
Prof. Romeo Gurakuqi/
Vijon nga numri i kaluar
Një vend të veçantë autori i kushton rrënimit të Italisë në Shqipëri në pranverën, verën dhe vjeshtën e vitit 1943, shpërbërjes së Ushtrisë Mbretërore Italiane, lënies së divizioneve në Shqipëri, pa asnjë urdhër të qartë nga Roma (tanimë vetë në kaos komande dhe kontrolli), dramën e oficerëve dhe ushtarëve të thjeshtë të lënë në mëshirë të fatit me 9 shtator 1943. Këtë tragjedi italiane brenda tragjedisë shqiptare, Nigris e trajton në mënyrë të hollësishme, të bashkëngjitur me dramën e civilëve, teknicienëve, që u bënë target për plaçkitje i forcave paramilitare të Xhafer Deves në muajt e parë të pushtimit gjerman.
Një vëmendje të posaçme i kushtohet dezintegrimit të qeverisjes së fundit të Ekrem Libohovës, kohës së pushtimit gjerman që pasoi, regjimit të përkohshëm që ata krijuan pas rënies së Italisë, anarkitë që kapërthyen vendin, veprimtaritë e partive politike shqiptare, për t’u përqendruar në mënyrë intensive në muajt, korrik, gusht, shtator, tetor dhe nëntor 1944, pra në kohën e zjarrtë të përmbysjes katastrofike të vendit, rënies së përshpejtuar në formë kaskade të qeverive të njëpasnjëshme kuislinge (të ashtuquajturit “patriotë tradhtarë”, siç historiografia perëndimore i klasifikon këtë bashkësi politikanësh kolaboracionistë, që u munduan të shpëtonin vendin duke amortizuar goditjen fatale të regjimeve fashiste mbi popullin), të invadimit komunist të Shqipërisë së Veriut të paprekur deri në këtë kohë nga kaosi i gjithanshëm i Jugut, instalimit të diktaturës partizane me preferencë jugosllave dhe përmbajtje antinacionale.
Duke qenë se në muajt e fundit ai ka qëndruar më së shumti në Shkodër ku gjendej edhe rezidenca e tij, Nigris, në pjesën fundore përshkruan me detaje ngjarjet në këtë qytet në këto ditë të jashtëzakonshme, çorientimin e përgjithshëm të popullatës, dezintegrimin institucional, krijesat e reja diktatoriale krahinore si përpjekje për shpëtimin e Shqipërisë Veriperëndimore nga invadimi partizan dhe jugosllav, ikjet e të targetuarve, strehimet e filogjermanëve që deshtën të mbanin shtetin nacional në këmbë, frikën dhe anarkinë, terrorin e gjithanshëm dhe të shumëngjyrshëm, sjelljen dhe raprezaljet gjermane, posaçërisht vrasjet masive në kampin e Prishtinës, fatin e Kosovës, Mirditës dhe malësive të Veriut, largimin e gjermanëve nga Shkodra dhe nga vendi (duke na dhënë madje me saktësi datën dhe orën e ikjes së tyre nga qyteti i veriut, çështje aq shumë e debatuar me kotësi në 30 vitet e tranzicionit parademokratik në vend), planin gjerman të tërheqjes, hyrjen e partizanëve në qytetin dhe krahinën e lënë pa asnjë kontroll politik dhe ushtarak legal, epilogun e vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, Malësi dhe Kosovë.
KTHIMI I PAVARËSISË
Gjermania, në shtatorin e vitit 1943, ia riktheu Shqipërisë pavarësinë, neutralitetin dhe veteqeverisjen, por kjo pavarësi ishte fiktive, përderisa kishte një ushtri pushtuese gjermane në vend dhe jo të gjitha vendimmarrjet ishin sovrane dhe të përcaktuara nga Regjenca, Asambleja dhe qeveria, institucione këto të krijuara rishtazi dhe të shkëputura nga trashëgimia e pushtimit italian. Këto institucione kishin më së shumti një pushtet fiktiv se sa real, përndryshe komunistët, nën komandën serbe, nuk e pranonin konceptin e shtetit kombëtar të rikthyer në kornizën kushtetuese të 1 shtatorit 1928 dhe në kufijtë etnikë të të gjithë trevave të banuara nga popullsia shqiptare, siç u mundësua në vitin 1941. Autori ia ka dalë të tregojë me mjaft realizëm dy qasje të përkundërta politike dhe ushtarake, pjesë e luftës së brendshme civile që kulmoi në kohën e pushtimit gjerman: nga njëra anë është elita intelektuale dhe shtetformuese e vendit, pjesa e pakompromentuar me pushtuesit italianë, që përpiqet të ristabilizojë mbi ligjshmëri shtetin e paraluftës, ta shpërbashkojë entitetin shtetërorë nga vendet fashiste në tërheqje, në mënyrë që ditën e tërheqjes së ushtrive të vendit të dytë pushtues nga Shqipëria, vendi të kishte institucione përfaqësuese të gatshme për mbajtur në këmbë ngrehinën e sferës publike.
Nga ana tjetër janë partizanët e LNÇsë dhe PKSH, të drejtuar nga Enver Hoxha dhe emisarët jugosllave me një agjendë krejt tjetër, që nuk ndalen para asgjë, jo vetëm në goditjen e rrugëve të kalimit të gjermanëve në tërheqje, por para së gjithash në marrjen e pushtetit, goditjen e pamëshirshme të shoqërisë deri atëherë në pritje të Gegnisë dhe shpërbërjen e shtetit nacional të krijuar në viti 1941. Nigris e thoshte qartë se serbët po kryenin një veprimtari shpërbërjeje kombëtare, po kultivonin qëllimin e tyre të fshehtë të shkatërrimit të vlerave morale të shqiptarëve, me qëllimin për të krijuar alibinë se ai popull nuk vlen si unitet etnik. Në këtë ballafaqim midis arsyes shtetërore të brezit të vjetër të elitës dhe mendjes revolucionare e internacionaliste të rinisë, të kapërthyer nga komanda komuniste e Enver Hoxhës dhe Dushan Mugoshës, rezultati final ishte i qartë shumë herët: askush nuk mund ta shpëtonte Shqipërinë e krijuar nga Etërit e Kombit nga përdorimi jugosllav dhe sovjetik, veç një ndërhyrjeje të vendosur të aleatëve perëndimore, zbarkim masiv ky, që nuk dukej askund në horizont.
ANARKIA POLITIKE
Për kohën e regjimit të krijuar nga gjermanët, Nigris dallon shfaqjen e shtatë anarkive: anarkinë politike, anarkinë e ministrive, anarkia e forcave të sigurisë publike, anarkia e rendit publik, anarkia ushtarake, anarkia administrative lidhur me rolin e dyfishtë të gjermaneve. Ai shpjegon hollësisht prapaskenën e autorizimit të Padër Antonit për t’u përfshirë ne regjencë; na ndihmon të kuptojmë krizat e brendshme të regjimit kuisling, ose të përkohshëm nacionalist, konfliktet brenda katërshes së Regjencës, rolin e Gjeneralit Neubacher, ndërhyrjet e Fiqiri Dines dhe Gjon Markagjonit, rolin e çetave private të Lumës, Dibrës, Krujës, Pukës; rolin e forcave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Xhafer Devës; mposhtjet e përkohshme të aktivitetit të Nacional-Çlirimtares për shkak të kombinimit të operacioneve spastruese të gjermanëve dhe reparteve të caktuara të Ballit; çështjen e Arit Shqiptar në Reichsbank, grabitur në Romë nga nazistët; çështjet e mbrojtjes nga arrestimet dhe të shpëtimit të hebrenjve, rolin e vendimtar të politikanëve shqiptarë në shmangien e tragjedive, duke respektuar “Besën” dhe “Mikpritjen” për familjet dhe individë të martirizuar ndër vend e të tjera, etj..
Qeveria e fundit në kohën e pushtimit gjerman, ajo e Ibrahim Biçakçiut nuk ishte gjë tjetër veçse një qeveri simbolike, e krijuar në mënyrë të detyruar si përpjekja e fundit për mos me i dhanë pushtetin të gatshëm komunistëve. Në rrethanat e dekadencës së plotë, e vetmja shpresë që kanë pasur Lef Nosi, Padër Antoni, Mehdi Frashëri dhe Cafo Beg Ulqini ka qenë zbarkimi i angloamerikanëve. Ndonëse e përhapur në të gjithë vëllimin, një analizë të veçantë autori i kushton komunizmit, shkaqeve të lindjes së tij dhe rolit servitor, të përkundërt me interesat kombëtare, të organizatës partiake që uzurpoi Frontin Nacional-Çlirimtar të të gjithëve. Komunizmi, shkruan Nigris, doli nga strehat e shkollave, vërshoi tek nëpunësit dhe punëtorët dhe nga një fenomen i pak vetëve, u shndërrua në një lëvizje masive luftarake në Jug, mori një qëndrim të dhunshëm dhe të paarsyeshëm, kreu shume akte terroriste. Përforcimin e komunistëve në Jug të vendit, Nigris e lidh, ashtu në mënyrë të shpërndarë, si me pasojat e Luftës Italo-Greke që rrënoi vendin, me pandjeshmërinë e autoriteteve shtetërore të Tiranës dhe Romës për kompensimin e të dëmtuarve nga lufta, ashtu si edhe me mosangazhimin e mjaftueshëm të forcave ushtarake nga ana e gjermanëve ndër operacione pastruese, duke lejuar në këtë mënyrë, që kjo lëvizje të përdorte shtratin e varfërisë ekstreme dhe të rrënimit të krijuar nga italianët në atë krahinë, për përthithje të plotë të njerëzve, familjeve, fiseve fshatrave dhe krahinave të tëra, në një regjimentim çlirimtar dhe akaparues, që në fakt do të kishte pasoja afatgjata për të ardhmen e Shqipërisë.
Kaosi i nacionalistëve në muaj e fundit të pushtimit gjerman, ngurrimi i tyre për të luftuar okupatorin, lufta e filluar mjaft vonë, në shtatorin 1944, e cila përfundoi në tallje, qëndrimet e dyanshme të Abaz Kupit dhe Muharrem Bajraktarit, vendosmëria e pathyeshme e Marka Gjonit, përpjekjet e nacionalistëve për gjetjen e një rrugë shpëtimi, mosbesimet reciproke ndaj njeri tjetrin, ndërkohë që komunistët marshonin mbi Mirditë, Dibër, Lumë, Mat, Has, të gjitha këto vlerësime, lexuesi do t’i gjejë si shpjegime çelës për të kuptuar zbrazëtirën e krijuar në udhëheqësinë qendrore të shtetit dhe dramën që pasoi më pas Shqipëria e lënë pa udhëheqësi.
Sa më sipër është e mjaftueshme për të kuptuar, pse botimi i këtij dokumenti të rëndësishëm arkivor do të ndihmojë, studiuesit, studentët shqiptarë lexuesit e zakonshëm dhe historishkruesit e teksteve universitare dhe shkollore, për të kuptuar më mirë Shqipërinë me Kosovën, Malësinë, Dibrën, Ulqinin në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe dramën që pësoi kombi i rindarë pas saj, nën diktaturat dhe frymëzime që nuk i përkisnin nacionit dhe traditës shqiptare.
/Gazeta Panorama