Në SHBA Shteti i Illinois-it shpalli Ditën e Lirisë, 28 Janarin, pikërisht ditën kur është liruar nga burgu në Shqipëri shkrimtari ynë Visar Zhiti.
“Komuniteti shqiptar në IIllinois/ Albananian Community of Illinois” dhe Organizata “Care for Albanian/ Kujdesu për Shqipërinë” celebruan së bashku këtë ngjarje me një veprimtari në qendër të Chicago-s, në 727 West Madison St, Ditën e Lirisë me Visar Zhitin midis tyre..
PROKLAMATA
Të ftuarit që shkonin në mbrëmjen festive në sallën lart, në hyrje gjenin të vendosur në një kornizë Proklamatën, me vulën si të artë dhe me shkronja të mëdha gotike. Ndalnin aty dhe lexonin:
SHTETI I ILLINOISIT
DEPARTAMENTI EKZEKUTIV
PROKLAMATË
Duke patur parasysh që Visar Zhiti,
një poet dhe shkrimtar i shquar shqiptar, si dhe një kampion
i të drejtave të njeriut, duroi vite të tëra burgimi të padrejtë
për poezinë e tij guximtare, e cila sfidonte shtypjen
dhe kremtonte shpirtin e pathyeshëm njerëzor; dhe,
Duke patur parasysh që Lirimi i Visar Zhitit
më 28 janar 1987 shënoi jo vetëm çlirimin e tij vetjak,
por edhe një fitore për lirinë e shprehjes, duke mishëruar
besimin se poezia është drita në errësirë, fjala që i mbijeton
prangave; dhe,
Duke patur parasysh që pavarësisht përpjekjeve
të një regjimi totalitar për të heshtur zërin e tij,
Visar Zhiti u shfaq si një fanar shprese,
duke e shndërruar dhimbjen e tij në vepra letrare të thella
që na kujtojnë se, edhe në burgun më të errët,
shpirti gjen rrugën drejt yjeve; dhe,
Duke patur parasysh që Udhëtimi i Visar Zhitit
e solli atë në Illinois, ku ai vazhdon të pasurojë peizazhin tonë kulturor me talentin e tij
të jashtëzakonshëm, mençurinë dhe avokatinë e tij
për të drejtat e njeriut, duke na kujtuar fuqinë e qëndresës
dhe krijimtarisë; dhe
Duke patur parasysh që Shteti i Illinois-it është krenar
që është shtëpia e një individi,
historia e jetës dhe veprat letrare të të cilit pasqyrojnë
triumfin e shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe frymëzojnë brezat
për të çmuar lirinë dhe dinjitetin; dhe
Duke patur parasysh që Komuniteti Shqiptaro-Amerikan
dhe të gjithë qytetarët e Illinois-it festojnë trashëgiminë e qëndrueshme të tij,
duke njohur kontributet e tij
në letërsi, mbështetjen e tij të palëkundur për drejtësi
dhe aftësinë e tij për t’u dhënë zë të heshturve; dhe,
Duke patur parasysh që është e duhura të përkujtojmë 28 Janarin
si një ditë për të nderuar Visar Zhitin dhe jetën e tij të jashtëzakonshme,
duke siguruar që historia e tij të rezonojë me brezat e ardhshëm
dhe që liria është një poemë e shkruar në zemrat e të gjithë njerëzve;
Prandaj
Unë, Governori i Shtetit të Illinois-it me anë të kësaj shpall 28 Janarin 2025
si Dita e Visar Zhitit, një ditë për të celebruar vlerat e lirisë artistike,
të të drejtave të njeriut dhe qendresën e shpirtit njerëzor.
Në dëshmi të kësaj, unë kam vënë dorën time këtu dhe kam urdhëruar
që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois-it.
E kryer në Kapitol, në Qytetin Springfield, këtë ditë të Trembëdhjetë të Janarit, në Vitin e ZOTIT TONË, dy mijë e njëzet e pesë,
dhe të Shtetit të Illinois-it, të dyqind e gjashtin.
Sekretari i Shtetit
(firma)
J B PRITZKER
(firma)
FILLOI BUKUR
Salla u mbush plot me të ftuar. Gjatë koktejlit të pranishmit bisedonin mes tyre, takonin miq të vjetër dhe nisnin miqësi të reja dhe kuptuan se aty ishin mbledhur nga të gjitha trevat shqiptare, nga dy republikat tona, e Shqipërisë dhe e Kosovës, nga Maqedonia e Veriut, – e Jugut për ne, thotë Visari, – nga Çamëria e Mali i Zi, amerikanë patjetër. Të rinj më shumë, të qeshur, por edhe fëmijë, të veshur me kostume popullore, Valentina me Sofien, si engjëj Shqipërie. Na kishte bashkuar liria e Visarit, liria jonë, e cila që nga sot do të kishte dhe një ditë të veçantë si festë në shtetin e Illinois-it.
Mes të ftuarve u shfaq aktori i njohur në SHBA, me famë në industrinë e argëtimit, me origjinë shqiptare, nga Qyteza e Korçës, po, po, e dinin të gjithë, hollivudiani Jim Belushi. Ai do të recitonte në anglisht me një zë të ngrohtë dhe dhe të thellë sikur vinte nga grykat e maleve tona, poezinë e Visar Zhitit “Ketrat në Washington”, nga libri i porsa ribotuar në SHBA, “The condemned apple” (“Molla e dënuar”).
Që nga foltorja do të pyeste Visarin:
– Me 10 vjet burg të dënuan për poezitë? – Zëri i tij kishte dhimbje dhe një si hakërrim ndaj së keqes.
– Po, po, – tha Visari nga vendi në krye me një buzëqeshje enigmatike.
– Dëgjojeni poezinë, – nisi Jim Belushi!
KETRAT NË WASHINGTOON
S’besoja të gjeja dhe ketra në Washington!
Zbrisnin nga pemët, losnin në barin e parqeve.
Si nuk kanë frikë? Kjo më befason,
mes njerëzve dhe natyrës të ketë kaq shumë paqe?
Ketra prapë, të vërtetë, ndalin tek këmbët e mia,
gjë s’kërkojnë, por diçka u duhet dhuruar.
Duart i kam të zbrazëta si uria,
ata më dhanë mua mirëbesimin e harruar.
Ketra në kryeqytetin modern të një vendi të madh,
të florinjtë, me bishtin e bukur si gëzimi.
Të isha dhe unë ketër, vetëm një çast,
të ndikoja në zbutjen e njerëzimit.
Mes duartrokitje ngrit lart librin dhe e tundi duke thënë: Është vepër e bukur dhe me vlera dhe shkoi të marrë një gotë vere a whiskey…
VAZHDIMI
Më pas Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri, nga Presheva, i ri, i diplomuar në SHBA, drejtues në një Bankë, i rrethuar nga ekipi i tij, – kemi një bord të mrekullueshëm, nga të gjitha trevat, – e thotë me modesti dhe mburrje, – që punojnë me aq përkushtim dhe harmoni, falë tyre arritëm të kemi ato që kemi sot, – dhe nis të ligjërojë me një shqipe të pastër dhe të rrjedhshme për rëndësinë e kësaj dite, që besojmë se do të festohet çdo vit në shtetin e Illinois-it, Dita e Lirisë. E kemi prej Visarit… dhe ai vazhdoi të lexojë për jetën dhe veprën e shkrimtarit…
Ndërsa Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras, psikologe e re, edhe ajo e diplomuar në SHBA, do të tregonte për arritjet e organizatës që ka themeluar dhe drejton, e përqendruar në shendenin mendor si dhe të ndihmojë vendin, vendlindjen e saj, Korçën, por edhe Shkodrën, edhe Prishtinë, këshu janë projektet e së ardhmes .
Prezantuesja e takimit, Brikena Gjylameti, e ardhur nga Filadelfia për këtë ngjarje, fton Visar Zhitin, për të thonë fjalën e tij, që po prisnin të gjithë.
Nga foltorja Visari falenderoi governorin e Illinois-it, J. B. Pritzker që na dha festën e një Dite Lirie, që më shumë se sa e tij, ishte e ëndrrës tonë të përbashkët. Rrugët e lirisë janë të shumta dhe të ndryshme, të vështira, por të bukura si dashuria – vazhdoi. – Unë dola nga portat e hekurta të burgut në atdhe dhe arrita në dritat marramendëse të Chicagos në SHBA, nuk jam vetëm, para meje kanë ardhur plot e plot të tjerë, – Zhiti kujtoi emblemën me emrin Arshi Pipa, – na thërret liria këtu, – theksoi, – ku këtu është më e vërtetë dhe më e fortë, ku liria është e lirë… që na bën ta duam shumë këtë vend si një atdhe i ri dhe na bën ta duam edhe më shumë atdheun që lamë dhe e di që rruga më e rëndësishme e lirisë është ajo që të çon tek vetja ashtu si tek tjetri, te e mira dhe te ardhmëria, etj, etj. Liria jeni ju, e mbaroi fjalën e tij Visar Zhiti.
Mes duartrokitjesh atij i dhuruan lule dhe Proklamatën, që u lexua me zë të lartë në anglisht nga i riu Veton Hasku, shef i shtabit të senatorit të shtetit në Illinois. Është juaja, – i thatë Zhiti për proklamatën. – Më shumë ju duhet të tjerëve, – tha Zhiti.
U recituan dhe poezi të tjera në shqip dhe anglisht, për lirinë, dashurinë dhe Kosovën.
Liria është dhe duhet të jetë për të gjithë, popuj dhe vende, ndryshe s’është liri për askënd, – përsërisnin fjalë të Zhitit ata që u ngritën të përshëdesin, nga dispora e re dhe e vjetër, ku malli për atdhe përzjehej me shqetësimet e tanishme…
Gazetari nga Kosova, Skënder Karaçica kujtoi se si kur Kosova ishte e robëruar dhe Visari ende në burg çuditërisht i erdhën dorazi një cikël me poezi, as ai s’e dinte si, te Visarit për revistën e tyre. Dhe i botoi si një amanet.
* * *
Dhe përshëndetja për të gjithë “Komunitetin Shqiptaro –Amerikan të Illinois-it” nga Senatori i Shtetit, Ram Villivalam, Distrikti i 8-të i Senatit, e futur në një dosje blu te errët, me një stemë ari dhe shkronja të lara me ar, ia dhanë Visarit. Ishte si një Proklamatë tjetër, po aq e bukur.
“…me rastin e Ditës së Visar Zhitit, 28 janari 2025. Fjalët e tij – një diell i dytë do të lindë – theksonte Senatori, – të mbeten një parim udhëzues për ne të gjithë, duke simbolizuar shpresën dhe qëndrueshmërinë që dolën nga sakrifica dhe sfida e tij kundër shtypjes…”
Poezia e diellit. Si një plagë. Kishte ardhur dhe këtu. Që dhe nëse shërohet gjithnjë e më shumë, shndërrohet në rrezëllim drite. Në festat e ardhshme të Ditët së Lirisë.
Përgati dhe përktheu
Eda Agaj Zh.
Albumi ynë