Ndeshja më e rëndësishme e karrierës, kështu ka deklaruar traineri Italian I Kombëtares shqiptare.
“Po, kjo është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime”. Ky është pohimi i trajnerit të kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, në konferencën për shtyp para fillimit të grumbullimit për sfidën eliminatore të Euro 2016 ndaj Armenisë. Italiani ka theksuar se kjo ndeshje është një “udhëkryq” i rëndësishëm për kuqezinjtë, arsye pse sfida ndaj armenëve të rrezikshëm duhej përgatitur me seriozitetin maksimal, duke shmangur çdo lloj euforie.
“Për ne, ndeshja e së dielës është e rëndësishme, e dini të gjithë që është një udhëkryq i rëndësishëm. Ashtu si për të gjitha ndeshjet e rëndësishme, do të mundohemi ta përgatisim këtë javë në të gjitha detajet që do të na mundësojnë të luajmë të dielën lojën tonë dhe që të mundohemi të arrijmë objektivin tonë, atë që të provojmë të mundim Armeninë për të vazhduar ecurinë tonë drejt një ëndrre. A është ndeshja më e rëndësishme e karrierës? Them se po, sot është ndeshja më e rëndësishme, edhe pse në karrierë kam përjetuar momente gjatë të cilave luaje gjithçka në 90 minuta. Për të përgatitur këtë ndeshje duhet shumë përqendrim, shumë ekuilibër, duhet ndihma e të gjithëve, që të mos i vendosim nën trysni lojtarët, t’i lëmë të jenë të qetë dhe të përgatiten sa më mirë për këto 90 minuta”, tha De Biazi.
Sipas tij, Armenia nuk është e njëjtë me skuadrën që u mund 2-0 në miqësore në Tiranë dy vite më parë. “Kemi fituar 2-0 por ishte histori tjetër, nuk ishte Mkhitarian, ishte një ndeshje miqësore dhe nuk kishte shumë rëndësi. Nuk mund të bëjmë krahasime, ndryshuan trajner, ndryshoi gjithçka, është një skuadër krejtësisht tjetër. Unë kam pasur perceptimin në këtë periudhë se nuk jemi të ndërgjegjshëm për forcën e kundërshtarit që do të përballojmë. Takoj njerëz në rrugë, në avion, të gjithë thonë vetëm “fitore, fitore, fitore kundër Armenisë”. Por kjo është një skuadër që luan si ekip, janë një grup kompakt, ka humbur me diferencë të ngushtë ndaj Portugalisë, që fitoi me shumë vështirësi. Janë mundur në Danimarkë por po fitonin në pjesën e parë, dhe barazuan në shtëpi ndaj Serbisë, në një ndeshje ku ata humbën pak minuta para fundit penalltinë e rezultatit 2-0 dhe siç ndodh shpesh në futboll, kanë pësuar një minutë para fundit golin e barazimit”, ishte përshkimi i hollësishëm i De Biazit për kundërshtarët. Trajneri italian, gjatë ditëve në vazhdim, do të përgatisë edhe lojtarët për cilësitë e armenëve, pasi çdo seancë stërvitore do të shoqërohet me një seancë para ekranit, për të studiuar në detaj nëpërmjet pamjeve filmike secilën ndeshje të kundërshtarëve, si dhe aftësitë individuale të tyre.
Falë kësaj përgatitjeje të detajuar, De Biazi shpreson që të dielën të largohet nga “Elbasan Arena” me tri pikë. “Ne nuk kënaqemi me barazimin. E kam thënë edhe para ndeshjes me Portugalinë që ne nuk kënaqemi me barazimin, ndonëse atëherë dukej si një blasfemi. Nëse në fund të ndeshjes barazimi na kënaq, do të thotë se të tjerët kanë qenë më të mirë se ne. Nuk duhet të bëjmë gabimin që të mendojmë se jemi bërë të zotë. Ne bëhemi të zotë vetëm nëse jemi të aftë të pranojmë se cilat janë limitet tona. Duhet ta përballojmë këtë ndeshje me frymën e duhur, me dëshirën për të bërë një futboll të bukur, duke mos u kënaqur asnjëherë nga rezultati minimal, për të kërkuar gjithmonë rezultatin më të rëndësishëm, por gjithmonë duke respektuar vlerat e kundërshtarit. Kur luan një ndeshje, e di mirë që ke tre rezultate para. Mendoj se nëse përgatitemi mirë mendërisht dhe taktikisht, atëherë mund të provojmë ta fitojmë këtë sfidë”, vijoi ai.
De Biazi ka bërë të qartë se euforia e tepërt mund të kthehet në pengesën kryesore për kombëtaren shqiptare. “Ndeshjen e vendos ekuilibri, sidomos ai psikologjik. Duhet të mos mbizotërojë entuziazmi, euforia, të mos ndikohemi nga tifozët tanë, nga thirrjet ‘përpara, sulmoni’. Duhet të mundohemi të luajmë në mënyrë inteligjente. A jemi nën trysni? Absolutisht jo, jemi duke bërë gjëra që shkojnë përtej çdo pritshmërie të mundshme para fillimit të eliminatoreve. Luajmë shanset tona pa injoruar asnjë mundësi që na shfaqet. Por e dini se çfarë nuk më pëlqen këtu? Se këndoni gjithmonë para festës! Rrini të qetë, bëni gati instrumentet dhe zërin kur të vijë koha, tani është herët për të folur për gjëra të tilla. Këto eufori shqiptare nuk më pëlqejnë”, ishin fjalët me të cilat trajneri De Biazi mbylli konferencën e djeshme për shtyp.