Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Viti 2020 është viti i përkujtimit të dy përvjetorëve për familjen time. Më 18 shkurt 1970, në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë Babai im i dashur Hasan Ymeri. Kurse më 16 gusht 1980, po në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë nëna ime e shtrenjtë Hanko Ymeri.
Çdokush prindërit i kujton me nderimin dhe respektin më të madh, sepse ata janë njerëzit më të shtrenjtë të jetës së tij. Ata janë busulla orientuese, janë ylli i karvanit për fëmijët e vet, të cilët i rritin dhe i edukojnë me një kujdes të jashtëzakonshëm.
Kur kthej kokën prapa dhe kujtoj rrugën e jetës që kam ndjekur sipas këshillave që më patën dhënë prindërit që në moshë të vogël në fshatin Mesaplik, njëri nga katër fshatrat e Smokthinës së Vlorës, ku jetonte familja jonë, them me plot gojën se ata, ashtu si edhe të gjithë prindërit për fëmijët e tyre, kanë qenë shenjtorë për mua dhe menjëherë më vijnë në kujtesë ca fjalë të arta të disa prej personaliteteve të shquara të lashtësisë, si Menandri (342-291 p.e.r.), komediografi i lashtësisë greke, i cili ka lënë një këshillë fort të vyer për pasardhësit:
“Prindërit nderoji gjithmonë, ashtu si edhe Hyjninë”.
Vlera mjaft të çmuara edukative përcjellin fjalët e Ciceronit (Marcus Tullius Cicero – 106-43 p.e.r.), filozofit, oratorit dhe personalitetit politik të lashtësisë romake, i cili theksonte:
“Dashuria ndaj prindërve është themeli i të gjitha virtyteve”.
Më kujtohet Horaci (Quintus Horatius Flaccus – 65-8 p.e.r.), poeti i “shekullit të artë” të letërsisë romake, i cili thoshte:
“Virtytet e prindërve janë paja më e madhe për fëmijët”.
I ati i Babait, i sëmurë nga pleviti, pati ndërruar jetë në moshë 45-vjeçare, duke i lënë në ngarkim tre vëllezër dhe dy motra më të vegjël. Motrat i martoi, vëllezërit gjithashtu, duke u ndërtuar secilit shtëpi më vete. Vëllai i tij më i vogël, Baxhuli, nuk arriti ta gëzonte jetën pas martesës. Ai qe plagosur në Luftën e Gjormit, në përpjekje me trupat e milicisë fashiste në dhjetor të vitit 1942, kurse në shkurt të vitit 1944, si partizan i Brigadës së Pestë, ra dëshmor në një përpjekje me trupat gjermane në afërsi të fshatit Pilur.
Vëllai im më i madh, Selfoja, në vitin 1948, kur ishte 21 vjeç, si shumë të rinj, pati shkuar vullnetar për gjashtë muaj në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe Peqin-Elbasan. Kur u kthye, Babai dhe Nëna u gëzuan shumë. Në darkë, kur ishim shtruar për të ngrënë, vëllai i tha Babait se në hekurudhë ishte pranuar si kandidat partie. Babai buzëqeshi paksa me ironi dhe i tha: “Po ç’pate, more bir, që i hodhe vetes një zinxhir për gryke?”. Babai nuk kishte pasur simpati për komunistët që gjatë luftës, sepse ata i kishin vrarë padrejtësisht baxhanakun e tij, Murat Hasimin, krejtësisht i pafajshëm. Njëri nga komunistët e fshatit banonte në një kodër, përballë Muratit, matanë një përroi, në shtëpinë e të cilit, që asokohe, ushtonte muzika nga pllakat e gramafonit. Kur dëgjonte tingujt e muzikës, ai komunisti, siç më ka rrëfyer Babai, thoshte me smirë dhe inat: filloi kuja në shtëpinë e Muratit. Që asokohe Murati vishej “allafrënga”, në Vlorë kishte një dyqan të vogël.
Njësiti i Smokthinës, në fshehtësi, kishte hartuar listën se kë duhej të pushkatonte. Në atë listë figuronte edhe emri i Muratit. Një ditë të bukur, kur Murati sapo ishte kthyer nga Vlora, njësiti e arreston dhe vendos ta pushkatojë, paçka se ai s’kishte bërë asnjë krim. Që asokohe Babai pati ruajtur brenda vetes një mëri të heshtur kundër komunistëve.
Nga Babai i ruaj të pashlyera në kujtesë disa këshilla dhe porosi që më pati dhënë, sidomos derisa mbarova shkollën e mesme, dhe një mendim shumë të çmuar, të cilin e kam pasë vlerësuar lart deri tani, kur po i afrohem moshës 82-vjeçare, mendim që më shërbeu edhe si titull i këtij shkrimi.
Më 30 gusht të vitit 1955, në oborrin e shtëpisë sonë, kur po më përcillte për të vazhduar Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, për ku do të më shoqëronte i ndjeri vëllai i madh, Babai më dha tri porosi:
E para: “Dëgjo, bir i Babait, ki parasysh se këtu e tutje do të jesh larg nënës e Babait. Prandaj ki mendjen, të jesh i kujdesshëm në jetë se Shqipëria është baltë e mallkuar, e ka mallkuar Zoti se shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin. Kur shqiptarët ta duan njëri-tjetrin, atëherë Zoti do ta bekojë baltën shqiptare”.
Disa dhjetëvjeçarë më vonë, Nënë Tereza, 42 vjet pas porosisë së Babait tim, dhe pikërisht pas katrahurës së vitit 1997, erdhi për vizitë në Shqipëri. Para se të hipte në aeroplan për t’u larguar nga aeroporti i Rinasit, ajo iu drejtua Zotit:
“O Zot, hiqja mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”.
E dyta: “Atje në gjimnaz përpiqu të jesh i pari në mësime, siç ke qenë këtu në shtatëvjeçare. Por po nuk pate mundësi të jesh i pari, mundohu të jesh mes të parëve dhe atë që është i pari, ta duash dhe ta respektosh si veten tënde, se po pate smirë për të, do t’i bësh shumë dëm kokës”.
Falë kësaj këshille aq të çmuar, nuk e kam njohur kurrë smirën në jetën time dhe ata që kanë qenë më të aftë se unë, i kam nderuar dhe respektuar si veten time.
E treta: “Mos vër kurrë dorë në mallin e botës se, siç të kam thënë dikur, do ta kesh dëmin njëqindfish. E kam porosi nga i ndjeri im atë”.
Këtë porosi Babai ma kishte dhënë që kur isha nxënës në klasën e gjashtë të shtatëvjeçares. Përveç porosisë së të atit, ai kishte pasur edhe një përvojë të hidhur nga jeta e vet. Njëherë, diku aty nga fillimi i viteve ’50, ai kishte shkuar për pazar në Vlorë, e cila ndodhet 54 km larg Smokthinës. Kështu që, për të qenë në Vlorë ditën e pazarit, pra, të dielën në mëngjes, ai nisej me kalë nga Smokthina të shtunën, në të perënduar të diellit, dhe udhëtonte gjatë natës. Atë ditë, pasi kishte blerë gjërat që i duheshin, qe nisur për në Smokthinë pa perënduar dielli. Kishte kaluar mesi i shtatorit. Kur kishte edhe dy orë natë, ai pati arritur në anën e djathtë të lumit të Smokthinës, përballë shtëpive tona, që ndodheshin në një gjysmë lartësie të anës së majtë të lumit. Aty, çuditërisht, kishte sjellë ndër mend atë porosinë e të atit për të mos vënë dorë në mallin e botës. Dhe, aty për aty, kishte thënë me vete: do ta provoj një herë për të mos e vënë në zbatim atë porosinë e tim eti dhe do të shikoj nëse do ta kem dëmin njëqindfish ose jo”. Pati zbritur nga kali dhe i qe afruar një are me misër që ndodhej në anë të lumit, pronë e një fshatari nga fshati Ramicë. Kallinjtë e misrit ishin të shëndetshëm. Këputi njërin prej tyre, i hipi kalit dhe u nis për në shtëpi. Kur arriti, lidhi kalin dhe i hodhi haje, kurse vetë shkoi pranë furrës që kishim në oborr. Nëna, zakonisht, që në darkë, thëngjijtë i mbulonte me hi që të mos fikeshin, në mënyrë që të nesërmen ta ndizte zjarrin me lehtësi. Aty ai i zbuloi, u hodhi ca lëmishte përsipër dhe ndezi zjarrin, zhveshi kallirin e misrit, e poqi, e hëngri dhe shkoi të flinte. Njerëzit e shtëpisë të gjithë ishin në gjumë. Natën e nesërme, gjë që nuk kishte bërë vaki kurrë, një tufë derrash të egër, zbresin nga pyjet në lindje të shtëpive tona, hyjnë në arat me misër dhe batërdisën një dynym e gjysmë. Kur njëherë pati qëlluar që t’i kthehej kësaj ndodhie, unë i thashë me shaka: po ndoshta rastisi që derrat e egër atë natë dëmtuan arat tona, jo se shkaktar qe ai kalliri i misrit që ti more nga ara e huaj. Jo, bir i Babait, – ma ktheu ai. – Ishte ndëshkim nga Ai atje lart në qiell, sepse syrit të Tij nuk i shpëton asgjë nga prapësitë që bëjnë njerëzit këtu në Tokë. Po ja, filani, – ndërhyra unë, – dhe i përmenda emrin e dikujt nga fshtarët, i cili njihej si njeri që vinte dorë në mallin e botës dhe s’kishte pësuar gjë. Prit, bir i Babait, – ma ktheu ai, – se të ligën e ka pas veshit, se kështu është taksur nga Ai lart, që shtëpia jonë ta pësojë menjëherë kur vë dorë mbi mallin e tjetrit, kurse ai që më përmend ti, do ta pësojë më vonë të ligën, mbama mend llafin. Dhe me të vërtetë: ai fshatari pati hipur dikur në hardhinë e tjetrit për të marrë rrush, rrëzohet prej andej dhe mbeti i paralizuar gjatë 18 vjetëve, derisa ndërroi jetë.
Në maj të vitit 1956, mbarova klasën e parë të gjimnazit në Vlorë dhe u ktheva pranë familjes. Komunistët kishin filluar fushatën e ethshme për kolektivizimin e bujqësisë. Ishte muaji qershor. Po korrnim grurin. Bënte vapë dhe vendosëm të çlodheshim pak në hijen e një peme. Ndërhyn Babai: “Këta komunistët qenkan bijtë e djallit, kërkojnë të na marrin tokat dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit”. Ç’t’i thoshja? Po ndoshta e kanë për mirë, o Baba, – ia ktheva unë. Në fund të majit të vitit 1959, mbarova mësimet e klasës së katërt të gjimnazit dhe gjatë qershorit do të kishim provimet e maturës. Shkova pranë familjes dhe çdo javë kthehesha në Vlorë për dhënien e tyre. E mbaj mend si sot. Ishte data 10 qershor. Po hanim drekë nën hijen e shtratit të hardhisë në oborr. Më 25 maj pati ardhur për vizitë Nikita Hrushovi. Qëndroi tetë ditë në vendin tonë dhe u largua më 03 qershor. Babai pyeti: “Po ky Enveri pse nuk bisedoi me Hrushovin që të ndërhynte te Titua për ta kthyer atë Kosovën këtej nga ne, se ajo është truall shqiptar, është toka jonë?”. U zura ngushtë dhe s’dija ç’përgjigje t’ jepja. I thashë se ndoshta i ka ardhur zor, meqenëse e kishte mysafir. Atëherë ai ma kthen: “Dëgjo, more djalë i Babait! Shqipëria, në këtë gjendje që është, duket si një kopaç përdhe, se kështu na e katandisi Evropa për fajin tonë që s’qemë të zotë t’i mbrojmë tokat tona. Në këtë gjendje, kjo e shkretë Shqipëri është pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë. Po nuk u bashkuan koka, shpatullat dhe këmbët, ky vend jo vetëm që nuk do ta marrë veten kurrë, por edhe bota do të tallet me të. Dëgjomi këto fjalë që po të them se ti je i ri, e ke jetën përpara, kurse unë sot për nesër jam”. Me “kokë” ai kishte parasysh trojet tona në Mal të Zi dhe Kosovën, me “shpatulla” – trojet e sotme në Maqedoninë Veriore dhe me “këmbë” – Çamërinë. Fakti që Shqipëria s’ka qenë në gjendje të ndërtojë shtet ligjor edhe gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, vërteton se ajo s’ka për ta ndërtuar kurrë pa ribashkimin e trojeve tona etnike, që nga Arta e Preveza e deri në Tivar, hapësirë kjo, në të cilën jetojnë gati 10 milionë shqiptarë.
Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendim nr. 4040, datë 14 korrik 1965, Babain, si veteran i Luftës së Vlorës, e dekoroi me medaljen “Për veprimtari patriotike’, me motivacionin “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Ky ishte një gëzim i madh për familjen tonë. Babai ishte vazhdues i traditave atdhetare të pararendësve të vet. Gjyshja e tij nga Babai, Kale Hodja, ka qenë e bija e Hodo Ali Nivicës, e njërit nga udhëheqësit e shquar të kryengritjes antiosmane në mesin e shek. XIX kundër Reformave të Tanzimatit, përkrah Tafil Buzit dhe Zenel Gjolekës, stërgjyshërit e tij, Lulo dhe Muk Bajrami, bashkëluftëtarë të Bilbilenjve të famshëm të Progonatit të Kurveleshit, me urdhër të pashait, janë varur në Rrapin e Janinës dhe në një këngë të vjetër të rapsodit smokthinjot Xhevit Zeneli janë dy vargje: Lulua me Muk Bajramë / gji në gji ç’e dhanë xhanë.
Me respekt dhe nderim të madh kujtoj Nënën e shtrenjtë, e cila njihej për zemrën e saj bujare, për ngrohtësinë e jashtëzakonshme të shpirtit human, për natyrën e saj aq mikpritëse, saqë banorët e lagjes sonë Parika thoshnin: “Hankua i pret mysafirët me bukë që në oborr”, sepse ishte mjeshtre e vërtetë në përgatitjen e gatesave nga më të ndryshme. Veç kësaj, ajo ishte e famshme për punë artistike në vegjë, nga e cila nxirrte qylyma shumë të bukur shumëngjyrësh. Ngrohtësia e shpirtit të saj ishte e përmasave mitike në edukatën që na jepte neve, si fëmijë. Fjalët e saj “kujdes në jetë, të keqen Nëna, që as mizën të mos e shkelni me këmbë”, qenë skalitur për jetë në kujtesën time dhe të të dyja motrave dhe vëllait të madh, Selfos, që prehen në atë jetë. Ajo ishte bijë e një familjeje të madhe nga fshati ynë: ishin shtatë motra dhe katër vëllezër. Njëri prej vëllezërve, Selim Tahiri, kishte dalë partizan dhe pati rënë dëshmor në Jugosllavi. Babai i saj, Abedin Tahiri, kishte marrë pjesë në Luftën e Janinës. Ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare. Duke marrë parasysh fëmijët e tezeve, të dajave, të xhaxhallarëve dhe të hallave, ne bëheshim 72 kushërinj të parë.
Unë me time shoqe, Havanë, jemi përpjekur që, të dy fëmijët tanë, djalin dhe vajzën, t’i rritim dhe t’i edukojmë sipas këshillave dhe porosive të prindërve tanë. Dhe ne e ndiejmë veten krenarë me sjelljen e tyre. Të dy erdhën për studime universitare këtu në Shtetet e Bashkuara (djali në vitin 1996, kurse vajza në vitin 1998), ku mbaruan dy fakultete secili dhe tani janë të nderuar në vendet e punës ku japin kontributin e vet.
Me rastin e përkujtimit të datës 18 shkurt dhe 16 gusht, kur Babai dhe Nëna ime patën ndërruar jetë, respektivisht në vitin 1970 dhe 1980, dëshiroj me gjithë zemër që gjithë prindërve dhe fëmijëve të tyre, t’u drejtohem me urimin në vijim:
Qofshin të bekuar prindërit që i edukojnë fëmijët me virtyte të larta! Qofshin të bekuar fëmijët që prindërit i nderojnë po ashtu si edhe Hyjninë!
Kolumbus, Ohajo
16 gusht 2020