Luljeta Xhediku
New York/
Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi me madhështi 5-vjetorin e themelimit të saj. Anëtarët e kësaj shoqate, si dhe të ftuarit e nderit u mblodhën së bashku për të festuar këtë 5-vjetor të shoqatës që si moto ka mbajtjen gjallë të atdhedashurisë, gjuhës, kulturës e traditave tona, si dhe t’u trashëgojmë brezave të rinj historinë tonë kombëtare. Kryesia e shoqatës, nën drejtimin e kryetarit të saj, z. Imer Lacaj, organizoi një aktivitet të larmishëm që do të bënte të ndihej si në Shqipëri të madh e të vogël në atë sallë të zbukuruar plot hijeshi me simbolet shqiptare dhe të shoqatës. Programin e drejtuan në mënyrë tejet profesionale dy anëtarë të nderuar të kryesisë siç janë znj. Alketa Veshi, që mban edhe postin e sekretares dhe luftëtari i UÇK-së, Qerim Gjocaj, anëtar i kryesisë. Programi u hap me këndimin e dy himneve kombëtare atij amerikan dhe shqiptar. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane, z. Imer Lacaj, i cili duke falënderuar të gjithë të pranishmit në sallë edhe të gjithë ata që kanë kontribuar në themelimin e kësaj shoqate veçanërisht punën e palodhur të dy kryetarëve të nderit, z. Bashkim Shehu, dhe z. Mark Qehaja, z. Qemal Zylo, drejtor i shkollës dhe tv “Alba Life”, Very Taushllari, Përparim Likollari, Isa Brecani dhe Sait Seci. Z. Lacaj i njohu të pranishmit me të gjitha aktivitetet e suksesshme që kjo shoqatë ka bërë në këta 5 vjet dhe u uroi të gjithëve gëzuar e kështu si sot festofshin gjithmonë. Z. Lacaj në këtë 5-vjetor ndër të tjera theksoi: “Jemi mbledhur sot që të nderojmë e festojmë me krenari 5-vjetorin e themelimit të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që më takoi mua si kryetar i zgjedhur për mandatin tim për të mbajtur fjalën e rastit dhe për të përshkruar shkurtimisht historinë e themelimit të shoqatës sonë. Nuk e besoja kurrë në ditën e themelimit që një ditë do të bëhesha kryetar i saj, por kam marrë pjesë në mbledhjen e themelimit, kam qenë dëshmitar e aktivist i të gjitha aktiviteteve dhe ndryshimeve në shoqatën tonë”. Pas z. Lacaj në podium për të përshëndetur 5-vjetorin u ngjit z. Bashkim Shehu, nismëtar dhe pjesëmarrës në mbledhjen e themelimit të shoqatës, njëkohësisht edhe kryetar nderi i saj. z. Shehu, i cili theksoi se ndihej shumë krenar për të gjithë anëtarët e shoqatës për kontributin e tyre edhe gjithashtu pjesëmarrësit që bashkëthemeluan këtë shoqatë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm si z. Mark Qehaja dhe z. Qemal Zylo. Më pas në podium do të ngjiteshin për të përshëndetur personalitete të shquara të Diasporës shqiptare si Dr. Pashko Camaj, nënkryetar i konfederatës “Vatra”, Fran Shkreli, publicist i shquar, z. Sokol Paja, editor i gazetës “Dielli”, z. Qemal Zylo, pjesëmarrës në themelimin e shoqatës shqiptaro-amerikano “Skënderbej” dhe president i shkollës shqipe dhe TV “Alba Life”, si dhe themeluesi dhe njëkohësisht kryetari i Nderit, z. Mark Qehaja. Qehaja duke uruar gëzuar 5-vjetorin u shpreh: “ 5 vjet nuk janë pak për shoqatën tonë kur mendon nga e nisëm. Gjatë këtyre 5 viteve shoqata jonë është rritur duke u bërë një nga më të njohurat e me aktivitet si në komunitetin shqiptar e Diasporë , por edhe më gjerë duke u shtrirë në të gjitha trojet shqiptare”. Programi artistik u hap nga grupi i valleve “Skënderbej”, të cilët të veshur me kostume popullore shqiptare ndezën atmosferën duke interpretuar “Vallen e Tropojës”.
Kryesia shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. për kontributin dhe përkushtimin në realizimin me sukses të aktiviteteve të shoqatës nderoi me certifikata mirënjohjeje disa anëtarë të saj dhe personalitete të njohura si: z. James Mandel, z. Bashkim Shehu, z. Mark Qehaja, z. Pashko Camaj, z. Sokol Paja, z. Qemal Zylo, z. Lekë Preçi, znj. Arta Xhaferi, znj. Alketa Veshi, z. Përparim Likollari, z. Esat Seci, z. Isa Brecani, znj. Liri Godosis, z. Klevis Tafaj dhe z. Asllan Bushati.
Më emocionues festimin e 5-vjetorit e bëri pranimi i anëtarëve të rinj, të cilët ishin shumë entuziastë për t’u bërë pjesë e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. ata ishin: Elvis Shega, Arbër Lleshi, Shkëlzen Manuka, Melita Cekani, Ergys Tafaj, Lidmir Hatia, Lindita Hatia, Paulin Gjegjaj, Hafije Qyqalla. Atmosfera festuese vazhdoi me një valle përshëndetëse nga grupi i fëmijëve “Bijtë e Shqipes”, të cilët performuan “Vallen Shqiptare”, një poezi kushtuar shoqatës nga rapsodi popullor, Isa Brecani, një këngë nga grupi “Skënderbej” “Bedri Shala”, performanca e grupit “Treva” me drejtues Fran Kodrën, si dhe një performancë me lahutë nga Shaban Lajçi dhe Hysen Kurtaj nga Rugova. Sallën e zbukuruan pikturat e punuara me mjeshtëri nga znj. Melita Cekani, e cila i ekspozoi enkas për 5-vjetorin e shoqatës. Më pas festa vazhdoi nën tingujt e muzikës me këngëtarët Entela Ilirjani, Edmond Nikolli, si dhe DJ Dritan Papa. Suksese shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. dhe festofsh përvjetorë pa fund!