
Anila Kadija/
Me një ceremoni madhështore të mbajtur në ambientet e shkollës “Ardhmëria Westminster, St. Augustine’s”, komuniteti shqiptar në Londër festoi 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ky organizim, i udhëhequr nga një staf profesionistësh në bashkëpunim me të gjitha shkollat e Ardhmërisë dhe këshillin pedagogjik, mblodhi së bashku personalitete të rëndësishme nga Shqipëria, Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në mesin e të ftuarve nderi ishin Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Sh.T. Z. Uran Ferizi, Deputeti i Parlamentit Shqiptar dhe Kryetar i Bordit të Ardhmërisë, Z. Lavdrim Krashi, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve britanike, përfshirë Kryebashkiakun e Westminsterit, Këshilltarin Robert Rigby, dhe Kryetarin e Bashkisë Brent, Këshilltarin Tariq Dar.
Kryetari i Shoqatës Ardhmëria, z. Lutfi Vata, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen dhe uroi popullin e Kosovës me rastin e kësaj dite të shënuar.
Koncerti festiv: Një shfaqje mbresëlënëse e trashëgimisë shqiptare
Programi artistik nisi me një sfilatë unike të nxënësve të shkollave shqipe “Ardhmëria”, të cilët parakaluan me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, një iniciativë e parë e këtij lloji në Mbretërinë e Bashkuar. Atmosfera u elektrizua me interpretimin e këngës “Mora fjalë” dhe kërcimin energjik “Xhamadani vija-vija”, për t’i lënë vendin poezive dhe këngëve të tjera kushtuar Kosovës, të realizuara me pasion nga nxënësit.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Moj e bukura More” nga Stina Gerbeshi, ndërsa kulmi i programit erdhi me vallen e Tropojës, një simbol krenarie i trashëgimisë kulturore shqiptare të mbrojtur nga UNESCO.
Pjesa e dytë: Muzikë e lartë cilësie dhe interpretim artistik
Në vijim, publiku u magjeps nga interpretimet e dy artisteve të kalibrit ndërkombëtar, pianistes Mariela Cingo dhe solistes Sofia Kola, të cilat sollën një repertor të përzgjedhur, mes të cilave spikati kënga ikonike “Baresha” e Nexhmije Pagarushës.
Aktori i njohur Sokol Cahani përshëndeti të pranishmit me një interpretim poetik, ndërsa programi u moderua në mënyrë të shkëlqyer nga Ilira Mucaj, e cila, megjithëse e lindur dhe rritur në Kanada, dëshmoi një zotërim të përkryer të gjuhës shqipe.
Drejtuese artistike e manifestimit znj. Anila Kadija
Ky aktivitet i jashtëzakonshëm tregoi edhe një herë përkushtimin e komunitetit shqiptar në Londër për të ruajtur dhe promovuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, duke e përcjellë atë te brezat e rinj me krenari dhe dashuri.