
Shqiptarët e ngritën flamurin kuqezi në Bashkinë e Philadelphias.
Nga dr. Sadik Elshani
Shoqata “Bijtë e shqipes” çdo vit organizon me dhjetëra veprimtari të bukura e cilësore, por nuk veprimtari më të bukur se ngritja e flamurit kuqezi në sheshin e bashkisë së Philadelphias. është kjo një veprimtari që të gjithë e presim me padurim dhe që na ben të ndjehemi krenarë që jemi shqiptar. Kështu ndodhi edhe sot kur u zhvillua ceremonia madhështore e ngritjes së flamurit në Bashki. Për komunitetin shqiptaro – amerikan të Philadelphias me rrethinë kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbolet tona kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphias. Ngritja e flamurit kuqezi në bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve është nder për Shqipërinë e gjithë shqiptarët, posaçërisht për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias. Por, edhe flamuri ynë hijerënd e zbukuron qiellin e Philadelphias, sepse ai është flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale, dinjitetin e kombit tonë. Atë nuk e shëmtojnë njollat e pushtimit të tokave të huaja, robërimit të popujve të tjerë. Flamuri ynë është vetëm flamuri i lirisë. E ku më bukur shfaqet ai shpirti i lirisë sesa në qytetin e Philadelphias, vendlindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës?! Kjo veprimtari e bëri bashkë Skenderbeun e XHorxh Uoshingtonin, shembulli i të cilëve u bë udhërrëfyes për të gjithë popujt që luftojnë për liri e pavarësi
Këtë ceremoni madhështore e hapi kryetari i shoqatës “Bijtë e shqipes”, z. Dritan Matraku, i cili përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit. Z. Matraku ndër të tjera falenderoi qytetin e Philadelphias që ka bërë të mundur organizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme për komunitetin dhe kombin tonë. Në këtë ceremoni merrte pjesë z. Charlie Elison, Drejtor Ekzekutiv i Office of Immigrant Affairs, Ishte i pranishëm edhe ish-Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit dhe miku i shoqatës sonë, z. Avdullah Domi. Pastaj z. Matraku uroi 113 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe porositi që të jemi të bashkuar, sepse së bashku mund të bëjmë më shumë. Ai u rikujtoi të pranishmëve se kjo veprimtari është një vazhdim i veprimtarive të suksesshme që shoqata jonë ka zhvilluar kohëve të fundit.
Fjalën e rastit e mbajti z. Devis Gjuzi, anëtar i Këshillit Drejtues të shoqatës. Zoti Gjuzi foli për rëndësin e 28 Nëntorit në historinë e popullit tonë, përpjekjet e të parëve tanë gjatë historisë, por edhe për përpjekjet e shqiptarëve në Philadelphia e Amerikë për një jetë më të mirë. Zoti Gjuzi vuri në pah vlerat e popullit tonë: qëndresën, përpjekjet ndër shekuj për liri e pavarësi. “është një ndjenjë e posaçme kur festohet në Philadelphia” – u shpreh ai. Pastaj ai falenderoi qytetin e Philadelphias që na ka pranuar në mesin e vet dhe na mundëson të rrisim fëmijët tanë, ta ndërtojmë jetën tonë. Ai përmendi edhe kontributin e shqiptarëve në zhvillimin e qytetit të Philadelphias, vlerat dhe traditat tona, të cilat e pasurojnë edhe më tepër jetën e qytetit.
Zoti Charlie Elison përshëndeti të pranishmit në emër të kryebashkiakes së Philadelphias, zonjës Sheryl Parker dhe uroi për festën, duke shprehur kënaqësinë e tij që ndodhet në këtë ceremoni mbresëlënëse, në mesin e shqiptarëve. Z. Elison është një njohës i mirë i shqiptarëve, Shqipërisë e Kosovës, sepse ai si pjesëtar i ushtrisë amerikane ka shërbyer ne Shqipëri e Kosovë. Ai i ka trajnuar ushtarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në misionin paqëruajtës në Afganistan dhe ka shërbyer me ta atje. Në fillim të fjalës së tij z. Elison theksoi se Philadelphia është një qytet që i mirëpret dhe i vlerëson emigrantët. Ai foli me fjalë shumë dashamirësie për shqiptarët, të cilët tani janë bërë pjesë e jetës së qytetit të Philadelphias, duke ngritur lart vlerat e traditat tona kombëtare, miqësinë shekullore të popullit shqiptar dhe atij amerikan. Posaçerisht ai vuri në pah vitalitetin, dinamizmin dhe energjinë pozitive të komunitetit tonë. Në vazhdim z. Elison ia dorëzoi zotit Matraku Proklamatën me të cilën Kryebashkiakja (Mayor), Sheryl Parker, e shpallte 25 nëntorin 2025 si Ditën e Shqipërisë në Philadelphia. Pastaj ai lexoi pjesë nga kjo Proklamatë ku përshkruhej rrugëtimi i popullit tonë nga periudha e ndritur e Skënderbeut, nga 28 nëntori i vitit 1443 deri te 28 nëntori i vitit 1912, sfidat me të cilat është ballafaquar Shqipëria gjatë historisë së saj, miqësinë e Shqipërisë me Amerikën, kontributin e shqiptaro – amerikanëve në të gjitha fushat e zhvillimit të SHBA-ve, si dhe përpjekjet e tyre për të shërbyer si urë bashkimi e bashkëpunimi në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan.
Pastaj në sallën ku u zhvillua ceremonia jehoi kënga dhe vallja shqiptare nga të gjitha trojet tona etnike – ngjyra kuqezi, atmosferë kuqezi. Të gjithë ndiheshim të lumtur, të gjithë ndiheshim krenarë.
Të gjithë motra e vëllezërve shqiptarë kudo që ndodhen në botë: Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, Festën tonë Kombëtare! Famuri kuqezi, flamuri i Skënderbeut na bashkon!
Philadelphia, më 25 nëntor 2025




See insights and ads
All reactions:
29Nazim Salihu and 28 others