
Muaji Mars ka nisur të ketë një domethënie simbolike për ne shqiptarët në Saint Louis. Është shënjuar si themeli i bashkimit tonë, për ato gjëra që kemi të trashëguara e bartur në vetvete nga historia, kultura e traditat tona. Të gjitha këto gjejnë shprehjen e tyre më domethënëse në gjuhën tonë, e çmuar tashmë edhe nga shkenca gjuhësore e kohës për lashtësinë dhe vlerën e saj të veçantë.
Shoqata “Iliria” lindi si një domosdoshmëri ndërkomunikuse, kuptohet për ata që e duan, që e vlerësojnë dhe japin kontributet e tyre të mundshme. Veç bashkëlidhjes, shoqatat shqiptare kurdo e kudo që kanë funksionuar, jo vetëm kanë bashkuar shqiptarët, mbështetur e lartësuar mëmëdheun, por në të njëjtën kohë kanë ngritur në reliev edhe figura të shquara të saj në fushat shoqërore, ekonomike e profesionale, intelektuale e shkencore.
Gjatë muajve të dimrit 2019-2020 në kafenetë, në vendtakimet e shqiptarëve diskutohej domosdoshmëria për të patur një shoqatë që të na bashkonte në identitetin dhe vullnetin tonë të njësuar. Nga biseda u kalua gradualisht në veprime konkrete. Mblidheshim të gjithë çdo javë. Secili sillte argumente dhe kërkesat e veta. Diskutohej jo veç për ngritjen, por sidomos për mbarëvajtjen dhe jetëgjatësinë e shoqatës. U shqyrtuan disa statute ekzistuese, si ai; i shoqatës së Filadelfias, të Torontos etj., dhe u hartua një i përshtatshëm me kërkesat tona. “Nuk duhet të ngremë shoqatë të kryetarëve por të shqiptarëve!”. Ky fenomen negativ që pasqyrohet edhe në politikën e sotme shqiptare, do të kapërcehej përmes riciklimit të kryetarëve më vonë. Shoqata duhej të kishte një vendqëndrim dhe logjistikën e domosdoshme, shpenzimet e të cilave do të mbuloheshin me anë të kuotizacionit dhe donacioneve të atyre që do të kishin fisnikërinë e dhurimit… Festimet, pelegrinimet e organizimet argëtuese të kishin bazë një kuotë individuale e shoqata me fondet e mbledhura të ishte si një garanci amortizuese. Veprimtaritë promovuese artistiko-kulturore, kulinare etj., të bëheshin me shpenzime sa më të reduktuara nga shoqata ose donacione të mundshme, etj. Të gjitha këto në përvojën e kësaj periudhe kanë treguar se qenë të drejta dhe funksionale.
Hapja e shkollës (gusht 2021) për mësimin e gjuhës shqipe, qe një vendim i rëndësishëm dhe hap guximtar i suksesshëm. Realizimi mblodhi energji pozitive se kushdo dha ndihmesën materiale dhe intelektuale, sidomos personeli mësimdhënës. Rëndësi vendimtare pati mbështetja e vetë prindërve. Për nxitjen individuale e pse jo edhe evidentimin e talenteve, u organizuan fotoekspozita historike e fotografike individuale; u promovua autor libri, u organizua ekspozita “Piktorët e vegjël”, recitime e koncerte festive në fundvitet shkollore. Për argëtimin fizik e pse jo dhe të nxitjes së talenteve të fushës, u ngritën e po funksionojnë grupet sportive të futbollit. U afruan specialistët më të mirë të fushave përkatëse. Serioziteti e njëmendshmëria për të bërë hapat e mundshëm gjeti menjëherë edhe bujarinë dhe mbështetjen e pa kursyer nga bizneset shqiptare.
Sidoqoftë ende hera-herës ngrihet pyetja: Pse është e nevojtshme një shoqatë?
Ka një shpjegim të shpejtë e të thjeshtë: “Të jemi bashkë, të formatohemi e të argëtohemi së bashku!” Nuk është pak kjo, por është mirë të hedhim një vështrim paksa më në brendësi. Për Hans Blumenberg-un (studiues e filozof gjerman) themelore janë “hapësira-koha dhe pozicionimi”. Në këtë trekëndësh kemi vendndodhjen, ecurinë e përditshme me barrët e saj si dhe, tërësinë tonë të brendshme, aq kontradiktore e të ndërlikuar. Pra individi natyrshëm ka stimulin (nxitjen) dhe reagimin. Çka kuptohet me këtë? Studimet antropologjike përcaktojnë se forca reaguese i kushtohet më tepër “afirmimit” sesa “mbijetesës”. Afirmimi në kuptimin e përmbushjes e paraqitjes individuale që është një zinxhir i gjatë për t’u shqyrtuar si duhet. Nuk është vendi për teorizime, të cilat do t’i marrim të mirëkuptuara, duke mundësuar disa kapërcime, siç vëmë këmbët mbi gurët për të kapërcyer ujin… Nuk mund të ketë afirmim në mëvetësi, jashtë një mjedisi kundrues, shqyrtues, kritik e vlerësues. Ne nuk jemi qenie shoqërore vetëm si forcë fizike pune, kemi identitetin e personalitetin tonë. Këto i afirmojmë në raportet profesionale tek punët që bëjmë, komunikimet dhe shqyrtimet e rastit. Por brenda nesh lëvrin vrullshëm një përrua psikik, që jep një produkt të pa shmangshëm shpirtëror. Në rastet më të shpeshta kjo gjallesë e jona shtypet, deformohet e ndrydhet në pamundësi afirmimi… Stimulimi ynë i brendshëm, shpesh është si ajo manushaqja mes ferrave, se atë e mbulojnë zakone, paragjykime, vetëpengimi dhe mungesa e një mjedisi të emancipuar. Nuk janë të gjithë mësimdhënës, inxhinierë, juristë, ekonomistë, mjekë apo infermierë, arritje që kërkojnë aftësi, përqendrim e këmbëngulje… që e kanë duken. Janë piktorë, shkrimtarë, këngëtarë, koleksionistë, fotografë amatorë e profesionalë, janë edhe amvisa, artiste të punës së dorës e shumë zanate e aftësi të mbetura fshehur. Është në shëndetin individual e shoqëror afirmimi i tyre. Një nga mjediset më të mundshme, më praktike e vlerësuese është shoqata. Duke e parë kështu, shoqata nuk ngjason me organizimin e një ndërmarrje ekonomike, por është organizim shpirtëror i një grupi të caktuar, që e përjetojnë si të tillë, kontribuojnë dhe e bëjnë të tillë.
Të gjitha këto duan bashkëpunim. Hapja dhe zgjerimi i aftësive të tilla krijuese i japin një frymëmarrje e gjallëri jetës sonë shoqërore. Si e tillë ka nevojë për ripërtëritje të vazhdueshme për forma e nisma të reja organizative, individë të rinj me ide nxitëse. Ky është kontribut në të mirën e hapësirave tona shpirtërore e më gjerë si shqiptarë e shqiptaro-amerikanë.
Gëzuar gjithë shqiptarëve dhe kontributorëve të shoqatës “Iliria” Saint Louis për këtë përvjetor dhe urime për suksese të mëtejshme!
Ndue Gjika,
Shkrimtar dhe nismëtar i shoqatës