
– Veprimtaria Festive u zhvillua me moton: “Mësuesi- simbol i diturisë, Nëna- simbol i dashurisë”…./

NGA PIRO POLOSKA*/

Ditën e Shtunë, 7 Mars 2020, trupa pedagogjike e shkollës shqipe”VATRA” në bashkëpunim me kryesinë e degës së federatës “Vatra” në Tampa Bay, organizuan një festim tepër mbresëlënës në nderim të festave të 7-8 Marsit. Gjithë aktiviteti u zhvillua me moton: “Mësuesi- simbol i diturisë, Nëna- simbol i dashurisë”. Ky aktivitet ishte një nderim dhe mirënjohje ndaj punës dhe dashurisë së mësuesve dhe nënave.

Aktiviteti filloi më Himnin Kombëtar Shqiptar të kënduar nga kori i fëmijëve të shkollës dhe shoqëruar nga gjithë të pranishmit, prindërit pjesëmarrës dhe pjestarë të degës së federatës “Vatra”. Më pas drejtoresha e shkollës Znj. Meri Kodra ftoi kryetarin e degës së Federatës “Vatra” Z Tasim Ruko që me fjalimin e tij përshëndeti të gjithë pjesëmarësit dhe në vecanti trupën pedagogjike të shkollës dhe nënat pjesëmarëse duke ju uruar atyre festat e 7 dhe 8 Marsit. Z Tasim nuk mungoi të sillte para pjesëmarësve disa prej aritjeve më të spikatura të aresimit shqiptar ndër shekuj.

Më pas fjalën e mori pjesëtarja e grupit pedagogjik, mësuesja Gitjana Gjyshi e cila në fjalimin e saj, që u duartrokit shpesh nga të pranishmit, ravijëzoi përpjekjet dhe sakrificat e pionierëve të arsimit shqiptar në shekuj dhe solli aspekte nga përvoja e saj e gjatë personale në fushën e edukimit duke i dhënë një emocion tepër të ngrohtë dhe të sinqertë kësaj feste.

Më pas festa vazhdoi me programin a përgatitur nga grupi artistik I fëmijëve “Vatra”. Nëpërmjet këngëve dhe recitimeve fëmijët shprehën nderimin dhe dashurinë e tyre të madhe për nënat dhe mësuesit. Programi ishte përgatitur me kujdes nga udhëheqësi artistik, mjeshtëri Armand Zacelici.

Pas koncertit të fëmijëve u servir një banket i përgatitur me sponsorizimin e disa prej anëtarëve të kryesisë së degës , zotërinjëve: Isuf Spahija, Endri Filipi, Piro Poloska, Restorantit Brother’s Piza, dhe Znj. Eva Keta. Këngëtari i komunitetit tonë Z Tomi Filipi vazhdoi programin me disa nga këngët më të bukura të repertorit dhe muzikës shqiptare ku të gjithë pjesëmarrsit së bashku vallëzuan dhe hodhën valle në një atmosferë tepër festive.
Aktiviteti I shërbeu qëllimit të organizimit dhe shënoi një sukses tjetër në punën a degës dhe programit të saj për punën me komunitetin shqiptar në Tampa Bay.
* Piro Poloska- Anëtar i kryesisë së degës së Federatës “Vatra” Tampa Bay.