Një gjest kuptimplot ai i dhurimit të shtatores së Nënë Terezës nga shoqata Korabi qytezës arbëreshe të Firmos (arb. Ferma), në provincën e Kozencës, në Kalabri. Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu, afroi kështu dy popuj të cilët si dy vëllezër u takuan pas një kohe të gjatë të kaluar larg njëri-tjetrit.
Shqiptarët e Italisë takuan vëllezërit e tyre shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, ata vëllezër nga Shqipëria të cilëve u hapën dyert në vitet Nëntëdhjetë, në periudhën më të vështirë të përjetuar nga populli shqiptarë në 30 viteve të fundit. Komunitetet arbëreshe të Italisë kanë qenë gjithnjë të pranishme në momentet e vështira që ka patur populli shqiptar në Itali, si përshëmbull mikpritja e viteve ’90, kur arbëreshët nga gjithë Italia u paraqitën në portet e Brindizit dhe të Barit për të ndihmuar vëllezërit e tyre shqiptarë.
Kjo ka qenë edhe arsyeja pse shoqata e sipërmarrësve shqiptarë Korabi vendosi t’i nderojë arbëreshët me çmimin “Nënë Tereza”. Ndër arsyet e çmimit prestigjioz, që mban emrin e një figure të madhe shqiptare në Botë, është pikërisht angazhimi i komuniteteve arbëreshe, në veçanti i Caritas Eparkial të Lungros (arb. Ungër), që nga mesi i viteve nëntëdhjetë dhe fillimi i viteve 2000 pritën rreth 50 djem shqiptarë nga Shqipëria në San Basile, një tjetër bashki arbëreshe në provincën e Kozencës. Për 50 të rinj shqiptarë, Italia përfaqësonte jo vetëm mundësinë e një jete më të mirë, por edhe zbulimin e një pjese të rrënjëve të tyre, një pjesë të historisë shqiptarë në Itali.
Çmimi prestigjioz “Nënë Tereza” u dorëzua nga shoqata “Korabi” në duart e Imzot Donato Oliverio, kryetar i Karitasit Eparkial të Lungros. Çmimi u dha gjatë një konference mjaft interesante të organizuar nga shoqata Korabi në Bashkinë e Firmos, në sallën e ish-Konventës Domenikane, ku u fol gjatë e gjerë për figurën e shenjëtores Nënë Terezë, për historinë e Arbërisë, lidhjet me Shqipërinë dhe
përvojat e shoqatës Korabi.
Mbrëmja përfundoi me një banketë dhe momente muzikore e kërcimtare të organizuar për këtë rast, ku këngëtarët arbëreshe dhe grupet e valltarëve të rinj magjepsën me tingujt e tyre, tekstet e tyre në gjuhën amtare dhe vallëzimet “Vallje” e tyre tradicionale të kulturës arbëreshe.
Ajo e Firmos ishte jo vetëm një dhuratë e çmuar, një gjest siç mëson Nënë Tereza, por edhe një takim që vështirë se do të harrohet për shkak të emocioneve të transmetuara te të pranishmit, shqiptarët dhe arbëreshët, të cilët me këtë rast mundën të forconin lidhjen e identitetit të tyre shqiptar, që pasqyrohej në çdo përshëndetje dhe fjalë në gjuhën shqipe të shkëmbyer me popullsinë vendase nga anëtarët e shoqatës Korabi, të cilët u larguan jo vetëm më të pasur në emocione dhe histori, por u bënë ambasadorë të vërtetë të Arbërisë dhe të promovimit të kulturës arbreshe në Itali, Shqipëria dhe në mbarë Botën.
Pjesemarres te tjere nga Kosova dhe viset tjera ishin :
Naim Dedushaj
Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit te Bizneseve Shqiptare ne bote .
Muharrem Salihu biznesmen nga Medvegja me vendbanim ne Veneci Itali .
Edmond Hajrizi
Rektor i universitetit
UBT ne prishtine
Mehmet Prishtina Biznesmen nga Kosova .