


Dr. Evarist Beqiri/
“Njeriu i zgjuar i përket të gjitha vendeve, sepse atdheu i një shpirti të madh është bota mbarë.” – Karl R. Popper
Në pranverën e vitit 1900, në moshën 56-vjeçare, Ismail Qemal Vlora mori vendimin që t’i jepte fund karrierës në Perandorinë Osmane. Në këtë mënyrë, ai do të kishte mundësi që ta shfrytëzonte më tepër lirinë vetjake për të bërë diçka të dobishme për vendlindjen e tij, Shqipërinë. Nëse, më parë ai e kishte fshehur luftën për kauzën shqiptare nën petkun e dhënies, së më shumë lirive e të drejtave popujve të ndryshëm të Perandorisë Osmane, duke filluar që nga ky moment ai luftoi haptazi për idenë e shtetit shqiptar.
Në vitet 1900-1908, Ismail beu e vendosi vendbanimin e tij në Bruksel, në Avenue Louise. Aty, ai jetoi me shumë sakrifica së bashku me tre djemtë e tij, të cilët vijonin studimet. Ndërkohë, bashkëshortja e tij Kleoniqi Vlora dhe gjashtë fëmijët e tjerë jetonin në Turqi. Në kryeqendrën europiane, Ismail Qemal Vlora realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike. Kjo periudhë ishte një gur i rëndë themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Nga kjo periudhë na vjen sot, një përshkrim i jashtëzakonshëm i poetit dhe publicistit të njohur, belg Roland de Marès (1874-1955). Ja çfarë shkruan ai më, 14 Prill 1909, në një artikull për të famshmen “Le Matin” (*shkrimi u përkthye nga frëngjishtja nga Evarist Beqiri): “Një figurë tjetër që del në pah është ajo e Ismail Qemal Beut, i cili kaloi tetë vjet në mërgim në Bruksel. Pa u ndikuar nga miqësia shumë e vjetër që na lidh, mendoj se nuk po shkoj shumë larg duke thënë se Ismail Qemal Beu është një politikan i klasit të parë. Ai kishte marrë tashmë pjesë shumë aktivisht në lëvizjen e vitit 1876. Ai kishte qenë vali i Bejrutit dhe guvernator i Tripolit. Një administrator i shquar, një njeri me parime. Ai vuajti shumë për idetë liberale. Ishte ai që, duke e ditur se kishte gjithçka për t’u frikësuar nga rrethimi i ngushtë i Sulltanit, u strehua një ditë në bordin e anijes stacionare angleze. Atij iu ofrua e mundura dhe e pamundura për ta bindur të mos largohej nga Perandoria, por Ismail Qemal Beu u largua nën mbrojtjen e topave anglezë dhe nuk u kthye më në vendin e tij deri ditën pas rivendosjes së regjimit kushtetues.
Ai është një burrë kurioz, me një inteligjencë jashtëzakonisht të gjallë. Pavarësisht flokëve dhe mjekrës së tij të bardhë, fytyra e tij ka ruajtur një shprehje të bukur rinore. Brukseli ishte, si të thuash, porti i tij i ankorimit, por ai ishte kudo, në Paris, Londër, Berlin. Ndonjëherë zhdukej për një javë, pastaj një mbrëmje shfaqej papritur në shtëpinë time dhe për orë të tëra më tregonte për shpresat e tij për një triumf të afërt. Ai ishte në kontakt me të gjithë ata që kishin një emër në politikën ndërkombëtare. Ai korrespondonte miqësisht me ministra dhe ish-ministra, gjithmonë me një aktivitet disi të ethshëm, duke e mbushur ekspozimin e ideve të tij me anekdota të këndshme rreth burrave të kohës së tij. Ai shpjegonte me një saktësi të habitshme anën e fshehtë, ndonjëherë zbavitëse të ngjarjeve më serioze politike.
Kur ndodhën incidentet e para ushtarake në Maqedoni, drejt fundit të regjimit të vjetër, kur askush nuk kishte guxuar ende të dyshonte për një revolucion, ai më bëri të kuptoj me një fjalë të thjeshtë se “kaq ishte”. Me përvojën e tij të gjatë në politikën lindore, njohuritë e tij për njerëzit dhe ndjenjat atje, ai e kishte parë menjëherë se fundi i absolutizmit, kundër të cilit kishte luftuar kaq shumë, kishte ardhur. I zgjedhur deputet i Beratit, i adhuruar nga bashkatdhetarët e tij shqiptarë, ai menjëherë e vendosi veten si udhëheqës i partisë liberale konstitucionale. Tani ai është kryetar i Dhomës. Së shpejti, pa dyshim, ai do të jetë Ministër i Punëve të Jashtme. Këto janë surprizat e politikës lindore: dje armik, sot udhëheqës partie, nesër vezir. Ajo që mund të thuhet pa frikë se do të kundërshtohet nga ngjarjet është, se kauza liberale është në duar të mira nëse i besohet udhëheqjes së Ismail Qemal Beut. Dhe unë, që e kam parë atë nga afër në punë në ditët më të errëta, jam i sigurt se ky luftëtar i shkëlqyer do të dëshmohet i aftë për detyrën e rëndë që i ka rënë mbi krye.”