
Opinion nga Rafael Floqi/
Takimi inaugurues i Bordi i Paqes në Uashington shënoi një moment të ri në diplomacinë ndërkombëtare – por për Shqipërinë dhe Kosovën ai përfaqëson diçka edhe më të thellë: një kalim historik nga subjekt i ndërhyrjeve ndërkombëtare në aktor të angazhimit global për paqen. Në një tryezë ku u diskutua stabilizimi i Gazës, rindërtimi institucional, demilitarizimi dhe krijimi i mekanizmave financiarë transparentë, Shqipëria dhe Kosova nuk ishin më vende që kërkojnë ndihmë. Ato u rreshtuan mes shteteve që ofrojnë trupa, ekspertizë dhe mbështetje për sigurinë ndërkombëtare.
Presidenti amerikan Donald Trump, duke falënderuar vendet pjesëmarrëse, deklaroi qartë:
“Shqipëria, Kosova, Kazakistani… të gjitha kanë premtuar për trupa për të stabilizuar Gazën. Kanë ofruar trajnime për forcat e policisë palestineze… SHBA do të japë kontribut prej 10 miliardë dollarësh për Bordin e Paqes.” Ai shtoi se çdo dollar i investuar për paqen është kontribut për stabilitetin global dhe theksoi se “më pak fjalë dhe më shumë veprim” është filozofia e këtij mekanizmi të ri. Madje, me ton karakteristik, Trump deklaroi se nuk i duhet Nobeli i Paqes – “dua të shpëtojë jetë njerëzish”.
Nga NATO mbi qiellin e Kosovës, tek FSK në mision ndërkombëtar
Për Kosovën, ky është një transformim i jashtëzakonshëm historik. Një vend që në vitin 1999 mbështetej tek ndërhyrja e NATO-s për të mbijetuar, sot përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) shqyrton kontribut konkret në një forcë stabilizuese në Gaza. Presidentja Vjosa Osmani, e pranishme në takimin inaugurues, u vlerësua publikisht nga Trump për rolin dhe angazhimin e saj. Në komunikimin e drejtpërdrejtë mes liderëve, ajo iu përgjigj presidentit amerikan me një fjali simbolike kur ai tha se Kosova dhe Serbia duhet ta telefonojnë nëse kanë probleme:
“Do t’ju telefonojmë.”
Kjo fjali, e thjeshtë në formë, përçon një mesazh politik të fuqishëm: Kosova sot flet si partnere e barabartë në tryezat ndërkombëtare.
Shqipëria: Paqe me arkitektë dhe paqeruajtës
Kryeministri shqiptar Edi Rama e mbështeti fort nismën, duke deklaruar: “Shqipëria do marrë pjesë me forca ushtarake në Gaza, paqeruajtëse… Ne ftojmë edhe vendet e tjera që të kontribuojnë në Gaza për të ndihmuar fëmijët… që janë më të pafajshmit.”
Por Rama nuk u ndal vetëm tek angazhimi ushtarak. Ai e përshkroi kontributin shqiptar edhe si moral dhe profesional: “Jo vetëm duke vendosur paratë, por edhe duke sjellë arkitektët tanë që bota të shndërrojë plagët në shenja shprese. Shqipëria është nder në këtë zinxhir.” Këtu qëndron një dimension i rëndësishëm: Shqipëria e paraqet veten jo thjesht si furnizuese trupash, por si kontribuese në rindërtim, zhvillim dhe transformim institucional.
Debati për OKB-në dhe rendin ndërkombëtar
Një nga pyetjet që u ngrit ishte nëse Bordi i Paqes synon të zëvendësojë OKB-në. Rama reagoi me diplomaci: “Shumë në Evropë thonë se është përpjekje për të zëvendësuar OKB, por nuk më dukej se e zëvendëson; por nëse është diçka që e ndihmon këtë gjigant, atëherë Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.”
Kjo deklaratë reflekton një realitet të ri: institucionet tradicionale shumëpalëshe janë shpesh të ngadalta, ndërsa mekanizmat fleksibël mund të ofrojnë veprim më të shpejtë operacional.
Dimensioni politik: Çështja e UÇK-së
Në të njëjtin forum, Rama ngriti çështjen e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke iu drejtuar Trump-it me një apel të drejtpërdrejtë: “Le të bëjmë diçka përpara se gjërat të bëhen më keq.” Ai shtoi se disa duhet të jenë të turpëruar për procesin në Hagë, duke përmendur se “vetëm pak muaj qëndrojmë mes një burri që qëndroi ndaj një spastrimi etnik” dhe një vendimi që mund të jetë shkatërrimtar. Kjo ndërthurje mes misionit global të paqes dhe çështjeve kombëtare e vendos diplomacinë shqiptare në një terren delikat: si të kontribuosh në arkitekturën globale të sigurisë, duke ruajtur njëkohësisht narrativën kombëtare të luftës çlirimtare.
Rindërtimi i Gazës dhe vizioni strategjik
Ish-kryeministri britanik Tony Blair, pjesë e drejtimit të Bordit, theksoi se Gaza ka qenë e drejtuar nga korrupsioni dhe se plani i ri synon një qeverisje gjithëpërfshirëse: “Myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë ta ndjejnë qeverinë krah jush dhe jo kundër jush… Plani i Gazës është shpresa e vetme.”
Kjo filozofi përputhet me narrativën shqiptare të bashkëjetesës fetare dhe tolerancës, një kapital diplomatik që Tirana dhe Prishtina mund ta përdorin në Lindjen e Mesme.
Kontributi konkret ushtarak
Gjeneralmajori amerikan Jeffers konfirmoi se pesë vendet e para që ofrojnë trupa janë Shqipëria, Kosova, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Maroku. Egjipti dhe Jordania do të trajnojnë policinë. Ky fakt e vendos Shqipërinë dhe Kosovën në rreshtin e parë operacional të misionit.
Përfitimet strategjike për Shqipërinë dhe Kosovën
Rritje e profilit ndërkombëtar. ,Forcim i partneritetit me SHBA-në: Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale. Takimi inaugurues i Bordi i Paqes në Uashington shënoi një moment të ri në diplomacinë ndërkombëtare – por për Shqipërinë dhe Kosovën ai përfaqëson diçka edhe më të thellë: një kalim historik nga subjekt i ndërhyrjeve ndërkombëtare në aktor të angazhimit global për paqen.
Përfitimet strategjike për Shqipërinë dhe Kosovën
Rritje e profilit ndërkombëtar.
Forcim i partneritetit me SHBA-në.
Legjitimitet më i madh për FSK-në si forcë profesionale.
Rritje e besueshmërisë së Shqipërisë si kontribuese në NATO dhe misione ndërkombëtare.
Për Kosovën, pjesëmarrja në një mision të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit është edhe një hap drejt konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Nga histori lufte në përgjegjësi paqeje
Ka një simbolikë të thellë në faktin që dy vende shqiptare, të dala nga konflikti i viteve ’90, sot kontribuojnë në stabilizimin e një territori tjetër të goditur nga lufta. Nga qielli i Kosovës ku fluturonin avionët e NATO-s, tek uniformat e FSK-së që mund të dislokohen në Rafah – ky është një cikël historik që mbyllet. Shqipëria dhe Kosova nuk janë më vetëm kujtesë e ndërhyrjes humanitare. Ato po bëhen pjesë e arkitekturës së re të sigurisë ndërkombëtare.
Në fund, pjesëmarrja në Bordin e Paqes është më shumë se një akt politik. Është një deklaratë identitare: shqiptarët nuk kërkojnë vetëm drejtësi për historinë e tyre – ata ofrojnë kontribut për të ardhmen e përbashkët. Sepse paqja nuk është vetëm mungesë lufte. Është transformimi i përvojës së dhimbjes në përgjegjësi për botën.