NGA ALFONS GRISHAJ/
NGA ALFONS GRISHAJ/
“Simiti i Diasporës” zbuloi revolucionin e PS ndër Kontinente.
Të pranishmit ishin skanuar nga Partia dhe ambasadat me shumë kujdes… Gjeniu i kanabisit kish shpikur dhe një shqiponjë për të nderuar besnikët e partisë, “Shqiponja e Kallajit”, e lyer me bojë metali ngjyrë ari. Kjo më solli ndërmend “Sulmues-it” e Partisë Punës, që u jepej aksionistëve, dhe “Kryqin e Hekurt” të Hitlerit, që nazizmi ua akordonte emigrantëve dhe industrialistëve besnikë. Por, ama foli hakun, “Shqiponja e Kallajit” ia kalonte “Sulmuesit” të PP-së dhe “Kryqit të Hekurt”, sepse ishte mashallah goxha e madhe sa të mbushej dora plot, biles po të shkrihej t’i mbushte dhe poturet.
Në takim ranë në sy lektorë nostalgjikë nga familje të PP-së, të cilët me letra fallso (ashtu siç janë dhe vetë) janë bërë azilantë në perëndim. Përjashto Ekrem Bardhen që foli si patriot, të tjerët…, sehirxhinjë dhe aminxhinjë. Askush nuk kritikoi Qeverinë e blerimit të kanabisit dhe varfërisë. Të gjithë duartrokisnin dhe brohorisnin… duke shpresuar të merrnin “Shqiponja Kallaji” për t’i çuar si trofe në shtëpitë e largëta.
Në shoqërinë e civilizuar, hipokrizia dhe militantizmi nuk sjellin progres, përkundrazi! Thirrja “I love You”, e kaloi në ekstazë Kryetarin e liliputëve. “I love you too!”, – iu përgjigj ai. Pjesa teatrale mori hov dhe grimasat kaluan caqet e çdo vizatimi surreal…
Kokëministri fryrë si gjeli majë plehut, me një gjestikulacion musolinian zbuloi sekretin e madh se, përtej Adriatikut, Mediat e vërteta, Mediat patriotike anti-tradhëti, anti-drogë, anti-varfëri, anti-krim, ishin kazan e shkuar kazani! Disa prej të pranishmëve iu qeshi mustaku për “bombën” që lëshoi Ramëzezi. Po kush i quan kështu atdhetarët e vërtetë?! Bash mjeshtri i kazanit, teneqexhiu Ramëzi.
Sa për informacion, në vitin 1775 Amerika kishte 37 gazeta javore në kolonitë e saj (The Challenge of Democracy, F. 151). Vatra do kremtojë110 vjetorin e Gazetës Dielli me 6 Prill 2019. Shtypi i Diasporës Shqiptare të Amerikës ka lindur dhe është zhvilluar në truallin e traditës më të mirë të gazetarisë në botë, prandaj dhe është i ndryshëm nga modeli i branavekëve allaturka të çitaklliut Ramëzi, i cili gjen kurajon t’u mësojë njerëzve, që thithin prej dekadash ajrin e lirisë perëndimore, se çfarë do të thotë gazetë, media… Le të kujtohet pak se ironia e tij me kazanë, bakalë etj. është kulturalisht vetëpaditëse, shprehje e dashurisë ndaj kontaminacionit anadollak…
Simiti i Diasporës nuk propozoi ndonjë lloj strategjie zhvillimi, bashkëpunimi apo as dhe minimalisht ndonjë vizion për të ardhmen, vetëm një organizim paratrupor për të testuar votuesit dhe krijuar celulat e PS në botë. Ajo që të vjen keq është që në këtë vorbull ishte dhe ndonjëri si, Mark Gjonaj, i cili aksidentalisht (besoj jo në mënyrë të qëllimtë) është bërë instrument i të majtëve, pa e kuptuar se duke i shërbyer atyre, po digjet në opinionin nacional. Ai mori një Medalje të vërtetë nga Kryeministri Haradinaj, por nuk i shkoi në mendje për asnjë moment ta pyeste teneqexhiun e Kazanit, pse Kryeministri Haradinaj, Heroi i vërtetë i Dardanisë (që është dhe homologu i Ramëziut), nuk merrte pjesë në Simit-in e “Shqiponjave…”?!
Unë e kuptoj se njeriu ka shumë dëshira… dhe një nga ato është për të udhëhequr masën, për t’u bërë i madh. Po dëshira i kalon shpesh herë kufinjtë e mundësisë, sepse nuk është dëshira që arrin objektivin, por nënqenia, shpirti i frymëzuar dhe i angazhuar në misione fisnike e realizon atë. Udhëheqësit kanë përmasa unike, të cilat nuk fitohen, por lindin.
Në Simit, nuk u panë intelektualët e vërtetë, personalitetet kritike të komunizmit, luftëtarët e lirisë dhe demokracisë që luftuan dhe luftojnë ende për çështjen kombëtare: Zhozef DioGuardi, Dr. Elez Biberaj, Prof. Sami Rrepishti, Prof. Nikolla Pano, Dritan Mishto, Naum Prifti, Harri Bajraktari, Dr. Gjon Buçaj, Dr. Gjon Kelmendi, Prof. Franz Grishaj, Baba Helidon Pashaj, Dom Ndue Gjergji, Dom Pjeter Popaj, Imam Edin Gjoni, Dom Fred Kalaj, Dalip Greca, Imam Shuajip Gërguri, Zef Balaj, Agim Rexhaj, Kolec Ndoja, Merita Bajraktari, Marjana Bulku, Ilir Levonja, Çezar Ndreu, Marko Kepi, Eduard Aliko, Gjeto Ivezaj, Kujtim Qafa, Frederik Ndoci, Gëzim Nika, Gjen. Asllan Bushati, Nevruz Nazarko, Col. Dritan Demiraj, Mynyr Nazifi, Toni Vulaj, e shumë e shumë personalitete të cilëve nuk mund t’ua rreshtoj emrat në dy faqe letër. Mospjesëmarrja e këtyre figurave dhe të tjerëve tregon se kush ishte në atë sallë…
Vatra nëpërmjet strukturave të saj, Kryetarit Mishto, Editorit Greca dhe Degës së Michiganit, denoncuan natyrshëm Simitin e fryrë me brumë dhe sodë rozë. Unioni i Biznesmenëve, organizatat lokale e kombëtare, mediat, personalite patriotë në Diasporë e kritikuan këtë tubim si paranojë të Ramëziut, do të thoja, takim faustian.
Pamëdyshje, tubimin në fjalë do e quaja, “Takimi me Diasporën e Partisë Punës”, sot Partia Socialiste.
Sinqerisht, nëse Ramëzezi, do ta quante Samitin e Diasporës, “Simiti i Diasporës Socialiste”, askush nuk do shqetësohej, biles do t’i uronim nismën. Por asnjë emigrant patriot nuk mund të rrijë gojëkyçur dhe duar lidhur që të mos thotë një fjalë… apo të mos hedhë në letër mendimin e vet për të denoncuar manipulimin dhe gënjeshtrat e një Qeverie të paturpshme që ka shtrirë tentakulat përtej oqeaneve për të helmuar opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar se gjoja u bë Samiti i Diasporës …
Kazani që ka përgaditur Ramëzezi për të tjerët, po vlon…, dhe herët a vonë, ky kazan do e përpijë dhe të zonë. Snajperat mbi Xhami janë një sakrilegj , një shëmti e qeverisë në agoni. Dje u dogjën dy goma, nesër çerdhja e krimit!