
Sokol Paja/
Në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra ishin për vizitë zyrtare drejtuesit e rinj të Shoqatës Atdhetare Kraja të cilët morën pjesë aktive në promovimin e librit “Ambasador i pushtetit të butë” dhe zhvilluan biseda konstruktive me drejtuesit e Vatrës dhe Editorin e Diellit për projektet serioze që kjo shoqatë ka në të ardhmen e afërt. Kryetari Sami Kanaqi së bashku me drejtuesit Musa Lukoliç, Armend Gjeçbritaj, Drita Popoviq dhe studiuesin krajan Hamid Alaj nderuan Vatrën dhe vatranët me vizitën e tyre dhe premtimin për një angazhim sa më të fortë në dobi të komunitetit shqiptar në Amerikë. Me rastin e vizitës zyrtare, kryetari Sami Kanaqi u anëtarësua në Vatër dhe kështu lidhja organike dhe bashkëpunimi i frytshëm mes kësaj shoqatë e Vatrës do të jetë e fortë dhe e përhershme. Vatra i shpreh mirënjohje të thellë drejtuesve të Shoqatës Atdhetare Kraja të cilët së bashku me Vatrën dhe shoqatat e tjera shqiptare në Amerikë e veçanërisht në New York do të bëjnë të mundur që çështja shqiptare dhe interesi i shqiptarëve në trojet shqipfolëse do të jetë kurdoherë në krye të veprimtarive, axhendave dhe angazhimeve primare të diasporës shqiptare në Amerikë. Shoqata Atdhetare Kraja është e formuar që në vitin 1991 në Neë York, USA me synim mbajtjen gjallë të lidhjeve shpirtërore e tradicionale mes patriotëve krajanë që jetojnë në Amerikë dhe vendlindjes së tyre në Krajë. Në fokus të aktiviteteve dhe veprimtarisë së shoqatës është ruajtja e traditave kombëtare, ruajtja e identitetit kombëtar shqiptar, ruajtja e gjuhës, forcimin e lidhjeve shpirtërore të patriotëve krajanë në vendlindje dhe mergatë. Shoqata Atdhetare Kraja ka një model organizimi të shkëlqyer dhe për organizatat e tjera shqiptare që veprojnë në Amerikë. Shoqata Atdhetare Kraja është shumë pranë veprimtarive patriotike të diasporës shqiptare në Amerikë ku ka marrë pjesë gjithmonë masivisht në të gjitha aktivitetet patriotike si festa e Flamurit Kombëtar, Pavarësia e Kosovës, Parada Shqiptare dhe organizime të tjera atdhetare në New York, Uashington, New Jersey etj. Kjo shoqatë kryen aktivitete bamirësie, patriotike dhe edukative në vendlindje duke promovuar talentet nëpërmjet dhënies së bursave për studentët. Shoqata Kraja çdo vit organizon Piknikun dhe festivalin e fëmijëve të titulluar “Tradita” ku këndohet, kërcehet dhe vallëzohet vetëm shqip. Kjo shoqatë loboi në Uashington te instancat qeveritare shqiptare dhe amerikane për hapjen e pikës së kufirit Zogaj-Skje në Shkodër. Shoqata Kraja mori pjesë aktivisht në promovimin e librit për “Veshjen e Nuses Krajane” të studiuesit krajan Hamid Alaj, ka marrë pjesë në Kuvendin e Vatrës si edhe në festimet për Nënë Terezën në Vatër. Shoqata Atdhetare Kraja është një prej shoqatave më të organizuara dhe aktive në komunitetin shqiptar në New York. Në mandatin dy vjeçar struktura e re e Shoqatës Kraja është me këtë përbërje: Kryetar: – Sami Kanaqi, Nënkryetar: -Venera Gjenashaj, Musa Luka, Sekretar: -Armend Gjeçbritaj, Drita Popopviq, Agim Gjenashi, Arkatar: -Urim Draga. Programin Vallzimin për fëmijë do ta udhëheqin Venera Gjenashaj dhe Teuta Draga. Aktivitetet Sportive janë nën drejtimin e Bekim Berjashit ku me datë 15 maj 2022 do të organizohet një turne memorial në futboll në New Jersey kushtuar të ndjerit kapitenit legjendar të Krajës prof. Xhafer Cuka. Pikniku vjetor do të jetë nën drejtimin e Safet Doçit. Lulzim Popi do të jetë organizator i mbrëmjeve muzikore për grumbullimin e fondeve për nevojat e Shoqatës. Koordiantore për bashkëpunim me shoqatat shiqiptaro amerikane është Dafina Demiri. Koordinatore për bashkëpunim mes Shoqatës Kraja dhe shoqatave ndërkombëtare me seli në Shqipëri zonja Xhuljeta Perashi. Shoqata Kraja ka falenderuar dhe shprehur mirënjohje të gjithë aktivistëve ri e të vjetër të cilët kanë kontribuar në aktivitete komunitare dhe patriotike të Shoqatës Atdhetare Kraja. Fokusi i punës 2 vjeçare do të jetë perspektiva për të rritur fodet për bursat e studentëve, bashkëveprimi me faktorë të rëndësishëm në komunitetin shqiptar për të avancuar çështjen kombëtare dhe forcimi i lidhjeve me shoqata që forcojnë bashkëpunimin dhe angazhimin për të mirën e shqiptarëve në Amerikë dhe trojet shqipfolëse.