Sokol Paja/
Zgjedhjet Vendore në Shqipëri ishin një e papritur e madhe për humbësit dhe fituesit. Rezultat i pazakontë. Rezultat i pa imagjinueshëm. As “Fronti Demokratik” më 1945 nuk arriti këtë rezultat revolucionar. Çelikosja e unitetit popull-parti-pushtet u arrit më fort se asnjëherë. Shteti përdori çdo pushtet shtetëror për të rrëmbyer çdo votë, me çdo mjet, me çdo formë. Blerje, shitje, joshje, këmbime, favore, kërcënime, inskenime, survejime, orkestrime shtetërore sollën një katastrofë elektorale në një Shqipëri që po ikën, po arratiset, po m’paket, po zvogëlohet, po varfërohet çdo ditë. Pushteti sot ka të gjitha pushtetet. Fatkeqësisht shteti dhe pushteti fuqizohen së tepërmi sa herë dobësohet opozita. KQZ tha se nga zgjedhjet e para 2 viteve në Shqipëri mungojnë 200 mijë shqiptarë mbi 18 vjeç. Brënda 10 viteve janë larguar 1 milion shqiptarë nga Shqipëria. Sot kemi veç një Shqipëri Patronazhistësh, Aktivistësh dhe Pensionistësh. Ndarja dhe çarja sot bëhet edhe më e fortë. Askush nuk mendon për shpopullimin e Shqipërisë. Kjo dramë e kombit tonë kërkon reflektim kombëtar. Vetëvrasja e opozitës është një funeral edhe për pushtetin. Një opozitë e dobët është fatkeqësi për shtetin dhe qytetarët. Shqiptarët kanë nevojë për një opozitë të bashkuar, të fortë, bindëse, përbashkuese dhe konkuruese. Vetë opozita ka nevojë për gjak të ri, frymë të re, figura të reja, filozofi të re, organizim të ri, vizion të ri, moral të ri.
Sot Shqipëria është në rrezik. Sot është një ditë e shëmtuar dhe e trishtueshme për pluralizmin dhe demokracinë. Monizëm, edhe pas 30 vitesh…