

Sejdin Xhaferaj/
Ridgewood, Queens NY – Të dielën në mesditë, në shkollën publike PS 88, u hap me sukses semestri i vjeshtës për Shkollën “Fol Shqip”, një projekt i Shoqatës “Besi” që brenda pak vitesh është kthyer në zemër të komunitetit shqiptar në diasporë.
Më shumë se 80 fëmijë u mblodhën në klasat e PS 88, nga ora 12:00 deri në 2:00 pasdite, duke marrë mësime në gjuhë shqipe dhe në vallëzim tradicional. Atmosfera ishte e mbushur me gëzim, të qeshura e këngë, ndërsa fëmijët përjetuan të dielën jo thjesht si një orë mësimi, por si një udhëtim drejt rrënjëve të tyre.
Mësimi zhvillohet nga një staf i përkushtuar prej pesë mësuesish: Nevila Kraja dhe Fatbardha Dibra në klasat e gjuhës, si dhe Sebi Tinaj, Amela Xhaferaj dhe Ayla Hoxha në klasat e vallëzimit. Këta mësues nuk japin vetëm dije, por mbjellin dashuri për gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare.
Në hapjen solemne morën pjesë edhe drejtuesit e Shoqatës “Besi”: Sejdin Xhaferaj, Kryetar; Nexhad Xhaferaj, Nënkryetar; dhe Medina Xhaferaj, Koordinatore e Shkollës. Gjithashtu, nga komiteti ishin të pranishme Medina Hoxha, Servete Xhaferaj dhe Merima Asani, të cilat ndihmojnë rregullisht në punën dhe organizimin e shkollës.
Një falënderim i veçantë shkon për komunitetin shqiptar, për anëtarët e Shoqatës dhe për të gjithë ata që, si çdo herë, janë aty me kohën, ndihmën dhe zemrën e tyre. Suksesi i kësaj shkolle është pasqyra e mbështetjes së palëkundur të komunitetit. Po aq i çmuar është fakti se shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare vijnë, bashkohen dhe japin kurajo, duke e bërë këtë shkollë një pasuri të përbashkët.
Shoqata “Besi” ka rrënjë të thella në vendlindje, në fshatin e moçëm të Besit, buzë liqenit të Shkodrës, në zonën Kraja–Shestan. Besa, bashkë me fshatrat fqinj si krejt Muriqi, Brisku, Ftjani e të tjerë, mbart histori, kulturë dhe tradita të hershme. Sot, Shoqata “Besi” punon jo vetëm për t’i ringjallur këto vlera në diasporë, por edhe në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e tjera të zonës, duke forcuar lidhjet dhe duke zhvilluar projekte të përbashkëta.
Siç theksojnë vetë drejtuesit e Shoqatës: kjo nuk është vetëm për sot, por një trashëgimi për nesër, për fëmijët që do të mbajnë gjallë gjuhën dhe flamurin shqiptar kudo në botë.
Regjistrimi vazhdon dhe të gjithë fëmijët janë të mirëseardhur të bëhen pjesë e Shkollës “Fol Shqip”. Sa më shumë nxënës, aq më shumë gëzim për krejt komunitetin!
Për më shumë informacion dhe regjistrime:
Email: info@shoqatabesi.com
Instagram: @shoqatabesi