

Chicago, IL — Muajin e kaluar, mbi 800 veta u mblodhën në rrethinën e Chicagos për Festivalin e Byrekut 2025 — një eveniment i organizuar nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (AACI). Themeluar në vitin 1998, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois është organizata ombrellë për të gjithë Shqiptarët në Illinois. Bordi i kësaj organizate është i strukturuar me nga dy përfaqësues nga secila prej gjashtë trevave prej nga vijnë Shqiptarët — diçka që, siç thotë kryetari i bordit Edon Shaqiri, është shtylla e fortë e lidhjes së gjerë që ka komuniteti. “Kur secili ka vend në tavolinë, çdo cep i kulturës sonë është i përfaqësuar,” tha Shaqiri. “Prandaj sheh byrek këtu nga çdo anë.” Ajo që e bën Festivalin e Byrekut të veçantë është se bashkon Shqiptarët nga të gjitha trevat — dhe nga çdo brez.
Radhët për ushqim ishin të gjata, dhe byreku, i përgatitur nga kuzhinierë që përfaqësonin çdo krahinë të Shqipërisë e Kosovës, iku shpejt. Vendi i parë këtë vit shkoi për Emine Jakupin nga Gjilani, Kosovë. Gjatë intervistës, Jakupi ishte pranë nënës së saj, që i kishte trashëguar recetën fituese — një moment që preku shumë njerëz. Vendi i dytë shkoi për Edisa Combin nga Fieri, ndërsa i treti për Migerta Radhimën nga Vlora. Përveç byrekut, në skarë piqeshin qebapa, kishte pizza për fëmijët dhe tavolina të mbushura me ëmbëlsira Shqiptare të shtëpisë. Muzika nga çdo cep i Shqipërisë — me DJ Besin — mbajti turmën në valle edhe pasi pjatat ishin boshatisur.
As fëmijët nuk mbetën pas. Dafina Rexhepi, drejtoresha e rinisë në Komunitet, u kujdes që të kishte lojëra dhe aktivitete që mbajtën familjet deri në fund të ditës. I gjithë eventi u mundësua falë mbështetjes së bizneseve Shqiptaro-Amerikane që dolën sponsorë. Eventi vazhdoi të jetë krejtësisht falas për komunitetin dhe shumë familje dhuruan nga vetja për të mbajtur Festivalin e Byrekut gjallë e në rritje.
Për shumë familje Shqiptare të zonës, momenti më i bukur ishte i thjeshtë: ushqimi i mirë, muzikë argetuese dhe një festival që tregon sa unik është ky komunitet — i bashkuar përtej trevave, brezave dhe nga një byrek i thjeshtë, që zhdukej më shpejt se sa doli nga furra. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (“AACI” ose “Komuniteti”) u themelua në vitin 1998 me misionin për të bashkuar dhe përfaqësuar diasporën Shqiptare në gjithë shtetin e Illinois-it. Përmes aktiviteteve kulturore, edukimit dhe angazhimit në komunitet, AACI vijon të ruajë trashëgiminë tonë kombëtare dhe të ndërtojë ura lidhëse mes brezave.
*Botuar me shkurtime, referuar nga: www.aaciusa.org