Dr. Nikollë Loka/
Pas Traktatit të Vjenës në 1615, Habsburgët ndoqën shembullin francez dhe rritën fuqinë e tyre si një protektorat kulti mbi subjektet katolike që jetonin në Perandorinë Osmane përmes serisë së traktateve që u dhanë fund luftërave të ripushtimit(Karlowitz(1699),Pozharevac(1718), Beograd(1739), Sistova(1791), si dhe përmes Traktatit të Kostandinopojës (1681) dhe Kongresit të Vjenës(1815)(Csaplár-Degovics, 2022). Protektorati i kultit ushtrohej drejtpërdrejt nga konsujt austriakë në qendra të ndryshme dhe ambasadori në Stamboll. Kjo e drejtë, e përcaktuar fillimisht në traktatet laike, ishte njohur zyrtarisht nga Papa në vitin 1837 dhe ishte ratifikuar prej tij me rastin e konkordatit të vitit 1855, që ishte lidhur me Vjenën(Csaplár-Degovics, 2017).
Në kuadrin e kultusprotektoratit, Vjena zhvilloi veprimtari të gjera kulturore, arsimore, shkencore, fetare dhe propagandistike(Pelinku, 2014:p.368). Politika arsimore austriake dhe efektet e saj në zhvillimin kulturor dhe arsimor në disa vende lidhen me disa dispozita ligjore të qeverisë së Vjenës. Në vitin 1848 doli ligji, sipas të cilit…”në shkollat fillore fëmijët duhet të mësojnë gjuhën amtare”. Një gjë e tillë është përforcuar me dispozitat ligjore të vitit 1849, kur neni 17 i ligjit të datës 21 dhjetor 1967 për problemet e arsimit theksonte se “çdo komb ka të drejtë të ruajë dhe të kultivojë individualitetin dhe gjuhën e tij në shkolla”; se “në ato rajone ku jetojnë së bashku disa kombësi, shkollat duhet të rregullohen në një mënyrë që të kultivohet edhe gjuha e një kombi tjetër”(Pelinku, 2014:368-369).
Që nga maj i vitit 1856, konsulli austriak Rudolfo Borovicka filloi të kontribuonte rregullisht në shkolla. Në raportin e tij të vitit 1857, dërguar në Vjenë për ndryshimet e ndodhura gjatë vitit akademik në shkollat katolike, të financuara nga qeveria austriake thuhet: “Në provimet vjetore të fundvitit (më 31 maj asistoi Borovicka dhe Ipeshkëvi Topiç), ku u dhanë çmime, rezultati ishte i kënaqshëm. Numri i nxënësve ishte 174, duke u rritur më shumë se një vit më parë(Arkivi i Muzeut të Shkodrës, Arkivi i Vjenës). Edhe në vitin 1859 provimet në tre shkolla fillore katolike u zhvilluan në prani të Arqipeshkëvit të Shkodrës Imzot Çurçisë dhe konsullit austriak Borovicka. Numri i nxënësve ishte 132, prej të cilëve 61 u përkisnin klasave të ulëta me mësues Gjergj Benusi; 40 nxënës shkollës së mesme me mësuesi Katoniq dhe 31 nxënës me mësuesin Gjuriq(Arkivi i muzeut të Shkodrës, Arkivi i Vjenës, 1859).
Kërkesat për hapjen e një shkolle për vajza kanë qenë të vazhdueshme. Ndryshe nga shkollat e përziera që frekuentoheshin nga vajza të vogla deri në 10 vjeç, shkollat e femrave do të frekuentoheshin nga vajza të çdo moshe, të cilat do të merrnin arsim të përshtatshëm(Pelinku, 2014:372). Kushë Mica dhe Tereze Berdica në vitin 1859 hapënn shkollën e parë private për arsimimin e vajzave, e cila u mbështet financiarisht nga qeveria austriake. Tina Nik Gjergji hapi një shkollë tjetër shqipe për vajza në vitin 1873-1874. Lëndët që do të mësohen ishin: lexim, shkrim, numërim, vizatim, muzikë dhe art (punime artizanale). Kontributi i atyre shkollave ishte i madh, sa mund të themi se “gratë në Shkodër edhe më shumë se njëqind vjet më parë mund të shkruanin shqip”(Koliqi, 1972).
Në vitin 1861 u hap shkolla e parë popullore nga priftërinjtë françeskanë, duke shënuar fundin e shkollave private në lagje me një mësues, duke krijuar një shkollë unike për të gjithë. Në raportet e dërguara nga Konsullata austriake në Ministrinë e Jashtme në Vjenë, më 4 korrik 1863, flitet hollësisht për shkollat që njerëzit i quanin “atërore”.Programi në këto shkolla ishte i ndarë në katër klasa me këto lëndë: Fe, Kaligrafi dhe Elementet e para të gramatikës italiane. Ky institucion është mbështetur nga qeveria austriake me 1260 monedha ari, si dhe nga shoqata bamirëse fetare “Holly Lady”. Në vitin 1867, për shkak të ecurisë së mirë të kësaj shkolle Arqipeshkëvi i Shkodrës, Imzot Pooten kërkoi që të shtohet ndihma me 1260 monedha ari, të mjaftueshme për një mësues më shumë. Kjo kërkesë u mbështet nga Konsullata austriake në Shkodër. Nga shuma e mësipërme, jepeshin të holla edhe për Gjergj Benusin dhe dy mësueset që punonin në shkollën e artizanatit me vajza të qytetit”(Dituria, 1927).
Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë rritej numri i nxënësve. Për shkak të kësaj, u ngrit nevoja për shkollë shtesë. Përsëri qeveria austriake u përgjigj pozitivisht për mbështetje, duke dhënë 3000 monedha ari (Arkivi Ipeshkvor Shkoder). Në vitin shkollor 1876-1877 shkolla u transferua në një godinë të re(Pelinku, 2014:370). Mësimet zhvilloheshin në katër paralele. Veprimtaria e kësaj shkolle u zhvillua më tej. Brenda një kohe të shkurtër shtoi klasa, të cilat shkonin nga dy në tre në secilën paralele dhe, në vitin 1902, u shtua shkolla e mesme qytetare. Gjatë këtij viti shkolla numëronte Kolegjin Françeskan, Saurian-Jezuit, një shkollë fillore me 5 paralele, një shkollë reale me 3 paralele dhe një shkollë tregtare me tre paralele (Muceku, Haloçi, 2015:140).
Në vitin 1862, me ndihmën austro-hungareze u themelua Seminari Papnor Shqiptar, një nga dy seminaret papnore të vetme jashtë Romës. Njëzet seminaristë u pranuan në 1862. Kurrikula e seminarit, e ngjashme me kurrikulat e seminareve të tjera të drejtuara nga jezuitët në mbarë botën, fokusohej në filozofi, teologji dogmatike dhe morale, shkrimin e shenjtë, historinë kishtare dhe parimet e së drejtës kanonike. Kongregacioni i Përhapjes së Fesë bëri një kërkesë të veçantë që seminaristët shqiptarë të marrin një trajnim të veçantë në teologji baritore, predikim dhe katekizëm, në mënyrë që me mbarimin e trajnimit të Seminarit të jenë gati për të marrë pjesë në jetën liturgjike dhe sakramentale të Kishës. Kongregacioni vendosi që numri i seminaristëve të rritet gradualisht dhe në mënyrë progresive, në përpjesëtim me gjendjen ekonomike të institucionit dhe hapësirën e disponueshme, me një kufi prej jo më shumë se tridhjetë seminaristë të shpërndarë ndër dioqezat e Tivarit, Durrësit, Shkupit, Shkodrës, Lezhës, Sapës dhe Pultit(Murzaku,2017: 98-99).
Në vitin 1875, me ndihmën e Vjenës jezuitët hapin një shkollë fillore. Dy vjet më vonë u hap “Kolegja Severiane”. Që në vitin e parë regjistrat kishin një kolonë për gjuhën shqipe. Gjatë tre viteve të para, lëndën e gramatikës e ligjëroi At Luigj Mazza dhe pastaj Domenico Pazzi(Pelinku,2014:373).
Shqipëria fitoi rëndësi parësore për Monarkinë gjatë viteve 1890 dhe në prag të fillimit të shekullit, kur Ballhausplatz artikuloi nevojën për një politikë të re shqiptare. Në nëntor dhe dhjetor 1896, Ministri i Punëve të Jashtme Agenor Goluchowski mblodhi një konferencë treditore për zyrtarët dhe ekspertët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Financave dhe i ngarkoi ata të hartonin politikën e re. Në konferencë u parashtrua një strategji e re për të fituar mbështetjen e klerit shqiptar; u vendos që arsimimi i anëtarëve të klerit laik të bëhej në seminaret austriake dhe që Vjena të përpiqej të siguronte mbështetjen e Vatikanit në lidhje me kishën shqiptare(Csaplár-Degovics, 2022:13).
Me ndihmën austriake u hap shkolla fillore e Stigmatineve, në vitin 1879, nën kujdesin e motrave Stigmatine, të sjella në Shkodër nga françeskanët, që arriti deri në nivelin e shkollës së mesme. Fillimisht kishte 200 vajza dhe tri mësuese. Shkolla ka qenë një godinë e rregullt, e përshtatur mjaft mirë për zhvillimin normal të mësimeve. Në vitin shkollor 1896-1897, shkolla stigmatine ka pasur katër klasa e kishte një përgatitje që përfshinte dy rende fëmijësh. Numri i nxënëseve ka qenë deri në 400(Bilali,2015:47).
Me ndihmën austro-hungareze u hapën edhe të tjera shkolla femërore në gjuhën shqipe, si: shkolla e Kallmetit(1896), Azili i motrave servite apo streha foshnjore në qytet(1898); shkolla plotore për vajza(1906). Po kështu, më 1907 u hap në Shirokë një shkollë fillore femërore, kurse me 1911, në Kallmet një shkollë tjetër fillore jo e plotë për vajza. Si rezultat i shkollave femërore, një pjesë e mirë e grave dhe vajzave të Shkodrës dinin të shkruanin e të lexonin. Më 2 prill 1881, treqind nxënëse të shkollave të qytetit të Shkodrës i dërguan Dora d’Istries(princeshës Elena Gjika) një penë të argjendtë dhe një letër me 300 nënshkrimet e tyre. Studiuesi Jup Kastrati në një shkrim të tij na njeh me një fakt interesant: Ai thekson “se deri në shpalljen e Pavarësisë , në rrethin e Shkodrës, kishte 47 shkolla shqipe, nga të cilat 10 për vajza(Kastrati,1963:72).
Me ndihmën austro-hungareze, në viset e Prefekturës së Shkodrës, në fillim të shekullit XX nisi arsimi në gjuhën shqipe: në Mirditë 3 shkolla: e Oroshit me 30 nxënës, me mësues Kolë Demën; e Kashnjetit 20 nxënës, me mësues Kolë Lacën; e Spaçit 20 nxënës me mësues Zef Ndocin. Në Pukë, një shkollë në Iballe(1903) me 15 nxënës e 1 mësues. Në Zadrimë një shkollë(1904) me 25 nxënës e 1 mësues; një shkollë në Bushat(1900) me 50 nxënës e 1 mësues; 1 shkollë në Rranza Bushat me 20 nxënës e 1 mësues; 1 shkollë në Dajç të Bregut të Bunës(1903) me 30 nxënës e 1 mësues; 1 shkollë në Dajç të Zadrimës(1902) me 25 nxënës e 1 mësues; një shkollë në Shirokë(1894) me 30 nxënës e 1 mësues; një shkollë në Barbullush(1902) me 30 nxënës e 1 mësues; një shkollë në Juban(1906), me 30 nxënës e 1 mësues(Pelingu, 2014:371).
Të dhëna me interes për veprimtarinë e shkollave austro-hungareze në Kosovë sjell mësuesi i shkollës shqipe të Pejës, Zef M. Harapi(Ramadani & Çeliku, 2016: 72). Nga të dhënat që na sjell ai, në vilajetin e Kosovës, gjatë vitit 1911, funksiononin këto shkolla: Në Shkup – 1 mësues e 1 shkollë. Numri i nxënësve sillej diku 30-40. Në atë shkollë, një kohë, punoi mësuesi dhe lëvruesi i palodhur i gjuhës shqipe, Mati Logoreci. Në Prizren: 1 shkollë fillore mashkullore me 2 mësues. Ndër mësuesit më të shquar që punuan në këtë shkollë ishin: Mati Logoreci, Ndue Paluca, Lazer Lumezi, Ndoc Lezhja, Luigj Kromiqi etj. Po në Prizren funksiononte shkolla fillore femërore, ku jepnin mësim 3 mësuese dhe mësonin 80 nxënëse. Në Gjakovë kishte 1 shkollë me 1 mësues. Në këtë shkollë ligjëruan: Mëhill Kurti, Pashko Logoreci, Ejëll Ndoca. Në Pejë kishte 1 shkollë fillore të përzierë me 1 mësues dhe 30 nxënës. Në fillim mësues ishte famullitari i Pejës, kurse më vonë, në atë shkollë punuan mësuesit shekullarë: Gjergj Gjinaj, që filloi të jepte mësim në vitin 1898, e pastaj Zef M. Harapi. Në Zym kishte 1 mësues dhe 1 shkollë me 50 nxënës, ku dhanë mësim Frano Pecolli dhe Frano Lufi(Ramadani & Çeliku, 2016: 72).
Në Shkup funksiononte shkolla për vajza dhe një kopsht fëmijësh. Gjithashtu, në kryeqendrën e Kosovës vepronte edhe shkolla e Hekurudhës, në të cilën mësimi zhvillohej në gjuhë të huaj. Në këtë shkollë mësimet i ndiqnin edhe nxënës shqiptarë, të cilët mësonin gjuhët e huaja dhe pastaj arsimimin e tyre e vazhdonin në shkollat evropiane. Në Ferizaj kemi shkollën katolike të famullisë me tre klasë. Një shkollë e tillë funksiononte edhe në Stubëll. Në Prizren krahas shkollave të sipërpërmendura vepronte edhe një kopsht fëmijësh. Shkolla katolike e famullisë në Janjevë kishte katër klasë për djem dhe tre për vajza, kurse shkolla katolike e famullisë në Letnicë kishte tre klasë(Ramadani & Çeliku, 2016:73). Disa autorë shkruajnë se në shkollat e Janjevës dhe të Letnicës mësimi është zhvilluar vetëm në gjuhën kroate, mirëpo ka të dhëna që dëshmojnë se në to është përdorur edhe shqipja si gjuhë mësimi. Sipas katalogut të shkollës, që i takon vitit 1908, “në ato vite nxënësit kanë mësuar edhe gjuhën shqipe”. Në një njoftim që Ministria e Jashtme e Austro-hungarisë i dërgonte konsullit të saj në Shkup, në dhjetor 1904, e njoftonte për dërgimin e teksteve mësimore për disa shkolla të atij rrethi konsullor, ku bënin pjesë edhe shkollat fillore katolike të Shkupit, Letnicës dhe Janjevës. Ministria i kërkonte Konsullit që të pajisen nxënësit me tekste të reja shqipe”(Ramadani&Çeliku,2016:73). Angazhimi në shkollën e Janjevës i mësuesve shqiptarë si: Pal Gjergja dhe Maria Gjergja është dëshmi tjetër se në atë shkollë mësohej edhe shqip. Nuk kishte arsye tjetër pse të angazhoheshin mësues shqiptarë në një shkollë kroate, po të kemi parasysh faktin se në atë kohë kishte mungesa të theksuara të mësuesve shqiptarë(Ramadani&Çeliku,2016:74) dhe ata dy mësues mund të dërgoheshin në ndonjë shkollë tjetër. Veprimtaria arsimore austro-hungareze në territoret shqiptare vazhdoi pandërprerë edhe pas shpalljes së Pavarësisë dhe arriti kulmin në vitet e Luftës së Parë Botërore.