pranishem kryetarin e Bashkisë së Liverpulit, Ambasadorin e Shqiperise z.Uran Ferizi dhe zj. Ardjana Gjoni themeluese e shkolles shqipe “Bright Eagles” në Birmingham. Për herë të parë fëmijët tanë u pajisen me librat të dhuruara nga Ambasada e Shqipërisë të cilës i jemi mirënjohës për mbështetjen që ka treguar për komunitetin tonë në Liverpul.
ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP
Mësimi organizohet çdo të shtunë ora 13:00-15:00, për fëmijët nga mosha 5 deri në 15 vjeç. duke përfshirë lënde si Gjuha shqipe, historia, kultura, valle tradicionale dhe aktivitete kreative me temë kulturore. Një nga aspektet më të rëndësishme të shkollës është festimi i festave kombëtare, të cilat shërbejnë si momente të veçanta për të forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe për të edukuar fëmijët mbi historinë dhe vlerat e kombit shqiptar. Për herë të parë në Liverpool, shkolla organizoi një festë madhështore për 28-29 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit të Shqipërisë. Ky ishte një moment historik, pasi komuniteti shqiptar u mblodh për herë të parë për të përkujtuar këto ngjarje të rëndësishme me këngë, valle, poezi dhe aktivitete artistike nga fëmijët. Ishte një emocion i veçantë të shihje brezin e ri të angazhuar me historinë dhe kulturën e tyre. Një tjetër moment historik për shkollën ishte organizimi i festës për Pavarësinë e Kosovës. Ishte eventi me i madh i organizuar për herë të parë nga komuniteti shqiptar në Liverpool. Ate ditë u bënë bashkë më shumë se 100 prindër, fëmijë. Na nderuan me pjesëmarrjen kryetari i bashkisë së Liverpulit, Ambasadori i Kosovës, Ambasadori i Shqipërisë, dhe përfaqësuese të organizatave shqiptare në Angli.
SHKOLLA SHQIPE “PJETËR BUDI” DHE AKTIVITETET KOMBËTARE
Shkolla Shqipe “Pjetër Budi” është më shumë se një institucion arsimor; një vend ku fëmijët mësojnë, luajnë dhe ndihen krenarë për origjinën e tyre. Ky projekt ka fituar mbështetjen e madhe të prindërve, të cilët sakrifikojnë çdo të shtunë për të sjellë fëmijët e tyre, disa duke udhëtuar nga larg si Chester dhe North Ëales. Me mbështetjen e komunitetit, synimi është që shkolla të zgjerohet dhe të vazhdojë të rritet, duke sjellë më shumë aktivitete dhe festa që forcojnë lidhjen mes fëmijëve dhe trashëgimisë së tyre shqiptare. Në Shkollën Shqipe “Pjetër Budi”, ne ndjekim një kurrikulë të përshtatur për fëmijët e diasporës, duke u bazuar në modelet e mësimdhënies së gjuhës shqipe si gjuhë e dytë. Konkretisht në bazë të njohurive gjuhësore të fëmijëve ne punojmë me Abetaren dhe paketen e Librave te Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare niveli 1 të botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Qëllimi kryesor është që fëmijët të zhvillojnë aftësitë bazë në të folur, të lexuar dhe të shkruar në shqip, si dhe të njihen me historinë dhe kulturën shqiptare. Falë profesionalizmit të mësuesve tanë dhe punës së palodhur, ora mësimore planifikohet në përputhje me nivelin gjuhësor të fëmijëve në mënyrë që të jetë e lehtë për t’u ndjekur dhe kuptuar nga ata. Mësimi përfshin ushtrime për shqiptimin dhe fjalorin baze për fëmijët fillestarë, leximi i tekteve të thjeshta dhe përpunimi i tyre për nivelin më të avancuar, shkrimi i fjalëve dhe fjalive të thjeshta për të nxitur komunikimin me shkrim. Dialoge praktike për të ndihmuar fëmijët të përdorin shqipen në jetën e përditshme. Njohja me figurat dhe ngjarjet historike, mësimi i valleve tradicionale etj. Suksesi i shkollës sonë nuk varet vetëm nga mësuesit, por edhe nga angazhimi i prindërve dhe komunitetit. Prindërit janë pjese kyçe e këtij rrugëtimi, dhe ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë të punojnë me femijët e tyre edhe jashtë orëve mësimore.
SHKOLLA SHQIPE “PJETËR BUDI” ËSHTË NJË PROJEKT I NDËRTUAR ME DASHURI DHE PËRKUSHTIM
Shkolla Shqipe “Pjetër Budi” është një projekt i ndërtuar me dashuri dhe përkushtim, por që kërkon mbështetjen e të gjithë komunitetit për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar më tej. Femijët tanë janë e ardhmja jonë dhe ne kemi përgjegjësinë që t’u japim atyre mjetet e duhura për të ruajtur dhe forcuar gjuhën dhe kulturën tonë. Ju ftojmë të bëheni pjesë e kësaj nisme, të kontribuoni me ndihmën tuaj, qoftë përmes pjesëmarrjes, vullnetarizmit apo mbështetjes morale dhe materiale. Së bashku mund të krijojmë një themel të fortë për gjeneratat e ardhshme shqiptare në diasporë!
GJUHA ËSHTË SHTYLLA KRYESORE E IDENTITETIT KOMBËTAR
Gjuha është shtylla kryesore e identitetit kombëtar. Për shqiptarët që jetojnë në diasporë, veçanërisht për komunitetin në Liverpool, ruajtja e gjuhës shqipe është një sfidë e madhe, por edhe një detyrë e rëndësishme për të ruajtur lidhjen me rrënjët tona. Në këtë kontekst, Shkolla Shqipe “Pjetër Budi” luan një rol jetik në edukimin e brezave të rinj dhe në forcimin e ndjenjës së përkatësisë kombëtare. Mësimi i shqipes nuk është vetëm një proces arsimor, por edhe një mënyrë për të mbajtur gjallë historinë, traditat dhe kulturën tonë. Fëmijët që mësojnë shqip jo vetëm që mund të komunikojnë me familjet e tyre në vendlindje, por gjithashtu zhvillojnë një ndjenjë krenarie për origjinën e tyre. Shpesh, fëmijët e lindur jashtë Shaipërisë dhe Kosovës kanë më pak ekspozim ndaj gjuhës amtare dhe rrezikojnë ta humbasin atë. Prandaj, Shkolla Shqipe “Pjeter Budi” ka një mision të qartë: të ndihmojë fëmijët të mësojnë, të flasin dhe të shkruajnë shqip në mënyrë që identiteti i tyre të mos zbehet me kalimin e kohës.
MËSIMI I SHQIPES SHIHET SI NJË PASURI QË NDIHMON NË RUAJTJEN E IDENTITETIT DHE DIVERSITETIT GJUHËSOR
Në një qytet multikulturor si Liverpool, mësimi i shqipes shihet si një pasuri që ndihmon në ruajtjen e identitetit dhe diversitetit gjuhësor. Shoqëria angleze është përgjithësisht e hapur ndaj shkollave komunitare, duke i parë ato si një mundësi për fëmijët që të rriten me dy gjuhë dhe të njohin trashëgiminë e tyre. Në këtë rrugëtim kemi patur mbështetje nga kryetari i bashkisë së Liverpulit si edhe nga Ambasada e Shqipërisë dhe e Kosovës duke marrë pjesë në eventet që kemi organizuar duke filluar me hapjen zyrtare të shkollës dhe me rastin e Pavarësisë së Kosovës ku mbajtëm një koncert festiv, si dhe na kanë dhuruar librat kaq të nevojshëm për mbarëvajtjen e orës mësimore dhe ju jemi mirënjohës për këtë. Në koncertin festiv që organizuam për Pavarësinë e Kosovës, kemi pasur kënaqësinë të mirëpresim edhe autoren e librave dy-gjuhësh për fëmijë znj. Merita Isufi, e cila ka kontribuar në mënyrë domethënëse në promovimin e leximit dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Me këtë rast, ajo dhuroi për shkollën tonë dy librat e saj dygjuhësh, “Dea fillon shkollen” dhe “ Eja Dea” duke pasuruar bibliotekën tonë dhe duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për nxënësit që të mësojnë shqipen përmes leximit. Ky gjest jo vetëm që ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësitë gjuhësore, por edhe forcon lidhjen e tyre me kulturën dhe identitetin shqiptar.
MIRËNJOHJE PËR MBËSHTETËSIT
Gjithashtu, kemi pasur mbështetjen e zj. Ardjana Gjoni, themeluese e shkollës shqipe “Bright Eagles” në Birmingham, e cila që nga dita e parë ka vënë në dispozicion përvojën dhe ekspertizën e saj për të kontribuar në zhvillimin e shkollës sonë. Zj Gjoni ka qenë e pranishme në të gjitha aktivitetet tona, duke demonstruar një mbështetje të pakushtëzuar dhe një angazhim të vazhdueshëm në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë. Bashkëpunimi mes shkollave shqipe jashtë atdheut luan një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes komuniteteve dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në mësimdhënie. Kjo ndihmon jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së edukimit, por edhe në ruajtjen dhe transmetimin e trashëgimisë sonë kulturore te brezat e rinj, duke forcuar identitetin kombëtar dhe ndjenjën e përkatësisë ndaj rrënjëve tona.
SHKOLLA SHQIPE “PJETËR BUDI” DHE NEVOJA PËR MBËSHTETJE NGA KOMUNITETI
Shkolla Shqipe “Pjetër Budi” u themelua si një iniciative personale, e financuar fillimisht nga shpenzimet e familjes sime. Sot, shkolla mbahet falë kontributit të prindërve, të cilët paguajnë një tarifë modeste për të mbuluar shpenzimet bazë. Një thirrje për bashkëpunim për të siguruar vazhdimësinë e shkollës dhe për ta forcuar atë, nevojitet një angazhim më i madh nga komuniteti shqiptar. Mësimi i shqipes është një përgjegjësi e përbashkët, dhe çdo ndihmë, qoftë financiare apo logjistike, do të ndihmonte në rritjen dhe zgjerimin e kësaj shkolle. Ruajtja e gjuhës është ruajtja e identitetit! Le të punojmë së bashku për të mbajtur shqipen gjallë për brezat e ardhshëm! Mësimi në shkollën Shqipe “Pjetër Budi” zhvillohet në mënyrë efektive falë dy mësueseve tona profesioniste, Pranvera Laçi dhe Shkurte Xhafa të kualifikuara dhe me përvojë, të cilat përdorin metoda bashkëkohore për të ndihmuar fëmijët të mësojnë shqip. Teknologjia luan një rol te rëndësishem në këtë proces, monitorët ndihmojnë në përvetësimin e gjuhës në mënyre interaktive dhe tërheqëse. Video, këngë dhe lojëra gjuhësore bëjnë që fëmijët të mësojnë shqip në një mjedis argëtues dhe të natyrshëm. Një kontribut të madh për shkollën tonë kanë dhënë edhe vullnetaret e përkushtuara Edlira Bunga dhe Arjola Fera të cilat japin ndihmën e tyre çdo javë gjatë orës së mësimit si dhe me Organizimin e eventeve.
PUNA E SHKËLQYER ME FËMIJËT SHQIPTARË
Megjithatë, fëmijët e lindur në diasporë përballen me sfida të ndryshme, si dominimi i anglishtes, përzierja e gjuhëve dhe mungesa e praktikës në shtëpi. Për këtë arsye, angazhimi i prindërve është thelbësor për të forcuar gjuhën shqipe dhe për ta ruajtur atë për brezat e ardhshëm. Për të përforcuar më tej këtë synim ne po krijojmë një mini-bibliotekë me libra kryesisht dy gjuhësh ku fëmijët mund ti lexojnë në shtëpi me ndihmën e prindërve. Aktivitetet kulturore, festimet e datave historike dhe këngët e vallet tradicionale i ndihmojnë ata të lidhen më shumë me vendin e tyre të origjinës. Përfshirja në këto aktivitete ka bërë që shumë fëmijë të tregojnë më shumë interes për gjuhën dhe kulturën shiptare, duke e përdorur shqipen me shpesh edhe jashtë shkollës. Ky proces jo vetëm që ndihmon në ruajjen e identitetit kombëtar, por edhe forcon lidhjen e brezave të rinj me atdheun e tyre.
KUSH ËSHTË THEMELUESJA E SHKOLLES SHQIPE “PJETER BUDI” PRANVERA LAÇI?
Themeluesja e shkolles shqipe “Pjeter Budi” në Liverpool. Kam mbaruar studimet e larta për mësuesi në degën Biologji – Kimi në Shqipëri si dhe kam punuar si mësuese prej disa vitesh në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm. Prej 13 vitesh jetoj në Liverpool, një qytet që më ka dhënë mundësinë të zhvillohem profesionalisht dhe të ndjekë pasionet e mia. Gjatë kësaj kohe, kam përmiresuar gjuhën angleze në Liverpool në International Language Academy (LILA) dhe kam kryer kualifikime të ndryshme, përfshirë “Ndihmës Mësuese Niveli 3” në kolegjin Stonebridge. Ndërkohë që rrisja fëmijët, investova në zhvillimin tim profesional përmes trajnimeve dhe seminareve të ndryshme dhe punës vullnetare në disa shkolla të Liverpool. Pasioni im për objektet antike dhe vintage u shndërrua nga një hobi në një profesion me kohë të plotë. Sot, menaxhoj një biznes të dedikuar për mobilie dhe objekte me histori, duke sjellë në jetë copëza të së shkuarës me një prekje unike dhe autentike. Për mua, çdo objekt ka një histori për të treguar, dhe më pëlqen të ndihmoj njerëzit të gjejnë pjesën e duhur që pasuron hapësirat e tyre.