Luljeta Xhediku/
Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi me madhështi, nën drejtimin e kryetarit të saj, z. Imer Laçaj dhe kryesisë, 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Amerikë, dy shteteve kaq të rëndësishme për ne. I pari është vendi ynë, vendi amë nga ku kemi rrënjët tona dhe i dyti është kjo tokë e bekuar ku po ndërtojmë jetën tonë dhe të fëmijëve tanë. Çdo gjë ishte mirëorganizuar, që nga anëtarët e shoqatës që ishin rreshtuar për të pritur të ftuarit, duke u dhënë dorën përzemërsisht pjesëmarrësve, e deri te flamujt e tullumbacet me flamurin shqiptar e atë amerikan të vendosur në çdo tavolinë. Një kënd tepër i rëndësishëm ishte rezervuar për disa foto, të cilat u publikuan për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe janë dhuruar nga Biblioteka Noliane në Boston posaçërisht për shoqatën shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, me rastin e festimeve të 100-vjetorit. Në këto foto pasqyroheshin përpjekjet e komunitetit shqiptar për të krijuar marrëdhënie me shtetin amerikan. Programin e prezantoi në mënyrë tejet profesionale, sekretarja e shoqatës znj. Alketa Ktona Veshi. Programi u hap me këndimin me dorë në zemër, ashtu siç u takon dy himneve tona, atij amerikan dhe shqiptar. Fjala e hapjes së simpoziumit dhe drekës argëtuese u mbajt nga kryetari i shoqatës z. Imer Laçaj. Z. Laçaj u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe anëtarëve të shoqatës në këtë event tepër të rëndësishëm siç ishte 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera, z. Laçaj theksoi: “Të nderuar pjesëmarrës, ndodh rrallëherë në histori që një shtet kaq i madh sa është SHBA, me ekonominë më të fuqishme në glob, superfuqia më e madhe ushtarake botërore, simbol i përjetësimit të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lirë të ofrojë miqësinë dhe përkushtimin ndaj një populli të vogël siç është kombi ynë. Ne ndihemi me fat dhe krenar për këtë. Theksoj, vazhdoi zoti Laçaj se, lidhjet tona filluan me vendosmërinë e Presidentit Thomas Woodrow Wilson për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë dhe ruajtjen e pavarësisë së vendit tonë në Konferencën e Paqes që u mbajt në Paris më 18 janar 1919 deri më 21 janar 1920 dhe që përfundoi me krijimin e Lidhjes së Kombeve”. Sipas z. Laçaj, një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve dypalëshe, luajti dhe atdhetari, Fan Stilian Noli, themeluesi i “Vatrës”, që me diplomacinë e tij, arriti të takohej me Presidentin Wilson, dhe pikërisht dokumentet dhe fotot që po publikohen ekskluzivisht për këtë aktivitet pasqyrojnë veprimtarinë e Nolit. Pas kryetarit Laçaj, përshëndeti simpoziumin dhe aktivitetin Kryetari i Nderit i shoqatës, z. Bashkim Shehu. Z. Shehu, pasi falënderoi kryetarin e shoqatës, z. Imer Laçaj, për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm theksoi se: “Sot ne jemi mbledhur për të kujtuar një nga ditët më të shënuara të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht jubileun e 100, të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Për rëndësinë e kësaj dite ne do të kemi nderin të dëgjojmë një nga mendimtarët më të shquar shqiptaro-amerikan siç është profesor Frank Shkreli.” “Unë,” vazhdoi zoti Shehu, “gjithashtu dua të përgëzoj nga zemra dy nga anëtarët e Nderit të shoqatës, znj. Kozeta e z. Qemal Zylo, të cilët vetëm një javë më parë u dekoruan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Gjithashtu, ai falënderoi të gjithë anëtarët e shoqatës dhe në mënyrë të veçantë ish-kryetarin e shoqatës, z. Mark Qehaja, për kontributin dhe punën e vazhdueshme për çështjen shqiptare.
Në emër të Konfederatës Panshqiptare “Vatra” përshëndeti përzemërsisht publicisti zoti Idriz Lamaj, i cili falënderoi kryesinë e shoqatës, për organizimin e kësaj ngjarjeje tërësisht historike siç është 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas fjalës përshëndetëse u mbajtën temat e simpoziumit.
Tema e parë “Komuniteti shqiptaro-amerikan dhe 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike “Shqipëri – Amerikë u referua nga profesor Frank Shkreli. Tema e dytë “Roli i shoqatës “Vatra”, në marrëdhëniet Shqipëri – Amerikë para viteve 1946 u referua nga Dr. Paulin Marku. Tema e tretë u mbajt nga ast. Prof. znj. Majlinda Tafaj me temë “Konteksti i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- SHBA pas viteve 1990-1991”.
Për herë të parë, shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. në kuadër të këtij 100-vjetori prezantoi grupin e valleve “Skënderbej”, i cili u drejtua me profesionalizëm nga balerini i mirënjohur, z. Klevis Tafaj. Në këtë jubile, grupi i valleve luajti vallen e Tropojës. Koreografia e realizuar plot mjeshtëri nga drejtuesi artistik, Klevis Tafaj, njëkohësisht anëtar i shoqatës, interpretuar nga valltarët e grupit emocionoi të madh e të vogël dhe duartrokitjet ishin të panumërta. Emocionet e kësaj valleje bënë që më pas të gjithë të çoheshin e të vallëzonin nën tingujt e mrekullueshëm të muzikës sonë shqiptare të përzgjedhur nga D.J. Bujar Sadikaj, nga të gjitha trevat shqiptare, njëkohësisht anëtar i kryesisë së shoqatës. Gjithashtu, një moment tepër të rëndësishëm mori edhe prezantimi i website-it të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. nga inxhinieri teknik, z. Ervin Toro. Qershia mbi tortë e këtij aktiviteti do të ishte interpretimi plot pasion i poezisë “Një shekull marrëdhëniesh në miqësi” nga znj. Majlinda Tafaj dhe shkruar nga publicistja e njohur, znj. Bukurije Buçpapaj. Aktiviteti u mbyll nën një atmosferë tepër festive mes miqsh, duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin ashtu siç edhe marrëdhënia e dy shteteve tona do jetë gjithmonë.
New York, 20 qershor 2022