50-VJETORI I QENDRËS WILSON NË WASHINGTON/
Nga Frank Shkreli/
Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson/
Muaji shtator i këtij viti shënoi 50-vjetorin e themelimit të Qendrës së Studimeve Woodrow Wilson në Washington, që njëkohësisht, duke u bazuar në një akt të Kongresit amerikan, kjo qendër shërben gjithashtu edhe si një memorial, kushtuar Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilsonit. Është pra një qendër studimore ndër më të njohurat në Amerikë, por që nuk anon politikisht nga ndonjë parti politike ose ideologji dhe si një qendër akademike, gëzon një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar, për paanësi, objektivitet dhe si një forum i hapët për debate të hapura politike mbi çështje botërore dhe të mbrendshme. Studimet, idetë dhe hulumtimet e Qendrës Wilson i shpërndahen Kongresit, administratës dhe komunitetit më të gjërë politik, diplomatik dhe akademik. Për më tepër, nepërmjet shpërnadarjes së materialeve dhe studimeve në internet, përfshirë mediet shoqërore, materialin dhe studimet e prodhuara nga Qendra Wilson, tani mund t’i lexojnë qindra mijëra të interesuar, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, përfshirë edhe qeveritarët dhe vendimarrësit e të gjitha niveleve, kudo në botë. Pasi 50-vjetë më parë, Kongresi e ka krijuar si një memorial kushtuar Presidentit Woodrow Wilson, Qendra siguron një të tretën e buxhetit nga Kongresi amerikan, ndërsa për pjesën tjetër të financimit të kësaj qendre, ajo varet nga ndihmat e publikut dhe të donatorëve, përfshirë fonadacione, korporata dhe individë të ndryshëm, që besojnë në misionin kritik dhe në kontributin e të kësaj qendre studimore.
Qendra Wilson konsiderohet, në përgjithësi, si një memorial kombëtar i gjallë, kushtuar Presidentit Wilson, vepra e të cilit për të ndërtuar një urë midis botës akademike dhe politikës, në interes të publikut, ndërkohë që vizioni i tij, për një bashkpunim më të madh ndërkombëtar, vazhdon të frymëzojë edhe sot njerëzit, kudo. Në kaudër të 50-vjetorit të themelimit, të martën që vjen, Qendra Wilson do të zhvillojë një debat prej një dite, me eskspertë të njohur amerikanë dhe të huaj, mbi influencën e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare që i atribohet Presidentit Wilson, si dhe mbi trashëgiminë e tij, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë historisë e madje edhe në ditët e sotëme. Ndër subjektet që do të diskutohen nga ekspertë të njohur në fushat e tyre të ekspertizës, është edhe pyetja nëse — vizioni i rendit botëror të promovuar nga Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara fillim shekullin e kaluar — është ende i zbatueshëm edhe sot, përballë ndryshimeve që po ndodhin aktualisht në sistemin dhe në rendin politik ndërkombëtar. Dhe nëse Amerika dhe bota kanë mësuar gjë, jo vetëm nga sukseset, por edhe nga dështimet e tija si president, qoftë në politikën e brendshme, qoftë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të ish-Presidentit Woodrow Wilson.
Dy javë më parë, Qendra Wilson në Washington shënoi 50-vjetorin e themelimit të saj me një darkë me miqë e dashamirës të ftuar të Qendrës duke nderuar me këtë rast ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Dr. Henry Kissinger-in, Senatorin republikan Roy Blunt dhe Kongresmenin demokrat Steny Hoyer. Dr-it. Henry Kissinger iu dorëzua dekorata, “Fryma e Wilsonit”, e krijuar posçërisht për t’iu dhënë personit i cili personifikon më së miri besimin e Presidentit Wilson se, “Ka shumë zëra që japin këshilla, por ekzistojnë shumë pak zëra që përçojnë vizion.” Sipas shefes së Qendrës Wilson, Jane Harman, ish-shefi i diplomacisë amerikane e meriton këtë dekoratë, pasi, “Henri Kissinger është i vetmi person, këshillat e të cilit janë kërkuar dhe kërkohen nga çdo president i Shteteve të Bashkuara, nga çdo president i Kinës dhe nga shumë udhëheqës të ndryshëm anë e mbanë botës”, u shpreh ajo.
SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SHQIPTARËT NË QENDRËN WILSON
Është vështirë të gjëndet ndonjë subjekt, çështje, krizë botërore ose rajonale që të mos jetë diskutuar gjatë dekadave në këtë qendër studimore, qoftë nga ekspertë vendas ose ndërkombëtarë, të ardhur nga të gjitha anët e Amerikës por edhe nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë paraqitur studimet ose kanë ndarë mendimet dhe ekspertizën e tyre me kolegët e tyre amerikanë për çështje të ndryshme të rajoneve nga vijnë. Zëri i Amerikës gjatë dekadave ka mbuluar shumë debate dhe ka marrë shumë intervista nga eskpertë amerikanë dhe të huaj, të cilët kanë ndarë me dëgjuesit mendimet e tyre, emrat e disa prej të cilëve mund të jenë gjithnjë të njohur për dëgjuesit dhe shikuesit e rregullt të Zërit të Amerikës.
Shqiptarët kanë qenë me fat gjatë viteve sepse Qendra Wilson ka treguar një interesim të posaçëm për fatin e Shqipërisë nën komunizëm, për Kosovën nën pushtimin serb dhe për tëdrejtat e shqiptarëve në përgjithësi. Për këtë ndoshta nuk është për tu çuditur kur të merret parasyshë roli që ka luajtur Presidenti Wilson në fillim shekullin e kaluar, për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, nga fqinjtë grabitqarë.
Gjatë viteve, Qendra Wilson ka mbajtur me dyzina debate e diskutime akademike edhe me ekspertë me origjinë shqiptare por edhe me specialistë të huaj dhe amerikanë që janë marrë me punët e shqiptarëve. Një ndër të parët i ftuar nga Qendra Wilson ka qenë Dr. Elez Biberaj, aktualisht Drejtor i VOA-s për Euroazinë, i cili kryesisht ka folur aty për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, duke ofruar pikëpamjet e tija mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, bazuar në mire-informimin e tij si gazetar dhe si akademik. Ndërsa ndër folësit më të fundit shqiptaro-amerikanë, ishte ftuar njëri prej profesorëve të rinjë shqiptar në Amerikë, Dr. Elidor Mëhilli, Profesor i Historisë në universitetin Hunter, në Nju Jork, i cili ka paraqitur librin e tij me titull, “Nga Stalini te Mao: Shqipëria Socialiste në analizën e Dr. Elidor Mëhillit”. Temat e mbuluara nga këta dhe ekspertë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Qendrën Wilson, kanë përfshirë kryesisht çështjet shqiptare në përgjithësi, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta, pa lenë jashtë as problemet dhe politikat rajonale të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë prekur dhe prekin gjithnjë interesat e shqiptarëve. Nga ekspertët e huaj aty ndër të parët që kanë folur për Shqipërinë dhe për Kosovën ka qenë Xhorxh Hoffman, specialistë si Janush Bugajski, Misha Gleni e James Petiffer, pa dashur të përmend edhe të tjerë, si Ross Johnson, Dejvid Binder e shumë të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Departmentit Amerikan të Shtetit, si Rosemary DiCarlo, si dhe përfaqsues të dikasterve të tjera të qeverisë dhe Kongresit amerikan dhe shumë të tjerë, sidomos gjatë krizës në Kosovë në dekadën e1990-ve. Përveç politikës së jashtme, sigurisë kombëtare dhe diplomacisë ndërkombëtare, në Qendrën Wilson janë ftuar për të folur edhe eskpertë të tjerë, për të diskutuar mbi çështje madje edhe kulturore dhe letrare të shqiptarëve, siç ishte rasti iJohn Cox, profesor i historisë në Universitetin Jezuit Wheeling të Virxhinias Perëndimore, i cili ka shkruar edhe një libër për evoluimin e veprës së Ismail Kadaresë, në kontekstin historik.
Fan Noli ka shënuar se në takimin e tij me Presidentin Woodrow Wilson, para se të nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqës në Paris, ai i ka kërkuar Wilsonit të shpëtonte Shqipërinë nga coptimi i mëtejshëm i tokave shqiptare në Konferencën e Paqës në Paris. Wilsoni, ka shkruar Noli, e kishte siguruar atë se “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.” Qendra e cila mban emrin e këtij mbrojtësi të madh të trojeve shqiptare — ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson – në traditën më të mire wilsoniane, vazhdon edhe sot, 50-vjet pas themelimit të saj, të ftojë dhe të dëgjojë gjithnjë ata ekspertë shqiptarë dhe të huaj — ashtu siç është shprehur edhe vet Wilsoni – zërat e të cilëve përçojnë vision, për të ardhmen e Kombit shqiptar.
Qendra Wilson qendron sot, në këtë 50-vjetor të themelimit të saj, si një memorial dhe një simbol i sukseseve të Presidentit Woodrow Wilson, në fushën e politikës së jashtme, të një idealisti i cili besonte në paqën botërore, në vetvendosjen dhe në sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogëla, përfshirë Shqipërinë. 14 pikat e tija të famshme për paqën në botë, ishin një vizion i bashkpunimit ndërkombëtar për lirinë dhe demokracinë e popujve, vizion ky që më në fund ka çuar në krijimin e Lidhjes së Kombeve — para-ardhëse e Kombeve të Bashkuara — përpjekje këto për të cilat ai ishte dekoruar me Çmimin Nobel për Paqë, në vitin 1920.
Në këtë 50-vjetor të themelimit të Qëndrës së Studimeve Wilson në Washington, le të kujtojmë këtë burrshtetas të madh amerikan, Woodrow Wilsonin, zëri vizionar i të cilit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke kontribuar — secili prej nesh, siç ka porositur edhe Fan Noli — “Sadopak për kauzën njerëzore dhe për qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.”