

Sokol Paja/
Shqiptarët e Arizonës festuan me madhështi 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane. Grupi organizator në Arizona që përfshinte tre organizatat: “Albanian Civic Center of Arizona”, “Albanian Cultural Center Eagle of Arizona”, “Albanian-American Women Association of Arizona”, i rrëfyen Diellit organizimin dhe detajet sesi shkëlqyen në një festë të veçantë për të gjithë shqiptarët e Arizonës me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqiptaro-Amerikane.
100 VITE MIQËSI SHQIPËRI-AMERIKË
Shqiptarët e Arizonës në shenjë nderimi, respekti dhe vlerësimi festuan me madhështi festën një shekullore të miqësisë me aleatin më të madh e më besnik të kombit shqiptar, Amerikën e dashur dhe të ëndërruar. 100 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Amerikës dhe Shqipërisë është moment i shënuar dhe shumë i veçantë për të dy popujt, shtetet e kombet. Shqiptarët i janë mirënjohës Amerikës pasi në çdo moment që kombi ynë ka pasur nevojë, Amerika është përgjigjur dhe s’na ka lënë kurrë vetëm. Në 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Amerikës dhe Shqipërisë si popull kemi shansin dhe nderin e madh të trashëgojmë miqësinë dhe të rrisim mbështetjen e bahskepunimin me krenari e dinjitet. Kjo miqësi e ngohtë dhe e sinqertë mes dy popujve do të ndriçojë rrugën përpara në misionin tonë të përbashkët, si aleatë besnik, si miq e si bashkëpunëtorë për të mirën e popujve tanë e shteteve tona. Ky përvjetor shekullor është një bekim dhe urim për 100 vjetorin e miqësisë së shtrenjtë e të shenjtë. Zoti i bekoftë të dy vendet tona të begata.
PROGRAMI I FESTËS QË NGROHU ZEMRAT SHQIPTARE NË TOKËN E PREMTUAR
Festimet që u kremtuan në Arizona, filluan me një program shumë të ngjeshur patriotik dhe artistik. Pas fjalës përshëndetëse të Ambasadores Floreta Luli-Faber, në fjalën përshëndetëse folën: Florim Ymeri, President i Albanian-American Cultural Center “Eagle of AZ”. Të ftuar ishin John dhe Cindy Gillan, miq të Shqipërisë. Dr.Gillan është dentist në Arizona dhe një mik i vjetër i Shqipërisë. Ai është një nga themeluesit e Shoqatës Mjeksore Shqipëri-Amerikë, ku ka dhënë nje kontribut të çmuar në shkëmbimin e eksperiencave mjekësore mes dy vendeve. John e ka vizituar Shqipërinë që në 1995, dhe mbas saj pothuajse çdo vit. Ai meriton një pashaportë shqiptare. Ai ka marre pjesë në demonstratat për Pavarësinë e Kosovës /Dardanisë. Po ashtu ishin të ftuar Philip dhe Sharon Jay, financierë, miq të Shqipërisë. Philip na nderoi me fjalën përshëndetëse. Po ashtu dhe ai ka marrë pjesë në demonstratat për Pavarësinë e Kosovës /Dardanisë në vitet 1997-1998. Prof. Dr. Arben Lasku prezantoi një përmbledhje të marrëdhënieve dipllomatike Shqipëri-Amerikë, që me fillimet e saj. Disa momente interesante nga fjalimi i tij ishin 1819 – Dy gazetarë Amerikanë vijnë në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. 1891 – qeveria Amerikane merr leje në Stamboll për hapjen e shkollës shqipe për vajza në Korçë. 1919 – presidenti Wilson mbështet integritetin territorial të Shqipërisë, pengohet ndarja. 1922 – vendosen mardhëniet diplomatike Shba-Shqipëri. 1930 – ndërtohet ambasada e Shba në Tiranë, si e para ndërtesë ambasade e ndërtuar ndonjëherë nga Amerika . 1991 – rivendosen mardhëniet Amerikë-Shqipëri pas 52 vjet ndërprerje. Afërdita Ollomani nga Maqedonia e Veriut lexoi një poezi për Pavarësinë e Kosovës/ Dardanisë, si dhe ndau me të gjithë, ndihmën që ka dhënë familja e saj në kohën e luftës së Kosovës/Dardanisë. Anton Gega agjent imobilar përshëndeti në emër të komunitetit nga Malsia / Mali i Zi, gjithashtu edhe Nora Qorri agjente imobilare përshëndeti në emër të grupit organizator.
PROGRAMI ARTISTIK I FESTËS
Programi artististik permbante valle nga fëmijët Arianna, Isabella, Gabriella, Alexander, Dominick, Emma, Besarah, Brian, Ana, Viktoria, Christina, Andra, Evelyn, Veronika, Klea, Sia, nën drejtimin e Xhesi Fidanit me kengën “Valle Tropojane” dhe “Këngë moj buçit në Male”, me kostumin më të veçantë, krahët e shqiponjës, një projekt i desinjuar dhe prodhuar nga Eliana Nikolla. Aktiviteti për fëmijët, u pasurua dhe më shumë nëpërmjet vizatimeve dhe stickers me flamurin shqiptar, nën përkujdesjen e Doriana Pëllumbi dhe Valbona Pëllumbi. U bë promovimi i filmave me metrazh të shkurtër “ My Secret War” nga Rina Hajra. dhe “The Dark Web”, Ervin Musabelliu, të rinj të talentuar që Amerika i ka dhënë mundësinë të zhvillojnë talentet e tyre. Nëpërmjet “Power Point” që u shfaq në televizor, u paraqitën veprimtaritë e shoqatave në Arizona ndër vite. Një falenderim i veçantë në atë prezantim i bëhej çiftit Remzi e Mary Barollit për kontributin e tyre të çmuar në komunitetin e Arizonës. Po ashtu u shfaq dhe një power point me njerëz të shquar Amerikano-Shqiptarë si Dua Lipa, Rita Ora, Ava Max, Bebe Rexha, Jim Belushi, Eliza Dushku etj. Në program ishte përfshirë një ekspozitë fotografike nga aktivitet e komunitetit shqiptar në Arizona ndër vite. Gjithashtu u pasqyrua një ekspozite nga piktorët tanë të talentuar Engjëll Musabelliu dhe Afërdita Ollomani. Familjet e Remzi Barollit, Arben Laskut, Shahin Berisha, Rusha Hamitit, Rakip Syla kishin përgatitur posters nga kontributi I familjeve të tyre në komunitet, sidomos nga lufta e Kosovës/Dardanisë. Ekspozita fotografike nga aktivitetet e Shoqatave në Arizona ndër vite, ngjalli shumë interes për të gjithë të pranishmit. Në këtë festim nderoi me pjesëmarrjen e tij anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonës John Kavanagh dhe gruaja e tij Linda Kavanagh. Për miqtë dhe të ftuarit u ofrua ushqim tradicional i përgatitur nga Merita Kraja Idrizaj, Nora Qorri, Djellza Shkodra, famijla Gegaj, Afërdita Ollomani.
MIRËNJOHJE DHE VLERËSIM
100 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Amerikës dhe Shqipërisë duhet të shoqërohet pa dyshim me mirënjohje dhe vlerësim për angazhimin, punën e palodhur, profesionalizmin dhe shpirtin e festës bashkëpunëtorët që mundësuan gjithçka: Merita, Nora, Djellza , Elonia, Eliana, Oli, Rina, Xhesi, Vlera, Doriana, Valbona, Vjollca, Florim, Arben. Falenderohen anëtarët e komunitetit në Arizona për donacionet në mbështeje të aktiviteteve të tilla. First Interstate Bank me menaxhere Brisilda Hysenaj dhuroi $ 1,000. Prezantueset e programit Rina, Xhesi, Vlera, këto vajza që përfaqësojnë bukurinë shqiptare, shfaqën talent dhe performancë të shkëlqyer për të gjithë të pranishmit. Të gjithë bashkë kanë punuar shumë dhe kjo është edhe nxitje për Shoqatat e tjera që nesër të bëjnë dhe më shumë aktivitete të përbashkëta në diasporë. Kjo ishte një festë madhështore e pritur shumë mirë si në komunitetin shqiptar dhe më gjërë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe shqiptarët kudo që janë.