Shkruan: Eugjen Merlika/
“Ajo që është keq për moralin është keq edhe për politikën”- J.J.Rousseau në “Letër D’Alembert-it”/
Ka disa ditë, që kur u njoftua dekorimi i 67 “ballistëve”, të pushkatuar më 21 tetor 1943 në Divjakë të Lushnjes nga Brigata e I sulmuese, prej Kryetarit të Shtetit, Bujar Nishani, një pështjellje e madhe ka pushtuar mediat dhe politikën shqiptare, me gjithë problemet e shumta e të mëdha që kjo e fundit duhet të përballojë.
Ndjeshmëria e madhe e mjediseve shqiptare kundrejt së shkuarës sonë, tregon se ne mbetemi shpirtërisht të lidhur me të, duke prapësuar çdo prirje për t’u shkëputur prej saj, kryesisht njollave e çfaqjeve negative. Mbas 25 vjetësh të tjetërsimit të sistemit ende ngurojmë të rishkruajmë historinë e mbetemi robër të së shkuarës, me të gjitha kundërshtitë e saj, me dëme të mëdha për ecjen tonë përpara. Kundërveprimet e ashpra, në të gjitha nivelet, ndaj vendimit të Kryetarit të Shtetit, për t’i u njohur mbas gati tre të katërtat e qindvjetorit, 67 shqiptarëve të thjeshtë faktin se ata kishin qenë viktima të një krimi politik, të padenjë për një popull të qytetëruar, dëshmojnë se idhtarët e atij krimi gjënden edhe sot mes nesh.
Ata janë jo vetëm në veshjen e ish zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, apo t’ashtuquajturve “veteranë”, të cilët n’atë kohë nuk kishin mbushur as njëzet vjeç, por edhe në brezat e tjerë, deri në të katërtin. Ndër ta bëjnë pjesë njerëz të pushtetit, tw ish roganeve të dhunës shtetërore, të shoqërisë civile, të partive politike, por edhe përfaqësues të inteligjencës jo proletare. Kjo masë jo e njëtrajtëshme, që në këto ditëështë paraqitur si një “bllok graniti”, në mbrojtje të “fitorjeve” të luftës N.Ҫl. dhe në ridënimin e gjithë kundërshtarëve të partisë komuniste gjatë e mbas luftës, me qëndrimin e saj të vendosur tregon se e gjithë frazeologjia për “demokracinë”, “vlerat evropiane” frymëzuese, Shqipërinë “perëndimore” e anëtare të Nato-s etj., janë të gjitha “gjethe fiku” për të maskuar një të vërtetë të hidhur e dëshpëruese. As brezi i katërt i Shqipërisë komuniste nuk don ose nuk është në gjëndje të ketë një ndërgjegje të tijin, të shkëputur nga dogmat e gjyshërve e nga mashtrimi i 70 vjetëve, kryesisht për luftën e dytë botërore.
Pa dashur të përsëris vetveten n’analiza t’asaj periudhe historike e pa hyrë në hollësitë e saj, më duket se bisedat e ditëve të fundit, në mediat pamore apo të shkruara, na venë përballë një problemi që, më shumë se sa me interpretimetnë kah historik t’atyre ngjarjeve, ka të bëjë me një çështje formimi moral të shoqërisë sonë. Përtej vendimit të ligjshëm të Presidentit që, për herë të parë në 25 vjetët e pas komunizmit, ka guximin të verë gishtin zyrtarisht mbi plagën më të thellë të sistemit që n’embrion, atë të dhunës e terrorizmit, me të cilët u mbruajt komunizmi shqiptar, simbas modelit të Rusisë bolshevike të Stalinit, më duket se të gjithë ata diskutime mund të përmblidhen në një pyetje të thjeshtë : si qytetarë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të botës, a duhet të kemi një qëndrim të prerë e pa mëdyshje kundër dhunës politike, ushtarake, policore, në të gjitha format e saj të larmishme, në të gjitha rrethanat e ngado që të vijë?
Nga përgjigja që ne, si shoqëri, me sinqeritet i japim kësaj pyetjeje, varet përkatësia jonë bindjeve, vlerave, ligjeve e praktikave të botës së qytetëruar e demokratike. I gjithë kundërveprimi masiv ndaj vendimit të Presidentit, mjerisht na provon se ne jemi ende shumë larg koncepteve njerëzore, që janë në bazën e moralit të vërtetë, jo pse nuk i njohim, por sepse paragjykimi dhe padija historike me të cilët jemi mbruajtur na e bëjnë të pamundur përqafimin e tyre.
Episodi, aq shumë i përfolur, është një shembull tipik i mos zbatimit të ligjeve të moralit në gjëndjen e jashtzakonëshme të luftës civile. Duke marrë për të vërtetë versionin zyrtar të ngjarjes, po sjell fragmente të shkurtëra të një dokumenti të AQSH : F.41, viti 1943, D. 32, Fl.4. Bëhet fjalë për letrën që komandanti i brigatës së I, Mehmet Shehu i dërgoi më 30 tetor 1943 Shtabit të përgjithshëm t’ushtrisë n.çl. Mbas një beteje mes partizanëve komunistë të Brigatës së parë dhe forcave balliste, të fituar nga të parët, u zunë robër 172 vetë dhe u vranë 10-15 të tjerë. Ka një ligj të lashtë sa bota dhe luftërat, jo gjithmonë të respektuar : robërit e luftës nuk vriten. Por si veproi fituesi kundrejt bashkatdhetarëve të tij? Ja çfarë thotë vetë ish Kryeministri i Shqipërisë: ”Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nënkomisarit të komandës dhe një partizani të Bat. I të Brigatës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë për brigatë dhe batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur…… mua më duket se kemë qënë gabuar, kemi ekzazheruar, kemi qënë shumë të rreptë. Do të mjaftonte pushkjatimi i 15-20 ballistavet nga më përgjegjësit. Porse këtë rradhë gabimi, faji kryesor është i imi…… i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çastevet, qesh i mejtimit për këtë masë të pa masë!…… Gjurmët e këtij terrori (nënvizimi im)duhen çdukur dhe shpresojm se do t’a shdukim në t’ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çastevet që në mua çfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikro-borgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.”
Se sa e sinqertë qe kjo “autokritikë” na e vërtetojnë dokumentat angleze, nga të cilët po shkëpus vetëm një frazë :”Në fshatin Ҫepan të Skraparit, ai (Mehmet Shehu) torturoi Seit Ҫepanin, të birin e Asllan Ҫepanit, duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdesë në agoni”. Një skenë rrënqethëse, për primat filmash të tmerrit !
Një tjetër dëshmi është ajo e FrancoBenantit, një mjeku italian që shërbeu e luftoi në formacionet partizane : “Nga mesi i korrikut (1944), Mehmet Shehu dogji fshatin e Tërnovës, n’afërsi të Dibrës, duke vrarë 130 gra e fëmijë. Më 5 gusht në Kostenjë, në rajonin e Ҫermenikës, divizioni i tijmasakroi 32 të pafajshëm, mes të cilëve edhe disa të porsalindur. Menjëherë pas Breneshit, në zonën e Zaranikës, ai vari në litar 18 persona, për t’u hakmarrë për vdekjen e një partizani. Pastaj për të kurorëzuar veprën, Shehu u sul në zonën e Matit, në lindje të Tiranës, ku në ditët e fundit të gushtit, pushkatoi dhe dogji 76 persona.”
Duke u kthyer përsëri në episodin e Divjakës, simbas Xhelal Staraveckës, atëherë komandant batalioni i Brigatës I, kriteri i zgjedhjes së të pushkatuarve, me ndërhyrjen e Dushan Mugoshës, ishte edhe fetar, sepse u liruan 19 robër ortodoksë. Ky fakt na kujton terrorizmin e islamistëve të Shebabit që, në universitetin e Kenias, vrisnin të gjithë ata qënuk mbanin përmëndësh Kuranin….. Vlen të përmendet edhe përgjigja e Enver Hoxhës, atëherë Komisar i shtabit të përgjithshëm, të cilën e gjejmë në dokumentin n. 33 të 5 nëndorit 1943 : “Ky ekzekutim, shoku Mehmet, si kundër që e njeh edhe vetë në letrën që i çon shtabit, është i tepëruar dhe pa vend dhe shumë i gabueshmë pse në vend që të na sjedhij fitime na dëmton….. Letra jote që i çon Shtabit të Përgjithshëm për këtë çështje, na siguron se do ti moderoç ndjenjat e inspiruara nga momenti dhe nuk do të përsëritet më gjë punë e tillë, dhe herë tjetër nuk do të mungojë gjakftohtësia….” Se sa u zbatua kjo porosi e pamë më sipër. Por brënda gjinisë vërejtjet pranohen, edhe se krimet e Mehmetit, të “spanjolit” simbas Pandi Kristos, një tjetër kolegutë luftës, “ngjethnin erën”siç shprehej dikur i madhi Shaekespaere. Por ata nuk e penguan që ai zotëri të qeveriste Shqipërinë për afër 30 vjet, dhe ende sot t’i këndohen bëmat e “lavdishme”!
Kjo ishte ngjarja, simbas pohimeve të vetë atij që e ka ideuar e zbatuar e ky është gjykimi i tij rreth saj e njëkohësisht edhe i Enver Hoxhës, të parit të komunistëve shqiptarë. Bazuar mbi të vërtetën e këtij fakti historik, Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve politikë i kërkoi Presidentit dekorimin e atyre viktimave të dhunës. Ndoshta Presidenti kërkoi të japë një provë të shkëputjes së pas komunizmit nga krimet e kësaj natyre të parardhësve, një ide e lëvdueshme, që gjeti një kor kundërshtimesh ndaj vendimit. Doli në pah një masë e madhe njerëzish, deri në nivelet më të larta të politikës, të cilët në këtë rast i u kundërvunë dënimit të krimit, edhe kundër logjikës më parake të moralit njerëzor, edhe kur ai u shfaq në format e tij më mizore, më tragjike.
Cila është përfytyresa që i japim t’ashtuquajturve “aleatë strategjikë”, Evropës e SHBA, sado të prirur qofshin segmentët e majta të tyre për të heshtur e për të mos vënë në dukje or’e çast krimet e komunizmit, duke dalë në mbrojtje të një krimi, të kritikuar atëherë nga vetë ushtruesit e tij ? Cili është mësimi që i përcjellim të rinjve tanë me këtë zell në hymnizimin e terrorit komunist të luftës e të mbas luftës së dytë botërore, ende treçerek shekulli mbrapa ? Ҫfarë besueshmërie mund të kemi si shoqëri e si shtet, duke vazhduar së mbajturi në piedistal kriminelët e hajdutët e duke poshtëruar kujtimin dhe veprën e atyre që kanë ndriçuar historinë tonë me shëmbujt e ndershmërisë, të shtatit moral e të atdhedashurisë ?
Kemi nevojë të nxjerrim në pah vlerat tona të vërteta, ato që u shpalosën madhërisht gjatë luftës së dytë botërore, jo duke masakruar njerëz, duke vrarë robër, gra e fëmijë, por duke shpëtuar qindra hebrenj të strehuar në shtetin tonë të bashkuar. Kemi nevojë të shohim përpara, jo duke ringjallur idhujt e rremë të historisë sonë, por duke i braktisur ata, duke i a dorëzuar gjyqit të historisë së vërtetë e duke pohuar me të madhe vullnetin tonë për të dënuar krimin, nga çdo anë që të vijë e çfarëdo ligjërimi të ketë. E parë në këtë vështrim e gjithë pështjellja e ditëve të fundit më duket se qe një rast i humbur në pohimin e vlerave tona e tëdëshirës sonë për të qenë pjesë e bashkësisë së qytetërimit të kontinentit tonë.
Nëntor 2016
Rexhep murtezi - Gjilan says
O zotriu i madhë Eugjen Merlika,po të lumt.Po mor zotri i madhë,në popull njifet thënia se: “Tupani
rrah për ata që kan veshë”,porse në Shqpninë e Ismail Qemalit dhe Isah Boletinit,kjo nuk vlenë.Ka
ende nostaligjik të Enverit të cilët dhien për goje,për vlerat e mirëfillta të kombit.ju lutem ju e keni
përjetuar regjimin e gjaksorit,kriminelit Enver dhe dua të ju dëgjoj.