–– rezistenca e shqiptarëve kundër autoritarizmit duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve!-
– Paul Lendvai, njeri prej ekspertëve më të njohur të çështjeve shqiptare dhe ballkanike, e ka cilësuar kohët e fundit për gazetën Der Standard, Shqiperinë si një shtet i brishtë, ndërkohë që paralajmëron se autoritarizmi i Kryeministrit shqiptar, Z. Rama duhet marrë seriozisht.
Nga Frank Shkreli/
Gjithnjë e më shumë po dëgjohen zëra, brenda dhe jashtë Shqipërisë, se ai vend është duke rrëshqitur shpejt drejt autoritarizmit. Këta zëra ekspertësh, analistësh dhe organizatash vendase dhe ndërkombëtare të drejtave të njeriut, po shprehin shqetësimet e tyre tepër serioze mbi gjendjen aktuale politike në vend: se Shqipëria nën udhëheqjen e Kryeministrit Edi Rama po shkon me hapa të shpejt drejt autoritarizmit. Ata nënvijzojnë përpjekjet dhe masat e marra prej tij – de facto dhe de jure – për të kontrolluar të gjitha entet qeveritare dhe shtetërore të vendit, duke përfshir ekzekutivin, parlamentin, gjykatat, sistemin juridik në përgjithësi dhe pothuaj të gjitha bashkitë e vendit, dhe një pjesë të madhe të medias, duke e kërcnuar atë me ligje të reja të ashtuquatura antishpifje. Lufta që Kryeminstri Rama ka shpallur kundër zyrës së presidentin të vendit- i vetmi ent shtetëror që deri tani nuk kontrollohet nga Kryeministri Rama dhe shumica e tij socialiste, duket se ka zgjuar shqiptarët nga gjumi, siç tregoi edhe manifestimi masiv i para disa ditëve në Tiranë. Ishte kjo një shprehje e qartë e shqiptarëve se mjaft është mjaft , një mesazh i fortë ky për kryeministrin Rama dhe shumicën e tij socialiste, se populli shqiptar është i gatshëm ti thotë STOP prirjeve autoritare dhe arrogancës së Kryeministrit Rama dhe diktaturës së tij të shumicës socialiste.
Paul Lendvai, njeri prej ekspertëve më të njohur të çështjeve shqiptare dhe ballkanike, e ka cilësuar kohët e fundit për gazetën Der Standard, Shqiperinë si një shtet i brishtë, ndërkohë që paralajmëron se autoritarizmi i Kryeministrit shqiptar, Z. Rama duhet marrë seriozisht. Tonet e herë pas hershme nacionaliste të Ramës shkruan ai, nuk duhet të merren me aq seriozitet dhe shton se, “Me shumë kujdes i duhet kushtuar asaj që kritikohet si kapja e institucioneve të drejtësisë dhe ndikimit të hatashëm të karteleve të drogës në Shqipëri”.
“Unë u përkas opinionistëve të paktë që kanë përjetuar diktaturën më mizore në Evropë, regjimin vrastar të Enver Hoxhës”, shkruan Lendvai dhe u drejtohet diplomatëve ndërkombëtarëve në Tiranë me këtë thirrje: “Forca mahnitëse e rezistencës së popullit shqiptar kundra prirjeve autoritare duhet pa tjetër të gjejë mirëkuptimin, ndihmën dhe solidaritetin e komunitetit ndërkombëtar”, ka shkruar para nja tri javësh Paul Lendvai, për gazetën austriake Der Standard.
Fatkeqsisht, mbështetja dhe përkedhelja e autoritarëve dhe diktatorëve anë mbanë botës nga bota perëndimore nuk është diçka e re. Historia ka shënuar dyzina rastesh kur ndërkombëtarët, nëqoftse nuk kanë mbështetur haptazi diktatorë aktualë ose në formim e sipër, atëherë ata i kanë mbyllur sytë dhe veshët përball veprave të tyre, për interesa të ndryshme.
Më kujtohet një thënje që i atribohet ish-presidentit amerikan Franklin Delano Roosevelt, i cili thuhet të jetë shprehur për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kishin akorduar diktatorit të Nikaraguas,në atë kohë, Anastasio Somoza. “Somoza may be a son of a bitch, but he is our son of a bitch”. Eshtë pak banale ta përkthej këtë thënje nga anglishtja por pak a shumë do të thotë: “Somoza mund të jetë një diktator, por ai është diktatori ynë”, një frazë kjo që edhe sot përdoret në raste kur është vështirë të justifikohet mbështetja e vendeve demokratike për diktatorë që abuzojnë me të drejtat bazë të qytetarëve të tyre. Sot kemi dyzina vende të tilla anë e mbanë botës, përfshirë Rusinë dhe Kinën. Por kjo nuk duhej të ndodhte me Shqipërinë!
Është e vërtetë se ndërkombtarët duhet të merren me qeverinë e zgjedhur në cilindo vend qoftë, përfshir Shqipërinë. Pasi pa njëfarë marrëdhënjeje normale midis dy palëve nuk mund të bëhet asnjë përparim. E kuptoj edhe balancin e interesave dypalëshe. Por ajo që nuk kuptoj është heshtja publike e ndërkombëtarëve në Tiranë karshi kapjes së institucioneve shqiptare nga një person e nga një parti politike – diçka që nuk përputhet fare as me interesat dypalëshe dhe as me vlerat e përbashkëta perëndimore që pretendojmë.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimore për pothuaj një shekull tani kanë balancuar interesat e vendeve të tyre me respektin për vlerat perëndimore, respektin për të drejtat e njeriut, lirinë dhe demokracinë përfaqsuese, e tjera. Heshtja e ndërkombëtareve në Tiranë ndaj shkeljes flagrante të këtyre të drejtave të sanksionuara edhe ndërkombtarisht, përfshir kapjen e institucioneve, nuk është në interesin e perëndimit — se në interesin e shqiptarëve, jo se jo!
Kjo duhet të jetë kauza e ndërkombëtarëve në marrëdhëniet e tyre me Kryeministrin shqiptar, me qeverinë e tij dhe me të gjitha entet e tjera të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar. Për ndryshe, përball kaosit politik aktual në Shqipëri, taksapaguesit amerikanë dhe evropiano-perendimorë,me të drejtë, mund të bëjnë pyetjen: ku është suksesi në Shqipëri që është premtuar nga derdhja e fondeve marramendse këto 30-vjet post-komunizëm.
Rezistenca e shqiptarëve sot ndaj prirjeve
autoritare në vend, ka nevojë më shumë se kurrë, siç sugjeron edhe analisti
evropian i çështjeve shqiptare, Paul Lendvai – për mirëkuptimin, ndihmën dhe
solidaritin e diplomatëve ndërkombëtarë në Tiranë.
Për ndryshe, në sytë e
popullit shqiptar- që dita ditës po largohet masivisht nga vendlindja, si
rezultat i kaosit politik – ju do të dukeni të pa aftë dhe të diskredituar.