Nderohet Bir i Lirisë, ushtar i UÇK-së z.Blerim Gjocaj në 45 vjetorin e ditëlindjes së tij/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në ditën e nënave në Amerikë, më 9 Maj, anëtarë dhe dashamirës të Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. u mblodhën së bashku në restorantin “Pine” në Bronx. Aktiviteti u organizua nën drejtimin e kryetarit të saj z.Mark Qehaja dhe anëtarëve të kryesisë. Në këtë aktivitet nderoi me pjesëmarrjen e tij Z.David Tubiolo, Ligjvënës në Westchester County dhe mik i madh i shqiptarëve, Gjeneral Asllan Bushati, ish n/kryetar i Vatrës si dhe Qerim Gjocaj ushtar i UÇK-së. Që në hyrje të sallës ndrinte Flamuri Kombëtar kuq e zi, përballë tavolinës një kornizë e artë që mbante brenda fytyrën e ushtarit të UCK-së Blerim Gjocaj si dhe lulet shumëngjyrëshe të Majit për zonjat që morën pjesë në këtë mbrëmje të bukur.
Programin e moderoi me plot përkushtim znj.Alketa Ktona njëkohësisht dhe sekretare e shoqatës. Znj.Ktona ftoi pjesëmarrësit të këndonim së bashku Hymnet e Flamurit Kombëtar dhe Amerikan, që u drejtuan nga z.Bujar Sadikaj DJ. Ajo tha se së pari një urim të veçante i çojmë të gjitha nënave, që me mund dhe sakrifica të pashembullta nxjerrin fëmijët në jetë!
Fjalen e hapjes e mbajti z.Mark Qehaja kryetari i shoqatës i cili tha:
U bënë tre vjet qe nga krijimi i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”, kjo ka qenë kohë e mjaftueshme për të shpalosur gjithë veprimtarinë tonë.
Mirënjohja jonë sot shkon për ata që e bën të mundur themelimin e kësaj shoqate e në veçanti
z Bashkim Shehu, avokatin e njohur z.James Mandeli që përgatiti dokumentacionin e gjithashtu Departamentin e Shtetit të New York-ut që e njohu ligjërisht.
Po t’i hedhim një vështrim në harkun kohor të tre viteve kemi shumë arsye për të qenë entuziastë për atë çfarë kemi bërë e realizuar së bashku me mirëkuptim e bashkëpunim të vazhdushëm qoftë dhe në kushte të vështira të pandemisë duke mos ndërprerë për asnjë moment veprimtarinë tonë. Le të ndalemi konkretisht në disa nga aktivitetet kryesore të zhvilluara, të cilat për cilësinë e realizimit dhe rëndësinë e tyre, frymën atdhetare e patriotike dhe mezazhin që kanë transmetuar te publiku kanë lartësuar emrin e prestigjin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Skënderbej në hapësirën mbarë Shqiptare, duke i dhënë shtysë dhe që aktiviteti yne të shtrihet edhe në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Shoqata jonë mban emrin e Heroit Kombëtar “Skenderbej” dhe natyrisht fokusi i aktivitetit kryesor është përqendruar në çdo ngjarje që lidhet me emrin e Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbej.
Aktivitete të mire organizuara kanë qenë si: festimi i 550 vjetorit të lindjes së heroit tonë kombëtar, Festimi i Pavarësisë së Amerikës, Atdheut tonë të dytë, përfaqësimi dinjitoz në një nga seancat e Kongresit Amerikan për krimet në Kosovë etj.
Me shumë interes është pritur simpoziumi shkencore i organizuar për gjeniun e Kombit tonë At Gjergj Fishta, Homerin Shqiptar. Shqipëria ka qenë dhe mbetet malli dhe dashuria jonë e përhereshme, ndjeshmëria jonë për zhvillimet në Shqipëri si e gjithë komunitetit Shqiptaro Amerikan mbetet parësore dhe e vazhdueshme.
Solidariteti njerëzor e human u pa qartë pas tërmetit shkaterrimtar të 26 Nëntorit 2019. Kontributi ynë modest në ndihmë të popullsisë së dëmtuar rëndë në zonën e Thumanës, në fshatin Bubq dhe prezenca jonë në mbështetje të banorëve të dëmtuar është shprehje e qartë e vlerave njerëzore e humane që karakterizon Shoqatën tonë. Organizimi për kremtimin e ngjarjeve dhe datave historike, njerëzve të shquar që kanë kontribuar për Kombin, Festimi i Shpalljes së Pavaresise, Ditës së Flamurit etj kanë qenë dhe mbeten në të ardhmen një angazhim konstant yni. .
Perveç bashkëpunimit tonë me shoqatat dhe aktorëve të tjerë në Komunitetin Shqiptar në Amerike, rëndësi të vecantë i kemi kushtuar shtrirjes së aktivitetit tonë në Shqipëri e Kosovë bashkëpunimin dhe njohjen e veprimtarisë së Shoqatës sonë tashmë shumë e vlerësuar për paraqitjen e saj dhe qëndrimin korrekt e koherent, atdhetar e patriotik.
Vizita dhe vleresimi i lartë i autoriteteve të Ministrisë Mbrojtjes së Kosovës nder dhe inkurajim për shoqaten tonë.
E pa harrueshme do mbetet vizita në Prekaz, në shtëpinë e Jasharajve dhe biseda me djalin e heroit legjendar Adem Jashari, z.Lulzim Jashari.
Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” vazhdimisht ka qenë në mbështetje të luftes së drejte clirimtare të Kosovës kundër pushtuesve serb. Thirrja nga gjykata e Hagës të drejtuesve të UÇK-së ishte djallëzore e i padrejtë dhe se nuk e zbehin aspak rolin dhe luftën clirimtare të Kosovës. Ndërkohë që në bankën e të akuzuarve duhej të ishin drejtusit e organizatarët e genocidit serb. Në aktivitetet tona të përditshme me përparësi kemi parë bashkëpunimin me Federatën Pan Shqiptare “Vatra” duke e cilesuar këtë si vatra e madhe e Shqiptarëve.
U nderuan me çmimin e mirënjohjes z.David Tubiolo, Blerim Gjocaj dhe dy artistët e mirënjohur Shaban Lajci dhe Tom Gjergji
Z. David Tubiolo, është Ligjvënës në Westchester County dhe mik i madh i shqiptarëve
N ë emer të kryesisë pllakën e mirënjohjes ia dha Kozeta Zylo autore e këtij shkrimi.
Çertifikata e mirënjohjes kishte këtë motivacion si: I jepet çertifikata e mirënjohjes
z. David Tubiolo personalitet i lartë dhe mik i madhe i shqiptarëve, nënshkruar nga z.Mark Qehaja kryetar dhe z.Imer Lacaj n/kryetar.
Ndërkohë bashkë me çeritifikatën iu dhanë dhe tre librat voluminozë studimorë të shkruar nga Rrustem Berisha me temë: “Genocidi serb në Kosovë qysh prej shekullit të 18-të”.
David Tubiolo përfaqëson me krenari qytetet e Yonkers dhe Mount Vernon.
Ligjvënësi David Tubiolo është një banor i gjeneratës së katërt të Yonkers i cili po punon për ta bërë komunitetin atje një vend më të mirë çdo ditë.
Z. Tubiolo ndihmon bizneset dhe organizatat qeveritare të përmirësojnë performancën e tyre.
Z.Tubiolo falënderoi kryetarin dhe gjithë kryesinë për vlerësimin dhe tha se do të vazhdoje të ketë lidhje gjithmonë me shoqatën dhe anëtarët e saj pasi shoqata juaj mban nje një emër të madh: Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Çmimin e mirënjohjes për dy artistët e mirënjohur si Shaban Lajci dhe Tom Gjergji e dhanë z.Qehaja dhe z.Lacaj. Znj.Arta Xhaferrri anëtare e kryesisë së shoqatës shprehu vlerësimin për të dy artistët dhe shfaqjet e tyre plot vlerë në shoqatë. Në çertifikatën e mirënjohjes shkruhej motivacioni për kontributin e tyre të palodhur në Diasporë nëpërjmjet artit të tyre të vyer.
Njëmbëdhjetë anëtarë të rinj në shoqatë
Znj.Ktona vazhdoi programin duke prezantuar 10 anëtarë të rinj të shoqatës. Ata janë me plot edukim dhe të devotshëm për të dhënë kontribut në çështjen kombëtare. Ata u mirëpritën me duartrokitje dhe emocion në fjalët e tyre përshëndetëse. Emrat e tyre janë: Gela Bulku, Edit Dautaj, Endri Daci, Luljeta Xhediku, Doris Berjolli, Sagita Berjolli, Edmond Doda, Binak Sadikaj, Agron Lifa, Edmond Nikolla, Arber Tabaku, Besnik Marku. Fjalën përshëndetëse e mbajti z.Edmond Doda kolonel në rezervë me një karrierë të pasur ushtarake. Emociounese ishte dhe pranimi i ushtarit trim të UÇK -së z.Qerim Gjocaj i cili e deklaroi publikisht dëshirën e tij për t’u bërë anëtar i shoqatës.
Krijohet Klubi i çiklistëve brenda shoqatës
Fjalën e përshëndetjes për krijimin e grupit të çiklistëve e mbajti z.Imer Laçaj I cili ndër të tjera tha se: Me vendim të kryesisë së Shoqatës Shqipetaro-Amerikane “Skenderbej” Inc., sot deklaroj formimin e klubit të çiklistëve të shoqatës. Theksoj se klubi nuk do të jetë për gara çiklistike, por do të jetë familje çiklistësh që do të bëjnë shetitje familjare me biçiklete nëpër 5 lagjet e NY-ut, por në të ardhmen edhe më gjerë. Aktiviteti më i rëndësishëm, do të jetë marrja pjesë në maratonën me biçikletë në 5 lagjet e NY-ut, që është 40 mile (60 KM) ku do të lëvizim me biçikletë me uniformën me logon e shoqatës dhe të sponsirizuar me fondet e saj. Do të bëjmë dhe aktivitete të tjera, në formën e një pikniku, në Brooklyn, Bronx, Staten Island etj. Qëllimi është që të shtojmë aktivitetet sportive të shoqatës edhe në shërbim të shëndetit të anëarëve të saj. Ju prezantoj me anëtaret e klubit, dhe ju lutem të vijnë dhe të marrin uniformën me numrat përkatës sipas porosisë: Ata janë: Imer Laçaj, Genti Veshi, Klaus Veshi, Agim Hasanaj, Elton Xhaferri, Arelt Xhaferri, Glen Nutaj, Bujar Sadikaj, Valon Gërbeshi, Gela Bulku, Doris Berjolli, Sagita Berjolli, Virxhinia Daci, Majlinda Tafaj, Alketa Veshi.
Nderohet dhe festohet me madhështi 45-vjetori i Ushtarit të UÇK-së Blerim Gjocaj
Nga fjala përshëndetëse e Gjeneral Asllan Bushatit ish n/kryetar i Vatrës
Është një kënaqësi dhe ndjesi e bukur shpirtërore takimi i sotëm i Shoqatës “Skënderbej”, për të festuar ditëlindjen e 45-të të Zotit Blerim Gjocaj, një pjestari shumë aktiv i kësaj shoqate dhe ish anëtar i UÇK -së.
Por më shumë se kaq, kjo drekë është edhe një forcim i lidhjeve shpirtërore brenda shoqatës, komunitetit e më gjërë dhe një mundësi për të risjellë në kujtesën tonë, veprën madhore te UÇK-së. Çdo njeri prej nesh ka një copëz të jetës së tij të lidhur me të. Pra ka diçka domethënëse për të treguar.
Duke lënë mënjanë modestinë, si fillim më lejoni të tregoj edhe unë disa copëza nga jeta ime të lidhura me luftën për çlirimin e Kosovës. Gjëja e parë ka qenë një dokument tepër sekret, rëndësi e veçantë firmosur nga ish Presidenti (para vitit 1990) për përgatitjen e programeve për stervitjen ushtarake të disa të rinjve kosovarë. Në zbatim të këtij urdhëri, unë kam përgatitur pjesën që kishte të bënte me mbrojtjen nga armët e dëmtimit në masë (ADM). Qendra stërvitore për këtë veprimtari, ishte caktuar prapa malit të Dajtit në Feken të Tiranës.
Pas shembjes së diktaturës komuniste, për problemet ushtarake në përgjithesi dhe specifikisht për mbrojtjen nga ADM, (me porosi të Presidentit), jam takuar zyrtarisht gjashtë herë me ish Presidentin Ibrahim Rugova, pastaj me Dr. Dukoshin, Prof. Aganin, Prof. Ali Aliun dhe me Kolonel Ahmet Krasniqin.
Pas ardhjes në SHBA, me një herë jam lidhur në NY me drejtuesit e shoqatës “Vendlindja thërret”, ku kemi bërë një aktivitet të gjërë në NY, NJ e Kenerika për grumbullimin e fondeve monetare për UCK-në. Më lejoni të shpreh mirënjohjen për disa veprimtarë të spikatur të asaj kohe si: Florim Krasniqi, Adem Sinanaj, Gjekë Gjonleka, Ismet Berisha, Muhamet Mjeku, Gani Perolli, Shefki Mexhuani, Dashamir Marku, Izet Tafili, Gani Blaka etj.
Në Bronx, në Artur Avenue në zyrën e Lidhjes së Prizrenit, me grupin e “Vendlindja Thërret” dhe me një grup intelektualësh e veprimtarësh nga NY, kemi bërë projektin dhe platformën e Batalionit “Atllantiku”, duke e nisur me formulën e betimit ushtarak organizimin dhe stërvitjen e tij në Royal Regensi në Yonkers.
Pjesë e këtij formacioni ka qenë edhe Blerim Gjocaj të cilit sot po i festojmë 45-vjetorin, por kanë qenë edhe tre vllezërit Bytyçi të cilën dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës e që meritojnë t’i përkujtojmë sot me shumë nderim e respekt.
Sic dihet, makineria e propagandës serbe që nga koha e luftës, nuk ka lënë rast pa përmendur e hedhur baltë mbi veprimtarinë ushtarake të UÇK -së dhe drejtuesve të saj. Kjo praktikë vazhdon pa ndërprerje edhe sot, kur disa lider të saj që janë të mbyllur prapa hekurave në Hagë.
Por lufta e UCK-së në të vërtetë, është pjesë integrale e veprimtarisë ushtarake të NATO-s me në krye SHBA-në, për clirimin e Kosovës nga pushtimi e genocidi serb. Ajo është një luftë e drejtë për Liri e Pavaresi e njohur edhe me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare.
Çdo tentativë për baltosjen e saj, më së pari është sulm mbi veprimtarinë e NATO-s dhe pastaj mbi UÇK-në.
Në të njejtën kohë, askush (shqiptar apo i huaj) nuk ka të drejtë të përvetësojë merita e atribute të kësaj lufte për interesa personale. Lufta e UÇK së nuk është pronë personale e askujt, por është një kontribut i gjithë popullit të Kosovës dhe Diasporës shqiptare. Por mbi të gjitha është vepër madhore e atyre që dhanë gjënë më të cmuar jetën për clirimin e Kosovës. E atyre që u plagosën e lanë pjesë të trupit të tyre në fushbetejë. E atyre që me zjarrin e armëve në bashkëpunim me NATO-n, mundësuan fitoren mbi pushtuesit serb dhe çlirimin e Kosovës. Po ashtu lypset të theksojmë kontributin financiar të komuntitetit tonë dhe koordinimin e përsosur të punëve me administratën amerikane.
Historia e luftrave dhe e artit ushtarak shqiptar, medoemos që në të ardhmen do të merret veçmas me luftën për çlirimin e Kosovës (më pëlqen ta them Dardanisë) dhe veprimtarinë ushtarake për çlirimin e saj. Aty do dalin në pah specifikat për bashkpunimin me partnerët, raportin e forcave, luftën në pritë, në qendra të banuara, në pyll, në mal etj, të cilat do ta pasurojnë më tej me element të rinj historinë dhe mendimin tonë ushtarak.
Lufta për çlirimin e Dardanisë, është një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare, krahas luftrave të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, luftrave për pavarësinë e Shqipërisë e luftës për çlirimin nga pushtuesit nazifashistë.
Z.Qehaja rreth figures së Blerim Gjocaj tha: Ky takim i sotëm ka një arsye më shumë për të qenë së bashku. Kjo është një ditë e veçantë për Blerimin. Blerimi sot ka ditëlindjen! Uroj që çdo ditë për Blerimin të jetë e gëzuar dhe e lumtur. Blerimi meriton shumë, ai ka sakrifikuar gjithçka, ka sakrifikuar për gjënë më të shtrenjtë Lirinë. Ka venë në rrezik jetën e tij, është plagosur në luftë kundër pushtuesit barbar e serb si luftëtar trim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po jo vetëm Blerimi, por e gjithë Familja e tij, babai Avdyli, vëllezërit, Shpendi, Qerimi dhe Astriti u rreshtuan në ushtrinë clirimtare të Kosovës, luftuan me armë në dorë si luftetarë të Lirisë. Qerimi gjithashtu u plagos në lufte bile u gjymtua. E kur themi për Familjen këtu nuk bëjnë përjashtim nga më të vegjëlit motrat e grate burrnesha që i kishin gjithmonë përkrah.
Epopeja e Familjes Gjocaj për Liri e dinjitet është e njohur në mbarë Kosovën e Shqiptarinë.
Juniku vendlindja e tyre e dashur, Juniku i kuvendit të burrave nga u nis Flamuri për Liri ishte amaneti i të parëve që nuk do të dorëzohej kurrë përballë pushtuesit gjakatar serb, asaj do t’i prinin në ballë luftëtarët e Lirisë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës mes të cilëve familja Gjocaj me trimërinë dhe heroizmin e tyre.
Nuk e di sa kam qenë i saktë dhe se nuk mund të shkruhen të gjitha në këto pak rreshta, por për një gjë jam i sigurtë se në themelet e Lirisë së Kosovës është dhe kontributi i luftëtarëve të Lirisë të Familjes Gjocaj.
Trimëria e familjes Gjocaj do të niste nga vendlindja e dashur e tyre, Juniku e në betejet më legjendare të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës beteja e Dukagjinit dhe beteja e Koshares.
Në emër të shoqatës çertifikatën e mirënjohjes ia dha plot krenari z.Qemal Zylo anëtar nderi i shoqatës, shtoj se Blerimi është bashkëpunëor në Shkollën Shqipe “Alba Life”, si koordinator në Bronx.
Në këtë ceremoni Blerimi ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, djali Fatjoni dhe vëllai Qerim Gjocaj një Bir tjeter i Lirisë i cili i ka dhënë krahun Luftës së Kosovës. Blerimi dhe familja e tij shprehën mirënjohjen dhe respektin për shoqatën që e vlerësuan dhe respektuan punën e tij dhe të familjes së shenjte në Luftën për Liri të Kosovës.
Në këtë drekë festive argëtuan me DJ Bujar Sadikaj si dhe intepretuan plot profesionalizëm artistët e shquar Shaban Lajci dhe Tom Gjergji.
Të gjitha nënave iu dhurua nga një trëndafil. Ishte aktivitet si një buqetë lulesh Maji në ditën e Nënave, ku u nderua Bir i Lirisë, ushtar i UÇK-së, z.Blerim Gjocaj në 45-vjetorin e ditëlindjes së tij.
Filmuan dhe fotografuan aktivitetin për TV “Alba Life” Qemal Zylo themelues dhe producent si dhe Valon Gërbeshi gazetar, anëtar i stafit.
10 Maj, 2021
New York