
Sokol Paja/
Kombëtarja shqiptare e futbollit mori 3 pikë të arta në Leskovac teksa fitoi 1-0 ndaj Serbisë me gol të Rey Manaj në fund të pjesës së parë. Ndeshja e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026 foli shqip. Një serbi ngordhalaqe përballë yjeve të Shqipërisë. Përveç 3 pikëve kjo fitoreve i jep Shqipërisë një hap të sigurt për vendin e dytë që të dërgon automatikisht në play-off e kualifikueseve për Kampionatin Botëror. Me një Strakoshë të pakalueshëm, mbrojtje hermetike, mesfushë të ngjeshur e sulm të shpejtë, Shqipëria befasoi me një fitore të artë që vlen më shumë se 3 pikë.
Një fitore morali, karakteri, force dhe dinjiteti. Një kombëtare që nderon kombin dhe bën krenar çdo shqiptar për shpirtin e zemrën që dhanë në fushën e lojës. Një fitore emocionuese që jep shumë shpresë. Një sprove e vështirë force e karakteri që kaloi me sukses të madh falë përgatitjes inteligjente. Një Shqipëri që rritet, që ka siguri dhe miradministrimin, që ka pjekuri e stabilitet. Një kombëtare që gëzon, bashkon, krenon dhe frymëzon mbarë kombin shqiptar.
Një ekip që lufton fort e nuk dorëzohet për asnjë moment. Zbulimi i këtyre Eliminatoreve është Julian Shehu, potent dhe elegant, shkatërroi dhe bllokoi në mesfushë sulmet e serbeve që në këtë takim ishin hija e vetvetes. Heronjtë tanë kuq e zi na dhuruan një emocion të papërshkrueshëm që ka vlerën e kualifikimit, ndaj armiqve shekullorë të kombit shqiptar. Shqipëria dha leksion futbolli ndaj ekipit serb të shthurur, të lodhur dhe konfuz. Shqipëria di të bëjë presion, di të përballojë trysni dhe ka aftësinë e pjekurinë të sillet si ekip i madh.
Forca Shqipëri, përjetë me ty.