Dr. Nikollë Loka/
Përpjekjet e individëve amerikanë në fushën e arsimit në arsimin shqiptar, në dekadën e parë të shekullit të 20-të u pasuan nga aktivitete më të institucionalizuara dhe më të organizuara pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Një ekip prej 60 personash nga Kryqi i Kuq Rinor Amerikan (AYRC) erdhi në Shqipëri në shkurt të vitit 1919. Ky ekip hapi spitale, ambulanca anti-TBC dhe kundër malaries në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Durrës e gjetkë, edukoi nënat shqiptare me norma higjienike, mblodhi fëmijë jetimë nga rruga dhe i vendosi në qendra të veçanta, të cilat më vonë u kthyen në strehimore shtetërore. Por, mbi të gjitha, Kryqi i Kuq Rinor Amerikan kishte një rol unik në arsimin shqiptar. Në shtator të vitit 1919, drejtuesit e Kryqit të Kuq Rinor Amerikan në Uashington dërguan përfaqësuesin e tyre O. M. Salisbury në Shqipëri, për të vëzhguar nevojat urgjente të vendit. Gjatë vizitës, Salisbury vuri në dukje mungesën e shkollave dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve për arsim. Ai rekomandoi menjëherë sigurimin e bursave për të rinjtë shqiptarë që dëshironin të studionin në kolegjet amerikane në Stamboll, si dhe sugjeroi hapjen e shkollave të mesme bujqësore dhe profesionale në Shqipëri.
Rrjedhimisht, me ndihmën financiare të AYRC dhe nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, në korrik të vitit 1921 hapi dyert shkolla e parë profesionale, Shkolla Teknike Amerikane. Fillimisht drejtor i shkollës ishte profesor Ch. A. Hollingshead. Më pas drejtor shkolle u bë Harry Fultz.
Harry Fultz, ky bir fermeri, u nis me një avullore më 23 shtator 1922, për të ardhur në një vend të Ballkanit që deri atëherë nuk ia kishte dëgjuar as emrin, pa e menduar se në këtë vend, ai për 11 vjet, jo thjeshtë do të drejtonte një shkollë teknike, por do bënte një histori. Për 11 vjet familje për Harry Fultz u bë shkolla, nxënësit dhe mësuesit dhe atdhe i dytë u bë Shqipëria, ndërsa ideal i tij zhvillimi i arsimit teknik në Shqipëri. Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 1933, kur qeveria e Mbretit Zog I të Shqipërisë shtetëzoi të gjitha shkollat e huaja në vend.
Filozofia mbizotëruese e shkollës ishte se nxënësi duhet të jetë qytetar i lirë, duhet të mësojë vetë dhe duhet t’i bëjë gjërat në përputhje me rregullat dhe zakonet e vendit të tij. Puna në
Shkollën Teknike “Harry Fultz” bazohej në pragmatizmin amerikan dhe funksiononte në bazë të shprehjes latine “decendo discimus” (të mësuarit duke bërë). Anglishtja ishte gjuha e parë e huaj në këtë shkollë dhe mësohej një orë çdo ditë. E njëjta gjë ishte edhe për gjuhën shqipe. Ndërsa në vitin e katërt dhe të pestë mësohej gjermanishtja dhe italishtja nga pesë orë në javë. Shkolla kishte një orientim praktik dhe synimi i saj ishte nxjerrja e specialistëve të aftë. Synimi ishte shndërrimi i saj në një institucion të veçantë, i cili do të zhvillonte industrinë dhe kulturën shqiptare. Motoja e shkollës ishte “shërbimi dhe miqësia”.
Tarifa e shkollës për një vit shkollor ishte 25 napoleona dhe mbulonte strehën e akomodimin. Stafi mësimor përbëhej nga mësues shqiptarë dhe amerikanë, të cilët u trajnuan në shkollat amerikane në SHBA, Maltë, Turqi, Austri, Hungari dhe Itali. Nga viti 1921 deri në vitin 1933 shkolla financohet nga Kryqi i Kuq Rinor Amerikan, ndërsa grante të vogla udhanë nga qeveria shqiptare dhe u nxorën të ardhura edhe nga aktivitetet e veta tregtare.
Në këtë shkollë nxënësit trajtoheshin të gjithë në mënyrë të barabartë. Pikëpamja e zotit Hollingshead për një mësues ishte se ai “duhet të jetë një mik, një udhëheqës i mirë, një këshilltar dhe një nxënës vetë”. Aplikantët për t’u pranuar në shkollë u përzgjodhën midis moshës 14-16 vjeç. Ata duhet të kishin mbaruar arsimin fillor pesëvjeçar; të kishin çertifikatë shëndetësore që vërtetonte se nxënësi nuk ishte me aftësi të kufizuara fizike. Para pranimit, kandidatët iu nënshtruan provimeve në lëndët: gjuhë shqipe, gjeografi, histori e Shqipërisë dhe matematikë.
Kur filloi shkolla nuk kishte kurrikula të paracaktuara. U bë rishikimi i kurrikulave me kalimin e kohës, në mënyrë që ato të përshtateshin me fazën e zhvillimit të nxënësve, për të përmbushur nevojat në rritje të ekonomisë së vendit. Falë programeve cilësore, maturantët u pranuan në universitetet më prestigjioze në SHBA dhe Evropë. Në vitin 1921 u regjistruan 32 studentë.Në vitet 1932-1933 u regjistruan 500 studentë; Janë diplomuar 150 maturantë, shumica e tyre të punësuar në organet shtetërore apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.
Në vitin 1926, me iniciativën e Ministrit të Arsimit, Rexhep Mitrovica, në shkollë u hap dega Normale për përgatitjen e mësuesve. Kurrikula u zhvillua nga pedagogët shqiptarë Gaspër Beltoja dhe Karl Gurakuqi. Dega Normale kishte një shkollë ushtrimore, ku nxënësit normalistë mund të bënin praktikën e tyre pedagogjike. Ajo u hap një vit pas hapjes së degës normale. Shkolla kishte buletinin e vet të quajtur “Laboremus”. Në maj të vitit 1930, nxënësit e shkollës themeluan klubin normal (pedagogjik).
Në periudhën 1921-1934 me punën e përbashkët të nxënësve dhe mësuesve-inxhinierë u bë e mundur ndërtimi i centralit elektrik, që ishte meritë historike për kryeqytetin dhe pati ndikim të madh në jetën urbane të tij. Ky central u vu në punë më 29 mars 1923. Centrali i drejtuar dhe i mirëmbajtur në makineri dhe në rrjetin shpërndarës të energjisë, furnizoi me rrymë elektrike përreth pesë vjet, përveç korpuseve të shkollës edhe ndriçimin e rrugëve të Tiranës në pjesën juglindore të shkollës. Midis tyre Rrugën e Elbasanit, deri te Legata Amerikane, pastaj qendrën e qytetit së bashku me disa zyra të administratës shtetërore. Më vonë u ndërtua fabrika e akullit në Tiranë. Një peshë jo të vogël pati Shkolla Teknike në fushën e ndërtimit, ku qysh në vitet e para të saj nxënësit e shkollës filluan punën për ndërtimin e ofiçinës, konviktit, dy ndërtesave të shkollës dhe ajo që duhet theksuar, në vitin 1928 nxënësit dhe inxhinierët e shkollës morën pjesë në ngritjen e ndërtesave të përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë.
Shkolla Teknike e Tiranës luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e të rinjve me ndjenjën e patriotizmit, disiplinës, dashurisë dhe respektit për punën. Ajo nxori një mori kuadrosh të zotë e të përkushtuar, intelektualë të përmasave të mëdha, specialistë të talentuar në fushën e inxhinierisë dhe pedagogjisë, teknikë të fushave të ndryshme, të cilët i dhanë një impuls të ri modern dhe inovativ këtij vendi.
Në vitin 1947, shkolla mori emrin “Politekniku 7 Nëntori”, duke ruajtur profilin e saj teknik. Ajo vazhdoi të trajnojë specialistë në fusha të ndryshme të ekonomisë përmes programeve lëndore akademike të ndërthurura me programet e praktikave dhe aktiviteteve jashtëshkollore. Imazhi pozitiv i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë ishte rrënjosur thellë në mendjet e njerëzve, pavarësisht përpjekjeve për të diskredituar ose minimizuar rëndësinë e saj. Kjo u pasqyrua qartë pas vitit 1990, në një kohë ndryshimesh të mëdha demokratike.
Në vitin 1992 u themelua në Shtetet e Bashkuara Fondacioni Shqiptaro-Amerikan “Harry Fultz” me president Johan Fultz Khontos. Qëllimi i këtij fondacioni ishte të mbështeste shkollën për të ndjekur gjurmët e traditave të Shkollës Teknike në Tiranë, në të njëjtën rrugë që ndoqi Harry Fultz; formimi i plotë i të rinjve dhe kontributi i tyre në zhvillimin e Shqipërisë moderne.
Në vitin 1992, me propozimin e stafit të shkollës, me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, iu rikthye shkollës emri “Harry Fultz”. Me 16 korrik 1992 në Uashington u krijua Fondacioni shqiptaro- amerikan “Harry Fultz” me kryetare zonjën Joan Fultz Kontos, e bija e Harry Fultz. Në statutin e fondacionit shkruhet: “Objekti kryesor i Fondacionit është rivendosja e traditës së shkollës teknike të Tiranës, e cila në vitet ‘20-‘30 arriti standarte të larta arsimimi në Shqipëri”.