




Ilirjana Latifi, kryetare e Shoqatës Shqiptare “Kosova” – Montreal, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Montreal përmes veprimtarive patriotike, komunitare dhe atdhetare. Ajo rrëfen imtësisht aktivitetet dhe përkushtimin dhe në fondacionin “The Artistè Foundation” e shkollën shqipe “Dardania”, veprimtari këto që rrisin, nxisin dhe promovojnë komunitetin shqiptar në Montreal.
Me patrioten Ilirjana Latifi bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
Historia e themelimit të Shoqatës Shqiptare “Kosova” – Montreal
Shoqata Shqiptare Kosova – Montreal ekziston tashmë pothuajse një dekadë. Megjithatë, unë preferoj të flas për periudhën kur mora drejtimin si kryetare. Fillimi nuk ishte i lehtë – përkundrazi, ishte i mbushur me sfida dhe përgjegjësi. Përballja me mungesën e buxhetit, përfundimi i kontratës së lokalit të shkollës Dardania, pamundësia për të siguruar pagesën e mësueses, aktivitetet e bllokuara për shkak të dokumentacionit dhe llogarisë bankare të pezulluar – ishin disa nga vështirësitë kryesore. Me shumë punë dhe përkushtim, arrita të rikthej funksionalitetin e plotë të shoqatës, të hapja konton bankare, të siguroja një buxhet stabil dhe ta vija Shoqatën përsëri në rrugën e duhur. Sot, shoqata ka një veprimtari aktive dhe një rol të rëndësishëm në komunitet.
Aktivitetet patriotike dhe komunitare
Shoqata jonë organizon aktivitete që ruajnë dhe forcojnë identitetin kombëtar shqiptar. Një sukses i veçantë ishte aktiviteti i parë me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, ku patëm një bashkëbisedim të frytshëm me diasporën. Gjithashtu, organizuam panairin e parë të librit në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Shqiptare dhe organizatën “Albanian Development Alternative”. Një tjetër moment i paharrueshëm ishte pikniku i përbashkët i Shoqatës Shqiptare Kosova – Montreal dhe Shoqatës Kulturore Shqiptare Montreal, ku prania e bashkatdhetarëve ishte shumë e madhe. Festat e fundvitit me babadimrin dhe dhurata për fëmijët e shkollës Dardania, si dhe festa e Pavarësisë së Kosovës me pjesëmarrje nga të gjitha trevat shqiptare, janë bërë tashmë tradita të bukura që mbledhin komunitetin.
Kontributi në bordin e “The Artistè Foundation”
Në “The Artistè Foundation” kam rolin e Project Manager. Falënderoj znj. Arta Rexhepi për ftesën që të jem pjesë e bordit. Fondacioni ynë ka për mision të fuqizojë komunitetin shqiptar, të mbështesë të porsaardhurit në Kanada, si dhe të ndërthurë trashëgiminë tonë kulturore dhe artistike me kauza të shëndetit, advokimit dhe drejtësisë. Ne synojmë të fuqizojmë gratë përmes artit, të japim hapësirë për zërat e tyre dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi për një shoqëri më të drejtë e gjithëpërfshirëse. Jam shumë e kënaqur me vëmendjen dhe përkrahjen që kemi fituar në një kohë të shkurtër dhe së shpejti do të prezantojmë organizimin tonë të parë zyrtar.
Aktivitetet kulturore dhe edukative me shkollën “Dardania”
Brenda Shoqatës, unë drejtoj edhe Shkollën Shqipe “Dardania”. Fillimisht, numri i nxënësve ishte shumë i vogël, por sot kemi arritur rreth 30 nxënës të regjistruar. Përfundimi i vitit shkollor 2024 u shënua me sukses, duke shpërndarë certifikata për nxënësit dhe dhurata për mësueset, si dhe duke organizuar një festë me prindër e fëmijë. Qëllimi ynë për vitin e ardhshëm është hapja e dy klasave, në mënyrë që mësimi të jetë më i favorshëm si për nxënësit, ashtu edhe për mësueset. Librat e shkollës janë furnizuar nga Ambasada e Kosovës në Ottawa, falë përkrahjes së ambasadorit z. Adriatik Kryeziu.
Promovimi i bizneseve shqiptare në Kanada
Shoqata jonë gjithashtu punon për të promovuar bizneset shqiptare në Kanada. Përmes sponsorimeve të tyre, kemi arritur të realizojmë aktivitete të rëndësishme kulturore dhe patriotike. Mbështetja e tyre është jetike për komunitetin tonë dhe meriton mirënjohje të veçantë.
Ndjenja e patriotizmit tek fëmijët
Puna kulturore dhe edukative e Shoqatës Kosova dhe e Shkollës Shqipe Dardania ka ndikuar shumë në rritjen e ndjenjës së patriotizmit tek fëmijët. Përmes mësimit të gjuhës shqipe, traditave, këngëve, valleve dhe historisë kombëtare, fëmijët po e forcojnë lidhjen e tyre me atdheun dhe rrënjët.
Kush është Ilirjana Latifi?
Rrjedh nga një familje artistësh, e rritur mes muzikës dhe vallëzimit. Kam mbaruar shkollën fillore të muzikës në Prenk Jakova – Prishtinë (flaut) dhe më pas në Shkollën e Muzikës Gjilan (kanto). Kam qenë pjesë e grupit “Xixëllonjat këndojnë” nën drejtimin e Drita Rud-it dhe më pas anëtare e Ansamblit “Idriz Seferi”, duke interpretuar si valltare dhe këngëtare.
Jam pjesëmarrëse në festivale të ndryshme për fëmijë dhe të rritur , ku kam fituar çmime dhe certifikata mirënjohjeje. Kam ndjekur gjithashtu trajnime për paqen, stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike, advokim dhe media. Në aspektin profesional, kam përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë në drejtimin Fitnes dhe Nutricion, ndërsa studimet universitare i kam përfunduar në Fizioterapi. Sot punoj si fizioterapeute, masoterapeute dhe specialiste e estetikës mjekësore. Jam nënë e tre fëmijëve, njëkohësisht një grua biznesi dhe kryetare e një shoqate. Për mua, puna vullnetare është mision dhe shembull që dua t’ua transmetoj fëmijëve të mi.
Mirënjohje dhe falënderime
Mirënjohja më e vlefshme për mua është përkrahja e komunitetit dhe bizneseve gjatë çdo aktiviteti të shoqatës. Falënderoj veçanërisht sekretarin e Shoqatës, z. Azem Bega, për ndihmën e jashtëzakonshme; mësuesen dhe ndihmësen e saj për punën e palodhur; prindërit e nxënësve për besimin dhe angazhimin; ambasadorin e Kosovës z. Adriatik Kryeziu për përkrahjen dhe furnizimin me libra; Konsullatën e Kosovës dhe z. Kadri Dakaj si dhe Ambasadoren e Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, për përkrahjen e vazhdueshme. Një falënderim i posaçëm shkon për gazetën “Dielli” në New York, është një nder që edhe puna dhe arritjet tona të gjenden në faqet e saj, duke na motivuar të vazhdojmë rrugëtimin me më shumë përkushtim.