Intervistë e Kryetares së Bashkësisë të Shoqatës Shqiptaro- Kanadeze,
Aida Lumi-Bejte, dhënë gazetarit Avdulla Kënaçi/
Ju prezantoj një grua të hekurt; mbaron shkëlqyeshëm Universitetin në Tiranë, por në Toronto e nis punën si pastruese. Diplomohet edhe në Kanada shkëlqyeshëm dhe tani prej vitesh është Drejtuese e Përgjithëshme e Financës dhe Adminstratës për një grup kompanish kanadeze me veprimtari prej qindra milionë dollarësh. Parimi i saj: ngarko me punë ata që dinë të punojnë, ata që janë të zënë me punë. Çfarë kërkon të arrijë ajo me Shoqatën Shqiptare, a do të mund t’ia dalë ta bëjë një Bashkësi model?! Brezave që vijnë t’u lemë trashëgim Shqiptarinë- thotë ajo.
-Para disa javesh njëzëri ju u zgjodhët nga komuniteti shqiptar i Torontos, kryetare e shoqatës, si e pritët këtë vlerësim të bashkatdhetarëve tuaj?
-Kur një grup njerëzish apo një bashkësi e tërë të vë gishtin e të thotë me vota unanime: “Ti do të na drejtosh…” është një barrë e rëndë, përgjegjësi, por edhe nder e respekt i madh. Duhen bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të mos zhgënjyer askënd. Eshtë punë që kërkon përkushtim dhe sakrificë. Të gjithë ne angazhohemi vullnetarisht në Shoqatë, ndërkohë që kemi punë me kohë të plotë dhe detyrime të tjera familjare të jetës sonë të përditshme, jashtë shoqate. Përse e pranova këtë detyrë? Eshtë dëshira e mirë e imja dhe ajo ndjenja e bukur e shqiptarisë që e kemi në zemër e që na bën ta gjejmë kohën dhe energjinë e duhur për t’iu përkushtuar mbarëvajtjes së punëve në Shoqatë.
Në hapat tuaj të parë, ndjeheni optimiste, e zhgënjyer apo entusiaste?
Përgjithësisht unë jam natyrë pozitive. Jeta më ka mësuar që edhe aty ku duket zymtë, ta gjej një fije drite dhe të kapem pas saj e të çaj me vendosmëri mes reve derisa të shoh diellin me shkëlqim të plotë.
Çfarë e bën optimiste apo jo punën në Shoqatë, nuk është vetëm drejtuesi. Për mua më tepër rëndësi ka grupi i punës. Ka një shprehje të bukur populli ynë “Trimi i mirë e me shokë shumë”. Dhe ne jemi një grup njerëzish në bord që e duam shqipen dhe jemi të gatshëm të japim më të mirën nga vetvetja për ta lartësuar emrin e shqiptarit në Kanada dhe jo vetëm, por të ndërtojmë diçka me vlerë që të mbetet edhe për brezat e ardhshëm. Mosha mesatare e bordit është e re, aty përfaqësohen gjithë trevat shqiptare dhe të trembëdhjetë anëtarët janë me profesione të ndryshme. Mirpo unë dëshëroj që ata të marrin barrë përsipër, të mos jenë thjesht për të ngritur dorën, por të kundërshtojnë apo pohojnë me argumente, të japin ide dhe të organizojnë aktivitete ashtu siç është njeri prej tyre, koreografi Ramazan Këllezi. Qysh në mbledhjet e para, atyre ua kam bërë të qartë këtë lloj qëndrimi të pjesëmarrjes në Shoqatë dhe shpresoj të më kenë mirëkuptuar.
Mendoj se komuniteti ynë sot është në një pikë delikate të zhvillimit të tij. Duhet të kthejmë më shumë sytë nga e ardhmja, nga fëmijët tanë. T’u krijojmë mundësinë atyre që edhe pas shumë brezash të ndjehen krenarë e kurrë të mos e harrojnë identitetin e tyre. Personalisht, sa më shumë largohem nga Shqipëria, aq më shumë e dua atë.
Unë desha të bëjmë një sinops të shkurtër të jetës suaj për lexuesit , arsimimi, shkaku i emigrimit, vështirësitë e para, natyralizimi në Kanada, etj. Me një fjalë, si ia keni dalë të jeni e suksesshme?
Suksesi është term relativ. Kam shijuar arritjet e mia po aq sa edhe humbjet. Por ajo që më bën të lumtur është se ndjehem në paqe me vetveten pasi kam bërë dhe vazhdoj të bëj atë që kam dashur dhe dua në jetë edhe kur ka qenë pothuajse e pamundur. Kam rënë shumë herë, por prapë e kam gjetur forcën për t’u ngritur.
Jam lindur e rritur në një qytet të vogël në zemër të Shqipërisë, por të lashtë. Qyteti im i lindjes, Peqin, karakterizohet nga njerëz paqësorë e mikpritës si dhe shumë të dashur. Prej babait origjinën e kemi nga një fshat i Labërisë i shquar për patriotizëm e atdhedashuri. Pasi mbarova shkollën e mesme, u vendosa në kryeqytet ku vazhdova studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Ekonomik për degën Financë-Kontabilitet. Megjithëse mbarova universitetin me rezultate të shkëlqyera, e pata të vështirë të gjej një punë të mirë në profesion. Isha një vajzë që vija nga një qytet i vogël, aq më tepër nga një familje që ishte nga ato të persekutuarat e sistemit komunist. Unë nuk i kisha “lidhjet” dhe njohjet që kërkonte ajo kohë. Aq më tepër, isha një nga ata njerëzit e drejtë që koha e atëhershme i konsideronte si “jashtë realitetit” sepse unë nuk isha “e zonja” për politikë. Kështu që në shkurt të vitit 1997, në vitin e trazirave e rrëmujave, kur u duk se shpresat në vendin tim për të përparuar po shuheshin, emigrova në Kanada së bashku me bashkëshortin tim.
Kuptohet, si të gjithë emigrantët e tjerë, që e kanë një histori të tyren, edhe unë kam timen. Me vështirësi e sakrifica e ndërtuam jetën tonë te re këtu në Toronto. Tashmë kam 18 vjet që jetoj e punoj në këtë vend me hapsira dhe mundësi të pafunde. Kurrë nuk e përbuz punën. Me të njëjtin përkushtim e kam bërë punën e pastrueses në një institucion financiar vitin e parë në emigrim dhe po me të njëjtin pasion e përkushtim prej vitesh bëj punën e Drejtueses së Përgjithëshme të Financës dhe Adminstratës për një grup kompanish me veprimtari prej qindra milionë dollarësh. Kanadaja më pëlqen sepse është vend i mundësive. Njeriu respektohet dhe vlerësohet për kontributin që jep. Ndjehesh i barabartë në mes të barabartëve, sidomos në Toronto i cili është një qytet ku çpaloset një mozaik kulturash dhe me një moshë mesatare të re, tek të dyzetat.
Keni ndonjë traditë të emigrimit të hershëm të familjes suaj në Perëndim?
Po. Nga ana e babait, xhaxhai i tij, Hamit Lumi, emër që e trashëgon edhe im at, ishte një nga Vatranët e hershëm në fillim të viteve 1910 në Amerikë. Hamiti ishte burgosur nga pushtuesit turq për çeljen e klubeve shqiptare në Vlorë dhe hapjen e shkollave shqip në qytet dhe fshatrat e Labërisë. U dënua dy herë, në fillim me 20 vjet burg, pastaj po në burg me 101 nga që asnjëherë nuk hoqi dorë nga misioni i tij; u mësonte shqip të burgosurve të tjerë. Ai vetë kishte mbaruar shkollën “Zosimea” të Janinës së bashku me rilindas të mëdhenj. Në Vlorë u bë nismëtar i çeljes së shkollave shqip dhe klubeve patriotikë, pikërisht për këtë u dënua.Pas tetë vjetësh burg, xhonturqit që pranuan të bënin reforma e të njihnin gjuhën shqip, e lëshuan nga burgu. Hamiti nuk reshti asnjë ditë pa punuar në dobi të pavarësisë e shkollave shqip, ai mori pjesë si delegat i Kurveleshit në Kuvendin e Manastrit të Cepos më 21 korrik 1911, por përndjekjet vazhduan, rrezikohej të futej përsëri në burg. Kështu ai emigroi në Boston ku menjëherë bashkëpunoi me gazetën “Dielli” dhe për një kohë u bë administrator i saj. Ishte nga aktivistët më të shquar të mërgatës shqiptare në Amerikë. Më 1916 u paraqit me disa shkrime në të përjavëshmen “Mbrojtja shqiptare” që dilte në St. Louis të Ilinosit. Më 1917 u kthye përsëri në Boston ku filloi botimin e revistës politike e shoqërore “Luftëtari i Drejtësisë”. Në gazetën e ilustruar “Albania”, ka marrë pjesë me një varg shkrimesh polemizuese. Ka botuar plot shkrime edhe në gazetën “Koha” të Mihal Gramenos. Shumë shkrime janë të botuara me pseudonime si Vlora, Cingla, Lopata, Labi…Gjithë jeta e tij shkoi në shërbim të çështjes shqiptare dhe unë krenohem që në trungun tim, ashtu edhe si nga nëna, vij nga një familje atdhetare. Kjo më motivon të marr përgjegjësi të mëdha në Bashkësinë shqiptare ashtu edhe siç po veproj.
Si jeni bërë e njohur midis bashkatdhetarëve tuaj, a ju pengon ky aktivitet në detyrimet tuaja familjare?
Jeta dhe puna më ka lidhur me shumë bashkatdhetarë këto 18 vite në emigrim. Gjithashtu kam më tepër se një vit që kontribuoj dhe marr pjesë rregullisht në Shoqatë. Aty jam njohur me shumë atdhedashës. Ndryshe nga vendet e tjera, Kanadaja, ka një emigracion të ri cilësor, shumica e tyre janë me arsim të lartë mbasi të tilla janë kriteret e pranimit. Ka këtu muzikantë, balerinë, gazetarë, operatorë filmash, regjisorë, shkrimtarë, poetë, etj. Në ditët dhe muajt në vazhdim përmes aktiviteteve të ndryshme që do të zhvillojmë, do kem mundesinë të njihem personalisht edhe me më tepër bashkatdhetarë.
Punën në shoqatë e bëj me shumë dëshirë. E ndej si detyrë shpirtërore. Dhe kur njeriu e bën diçka me pasion, pengesat i bëhen mundesi. Jam me fat, kam një familje që vazhdimisht më mbështet. Pavarësisht ngarkesës që kam, mundohem ta gjej kohën çdo ditë t’u telefonoj prindërve apo t’i vizitoj ata, t’i shoqëroj fëmijët në aktivitet e tyre sportive apo kulturore, apo thjesht të bëjmë një bisedë familjare, ndërsa mblidhemi mbrëmjeve në shtëpi.
Një mik, njëkohësisht dhe ish-drejtues i imi, që e kam në jetën kanadeze model dhe udhërrëfyes në profesion, thotë: “nëse do që puna të bëhet, jepja dikujt që është i zënë”. Realisht vetëm ai që ka vullnet për punë, është gjithënjë punëmbaruar. A kam kohë unë për Shoqatën? Në pamje të parë do të thoja jo, jam e zënë. Por unë di të punoj dhe jam e bindur se Shoqatën do ta zmadhoj dhe secili bashkëkombas do të gjejë mbështetje falas tek kjo Shoqatë që nga punësimi, ambjentimi, shkollimi, gëzimi dhe argëtimi. Unë dëshëroj që Shoqata të jetë një Shqipëri e vogël këtu në Toronto.
Çfarë do të bënit ju ndryshe nga parardhësja juaj që edhe ajo ka qënë grua?
Zgjedhja e një gruaje në drejtim, mendoj, tregon formimin dhe pjekurinë që ka arritur komuniteti ynë. Dr Ruki Kondaj, me shumë kurajo diti ta futë shoqatën në linjat e një institucioni të vërtetë.
Për mendimin tim, të qenit grua apo burrë, pak rëndesi ka. E rëndësishme është të gjendet njeriu i duhur për punën e duhur me qëllim që çdo gjë të shkojë mbarë.
Unë kam dëshirën e mirë dhe vendosmerinë ta çoj më përpara atë punë që parardhësit e mi kanë bërë ndër vite. Të mos harrojmë, kjo Shoqatë ka një çerek shekulli që funksionon. Shumë individë kanë sakrifikuar nga vetja që ajo të mbijetojë. I përulem me respekt kujdo parardhës që ka kontribuar për Shoqatën dhe ju uroj mirëseardhjen të gjithë bashkëkombasve që për një arsye apo një tjetër nuk e kanë patur mundesinë apo kohën të kontribuojnë deri më sot. E kemi detyrë morale si shqiptarë ta mbajmë në këmbë këtë shtyllë dalluese të identitetit tonë kombëtar këtu në Kanada.
Keni rreth vehtes suaj një grup aktivistësh të shquar, i njihni ju ata dhe si i vini në lëvizje?
Kam fatin të punoj me një grup aktivistësh që kushdo do ta kishte ëndërr të punonte me ta, janë të gjithë të rinj dhe të kombinuar edhe si gjini, por edhe si përfaqësues trevash shqiptare, ka nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Jemi një grup prej trembëdhjetë vetë me larmi aftësish profesionale që vërtet plotesojnë njeri-tjetrin duke fomuar një njësi të tërë monolite. Gjithsecili vjen të punojë me dëshirë dhe vullnetarisht. Dëgjojmë me vëmendje dhe respektojmë njeri-tjetrin. Veçse do të kujtoja këtu se vërtet është nder dhe respekt nga komuniteti të bësh pjesë në kryesinë e shoqatës, por kjo nuk duhet të jetë si një mburrje apo privilegj, por si një përgjegjësi për ta ushqyer shoqatën me ide, mendime dhe aksione që secili duhet të marrë përsipër. Kurrsesi nuk na duhen jesmenë. Gjithëçka është vullnetare dhe puna vullnetare nderohet e respektohet nga komuniteti ynë. Asnjeri nuk duhet të harrojë se aktivizimi i secilit monitorohet nga bashkesia e cila në përbërje ka intelektualë të shquar.
Aty ku ka cilesi, drejtohet me kënaqësi.
Disa bashkatdhetarë të cilët janë indiferentë ndaj Shoqatës, thonë se me shoqatën abuzohet (vidhet), ka ndonjë të vërtetë tek ky opinion apo është një justifikim për të mos marrë pjesë në Bashkësi?
Unë do t’i lutesha kujtdo që ka qoftë dhe dyshimin më të vogël, të bëhet anëtar së pari, dhe me t’u bërë anëtar unë personalisht do t’i vë në dispozicion të gjithë pasqyrën financiare të Shoqatës, qindarkë-për-qindarkë. Nëse gjejnë qoftë edhe më të voglin abuzim, jo vetëm që do të jap dorëheqjen e menjëhershme, por jam e gatshme ta paguaj personalisht dëmin. Me marrjen në dorëzim të aktivitetit financiar të Shoqatës, kam punuar me ditë të tëra të evidentoj dhe të kontrolloj hyrjet e daljet e parave që nga viti 2008, kaq më lejonte sistemi bankar. Aty kanë lënë gjurmë të gjitha lëvizjet e parave. Kjo pasqyrë do të vazhdojë të jetë e hapur e tarnsparente për çdo anëtar të Shoqatës, është e drejtë e secilit të dijë ku kanë shkuar e si janë shpenzuar paratë e tij. Po kështu kjo llogari është e hapur edhe për median. Jam e gatëshme t’i vë përpara syve edhe çdo gazetari të licensuar i cili do të marrë përsipër të shkruajë në shtyp apo televizion për mbarëvajtjen e Shoqatës.
Kam pak muaj që e kam marrë këtë detyrë, por shoh shumë njerëz të interesuar të afrohen në Shoqatë, ata janë të mirëpritur. Disa kanë shfaqur dëshirën të kontribojnë dhe ne donacionin e tyre nuk do ta lëmë të shkojë në boshllëk, por do ta propagandojmë në komunitet dhe në të gjitha mediat me te cilat kemi marrëdhënie të ndërsjellta. Ka një propozim për të krijuar një bibliotekë me libra në gjuhën shqip duke dhuruar nga secili, aq sa ka mundësi. Jo vetëm do ta krijojmë këtë bibliotekë, por do të ekspozojmë edhe emrin e secilit dhurues në krye të raftit. Janë të mirëpritur të sjellin botimet e tyre gjithë letrarët që jetojnë e punojnë këtu. Ne jemi të mendimit të organizojmë edhe promovime të veprave të tyre në shqip apo në anglisht.
Ka ardhur koha të kemi një qendër tonën ku të mblidhemi, një qendër derë-hapur në çdo kohë për shqiptarin dhe mikun e tij. Shtëpia e Shqiptarit do të flasë shqip. Aty do të këndohet e kërcehet shqip, nga vallet e kostumet e Çamërisë e deri tek veshjet popullore karakteristike të Kosovës, Ulqinit, Shkodrës, Shkupit, Mitrovicës, Podgoricës, të Lindjes e të Jugut të Shqipërisë. E kur puna e hallet e jetës të lodhin, do të kesh një vend ku të shplodhesh e të mbushësh shpirtin me mall e frymëzim, ndërsa shkëmben një fjalë në gjuhën tënde, lexon një libër në shqip, shikon të rinjtë që përparojnë e u ofrohen shërbimet e duhura për trainim e punësim, ku fëmijët e fëmijëve mësojnë gjuhën e ëmbël të Naimit e të Mjedës. E vetëm atëherë mund të themi se e kemi bërë mirë detyrën tonë, u kemi lënë brezave trashëgim shqiptarinë.
Shoqatat janë edhe ura lidhëse midis vendit të origjinës dhe vendit ku banojmë, si do ta forconi më tepër ju këtë lidhje?
Mendimi im personal është që momentalisht lidhjet me vendin mëmë përsa i perket anës institucionale, lenë shumë për të dëshiruar.
Siç e përmendni edhe ju në pyetjen tuaj, Shoqata duhet të jetë një urë lidhëse. Unë e perceptoj këtë urë me dy kahë. Le të mos harrojmë që Kanadaja ka thithur një pjesë të mirë të intelektit shqiptar. Për këdo agjendë qeveritare shqiptare, i ikuri s’duhet të jetë “i harruari”, aq më tepër kur vlerën po ia di më tepër bota se sa vendi i vet.
Nga ana tjetër, edhe ne duhet të bëjmë më tepër për vendin tonë. Psh, thjesht ta promovojmë mes miqsh e kolegësh Shqipërinë këtu në popullsinë kanadeze. Neve na ka falur natyra një vend të mrekullueshëm që çdo turist do të mahnitej me bukuritë e Shqipërisë.
Kandaja është një vend i ri, me klimë tjetër, një shtet i krijuar vonë dhe çdo kanadez do të habitej duke vizituar vendin tonë mesdhetar me një histori të lashtë e të lavdishme. Le të ecim në 100 kilometra rrugë nga Tirana në Shkodër. Të befason ndryshimi i natyrës në çdo kilometër, fauna dhe flora; luginë, mal, fushë, lumë, lagunë, det, plazh, liqen, kështjella, traditë, artizanat e mbi të gjitha muzeu i Skënderbeut në Krujë. Mora vetëm një shembull.
Konkretisht ne si Shoqatë do të punojmë që të grumbullojmë informacionin në bazë të nevojave dhe t’i vijmë në ndihmë kujtdo që ka interes për Shqipërinë apo edhe anasjelltas për Kanadanë.
Një nga qëllimet e Shoqatës është ruajtja e identitetit shqiptar, gjuhës, zakoneve, traditave, me një fjalë kulturës shpirtërore, çfarë planesh keni ju në këtë drejtim?
Ne do të mundësojmë vazhdimësinë e aktiviteteve që Shoqata tashmë ka krijuar traditën e saj në organizim, si: Festimi i festës së Pavarësisë Kombëtare në Nëntor, apo festimi i Pavarësisë së Kosovës në Shkurt, Pikniku i Verës në komunitet të cilin sivjet kemi planifikuar ta bëjmë më të gjallë e gazmor duke zhvilluar edhe një mini konkurs me grupet folklorike që do të marrin pjesë, promovimi i klasave të gjuhës shqipe, prania e grupit artistik të valleve “Shqiponjat e Vogla” në të gjitha aktivitetet tona kulturore, përgatitur me shumë dashuri e profesionalizëm nga koreografi i mirënjohur, Ramazan Këllezi, që njëkohësisht është edhe Zv Kryetar i Shoqatës, e shumë e shumë aktivitete të tjera që promovojnë kulturën dhe traditat shqiptare.
Në qendër të punës sonë gjithashtu do të jetë bashkëpunimi dhe promovimi i bisneseve shqiptare që kemi në komunitet. Duhet të ndihmojmë më shumë njeri-tjetrin.
Ruajta e identitetit shqiptar është një objektiv madhor i punës sonë si Shoqatë, e si e tillë ka rëndësi strategjike. Duhet t’i kthejmë sytë nga e ardhmja. Eshtë përgjegjësi e jona t’u përcjellim fëmijeve tanë identitetin tonë kombëtar. Njeriu po nuk diti nga vjen, nuk di as ku shkon.
Unë i bëj thirrje ndërgjegjes së çdo bashkëkombasi këtu në Kanada: Bashkohuni me mua dhe me grupin që unë drejtoj! Ejani të ndërtojmë së bashku shtëpinë tonë, Shtëpinë e Shqiptarit në Kanada! Emri dhe kontibuti juaj do të gdhendet jo vetëm në muret e asaj ndërtese, por edhe në historinë e brezave shqiptaro-kanadezë.
Faleminderit për intervistën!
Iljaz Lokku says
Aida, falemnderit per perfaqesimin e denje te Shoqates shqiptaro-kanadeze te Torontos ne Kanada qe sivjet shenon vitin jubilar dhe feston 25 vjetorin e themelimit saj. Vete permbajtja e intervistes eshte deshmi e pakontestueshme se pse ti je zgjedhur nga bashkekombetaret te drejtosh timonin e kesaj Shoqate qe perndryshe ka marr vleresime edhe nga disa kryeministra kanadez si dhe Madheria e saj, mbreteresha Elizabet e II edhe per kontributin jashtekomunitar, perbrenda mozaikut kanadez ngase eshte pikerisht pronesimi i pergjegjesise qe manifestojne prijesit e saj per transparence dhe gjitheperfshirje.
naxhije canolli says
e falenderojm ketë gazet qe po marrim informata nga atje per te dashurit tan