
Sokol Paja/
Shkrimtari Arben Rogova i shoqëruar nga patrioti Blend Bekteshi vizitoi Federatën Vatra. Ata u pritën nga editori i Diellit dhe historiani Zef Ujkaj. Editori u shpjegoi në detaje historikun e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe kontributin patriotik që këto dy institucione kombëtare kanë dhënë për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kombin shqiptar në 114 vite histori të Vatrës. Miqtë u njohën imtësisht mbi veprimtarinë atdhetare të figurave udhëheqëse të mërgatës shqiptare në Amerikë. Miqtë vlerësuan rolin e Vatrës dhe kontributin e saj për komb e atdhe.
Shkrimtari Arben Rogova i dhuroi Bibliotekës së Vatrës veprën e tij“Kufij të Dridhur” që vjen si ftesë për t’u kthyer te rrënjët dhe si apel për ta ruajtur gjuhën e kujtesës historike dhe kombëtare. Vepra “Kufij të Dridhur” nuk është vetëm biografi por një libër si akt përkujtimi për qindra burra e gra të brezave që u përballën me dhunën komuniste, presion politik, persekucionin dhe qëndresën historike ndaj së keqes. Vepra është një rrëfim historik mbi dinjitetin, pathyeshmërinë dhe moralin njerëzor.