PERSONAZH/ Flet regjisorja dhe skenaristja Donika Mustafaj, rreth filmit dokumentar “Marramendje”/
-1 milion e 800 mijë njerëz u bënë pjesë e firmave piramidale/
– Shqiptarët nuk vrapuan pas Sudes, por pas ëndrrës për pasuri, ëndërr e bukur por rrugë e gabuar/
-Makinat dhe paraja, dy ëndrrat e shqiptarëve në monizëm/
– Te “Marramendje” unë synoj që paranë ta shoh si simbol dhe si realitet/
– Firmat piramidale ishin një rast ekstrem në jetën e shqiptarëve/
– Firmat, dalldisje e shqiptarëve pas ëndrrës së pamundur për t’u pasuruar shpejt dhe pa punuar/
-Në monizëm ishim në një barazi ekonomike, domethënë në një varfëri poshtëruese/
– Ne kishim nëpër duar aq para sa të plotësonim minimumin e kërkesave jetësore/
– Më shumë se gjysma jonë gjetën rrugën më të gabuar për t’u pasuruar/
– Sipas sociologëve, shumë herë shqiptarët janë aventurierë, jetojnë me iluzione, nuk jetojnë realitetin dhe nuk jetojnë me këmbë në tokë/
– Në këtë rast, paraja ishte unifikuar me vetë lirinë, pra, liri në atë periudhë do të thoshte para/
– Firmat sollën pështjellim brenda familjes, brenda vetvetes, në raport me të tjerët, sollën vrasje dhe deformime psikike, por që sollën dhe nxorën dhe mësime./
– Konkluzioni është se ne e fyejmë paranë, e përdhosim madje/
– Dje se njihnim paranë, ndaj u rritëm me këngët folklorike, me pushkën/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Donika jeton profesionalisht vetëm me këtë punë. Sapo mbaron një film, fillon të mendojë për tjetrin. Në këtë kohë po përgatitet për një film për Justin Godarin. Justin Godard është një politikan i njohur francez, i zgjedhur senator në Lion gjatë viteve ’10 e ’20 të shekullit të kaluar. E veçanta e tij mbetet një lidhje e fortë me Shqipërinë deri në fund të jetës. Ky fakt merr një kuptim të veçantë në kontekstin historik kur Franca zyrtare dhe klasa e saj politike ishin në përgjithësi mbështetëse të Serbisë. “Unë përpiqem me hulumtimet e mia artistike të kuptoj dhe të shpjegoj me gjuhen e filmit dokumentar marrëdhëniet e ndërlikuara dhe plot ngërçe që ka krijuar shqiptari i sotëm me lirinë. Pikërisht për të krijuar qasjen artistike ndaj kësaj teme, jam përqendruar tek disa elemente të komfortit, që i kanë munguar tërësisht shqiptarit në jetën e tij të përditshme para viteve 1990- thekson ajo.
Cilat ishin këto elementë që i kanë munguar tërësisht shqiptarit në jetën e tij të përditshme para viteve 1990?
Deri tani unë jam përqendruar tek dy: makinat dhe paraja. Dy elemente që nuk i preknim as në ëndërr dikur. Këto dy elementë janë ndër treguesit më të spikatur të mirëqenies. Këto marrëdhënie të shqiptarit me makinën dhe paranë erdhën së bashku me lirinë dhe, sa ç’ishin të pëlqyeshme, e vunë shqiptarin ne vështirësi për shkak të vendimeve dhe zgjedhjeve të ndërlikuara që ai duhej të bënte. Ndërsa te dokumentari “Marramendje” jam munduar të zbërthej se sa ishte i përgatitur shqiptari për te administruar durimin kur ishte fjala për të krijuar mirëqenien si mundësi që e sjell liria. Kjo marrëdhënie është gjithmonë pasqyrë e një kulture te caktuar të individit. Le të marrim shembullin e autoveturës që trajtoj tek “Autografi”! Unë them pa mëdyshje se ne shqiptarët nuk ishim dhe nuk jemi ende sot aq të përgatitur kulturalisht për të drejtuar një mjet të tillë, të shpejtë dhe të fuqishëm siç është makina. Mjafton të hedhësh sytë nëpër rrugët e atdheut tonë për të arritur në një përfundim të tillë. Sot makina është një nga bazat e forta të një shoqërie moderne.
Ju këtu luani vetëm rolin e gazetares?
Po. Unë në film nuk dua të marr rolin e sociologut. Është jashtë kompetencës time. U jam drejtuar ekspertëve për të shpjeguar çfarë po ndodh dhe përse ne kemi aq të vështirë ta kuptojmë veten. Bie fjala, te “Marramendje” unë synoj që paranë ta shoh si simbol dhe si realitet.
Atëherë ku qëndron origjinaliteti i dokumentarit tuaj?
Se ku qëndron origjinaliteti do e thotë publiku dhe ju kritikët e artit. Unë po ju pohoj se çfarë jam përpjekur të shmang gjatë punës me veprën: nuk kam marrë përsipër të bëj ndonjë investigim lidhur me firmat piramidale dhe kush qëndronte pas tyre, sepse këto firma ishin një rast ekstrem në jetën e shqiptarëve dhe gjithmonë në rastet ekstreme, problemet janë të shumta. Janë shkruar e thënë pafundësisht fakte dhe legjenda rreth firmave piramidale. Nuk do të arrija asgjë ecja edhe unë në këtë hulli për të shpjeguar se cilat ishin dobësitë e sistemit tonë financiar dhe të politikës qeverisëse lejuan ekzistencën e këtyre çibanëve. Origjinaliteti i përpjekjes time kësaj here qëndron tek hedhja e vështrimit mbi qasjen e shqiptarit si individ. Këtu shtroj pyetjen se çfarë ndodhi në psikikën e shqiptarit që bëri dalldisjen e tij pas ëndrrës së pamundur për t’u pasuruar shpejt dhe pa punuar? Diçka e mundi logjikën e më shumë se gjysmës së individëve, të cilët shkuan me dëshirë dhe madje me kënaqësi të plotë t’i dorëzonin paratë e tyre tek “bosët” e firmave piramidale. Unë mendoj se problemi nis para viteve 1990, kur të gjithë shqiptarët ishin në një barazi ekonomike, domethënë në një varfëri poshtëruese, sepse mirëfilli puna ishte e pashpërblyer. Rrjedhimisht, nuk ishim të mësuar natyrshëm me magjinë e parasë. Ne kishim njësoj nëpër duar aq para sa të plotësonim minimumin e kërkesave jetësore. Mbas viteve 1990, tek të gjithë ne u shtuan frustracionet, ato sollën pasojat e veta.
Çfarë ke tentuar të evidentosh në një film që bëhet për një temë pas shumë vitesh?
Do të doja të evidentoja mësimet që kanë nxjerrë shqiptarët nga kjo histori dramatike, por pa mbajtur ndonjë qëndrim gjykues. Në fund të fundit edhe humbësit, parë në kontekstin e lirisë, ishin në të drejtën e tyre. Mua më duket me interes të vëzhgoj aspektin kulturor të kësaj sjelljeje të njeriut të lirë. Në një farë mënyre, me mirëkuptimin tim, unë i kam mbrojtur humbësit.
Përse?
Të gjithë ne ishim të paduruar kur dolëm nga sistemi monist. Të gjithë ne e kishim fiksimin si ta fitojmë sa më shpejt kohën e humbur për t’i dhënë vetes dhe familjes një jetë tjetër e cila doemos që kishte si kusht pasurimin. Më shumë se gjysma jonë gjetën rrugën më të gabuar për t’u pasuruar. Personazhet e mi në këtë film janë gazetarë, dentistë, oficerë, mjekë, mësues, pra një shtresë që e ka të vështirë që të bjerë në gracka të tilla. Vura re me kënaqësi se këta njerëz pas kaq vitesh kishin një forcë të re morale dhe një pasuri kulturore, në sajë të të cilave e kthenin vështrimin nga kjo ngjarje shpesh me një sens humori. Kjo anë e të folurit të tyre, në formë humori pas kaq vitesh, i ka dhënë dritë dokumentarit. Pra, nga një zhgënjim i madh ata morën një dritë, një mësim, sepse tashmë janë më të ndërgjegjshëm se kurrë për gabimin që kanë bërë dhe që nuk mund të përsëritet.
Ku ishte vështirësia në realizmin e dokumentarit?
Vështirësia më e madhe ishte tek personazhet, pasi jo çdo njeri është i gatshëm të flasë për gabimin e vet, kjo dihet. Aq më tepër që për atë shtresë quhet gabim i pafalshëm. Të flasësh për këtë temë duhet të kesh një forcë të madhe por dhe kulturë po kaq të madhe. Të gjithë e shprehin që ishte një gabim, ishte një marrëzi, ishte një mendjelehtësi, por, por (e theksoj por), që sot, për këta njerëz kjo situatë ishte kapërcyer me forcën e tyre intelektuale dhe punën, ashtu siç kishte njerëz që nuk e kishin kapërcyer. Pra kjo varet nga personaliteti dhe formimi i gjithsecilit.
A ka studim se sa shqiptarë kanë futur para në firmat piramidale?
Po. Në bazë të një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar, thuhet se mbi gjysma e popullsisë shqiptare ishte pjesë e firmave piramidale. Pra më shumë se gjysma afërsisht 1 milion e 800 mijë njerëz u bënë pjesë e këtyre firmave. Ishte një çmenduri shqiptare e padëgjuar.
Pra ju nuk keni marrë pjesë vetë si sociologe, po sociolog a keni futur si pjesë të skenarit të filmit?
Sigurisht. E theksova, vetë nuk jam pjesë e analizës sociologjike, por i jam drejtuar sociologut të vërtetë, një personaliteti si Profesor Zyhdi Dervishi. Sipas profesorit, të cilin gjej rast ta falënderoj përzemërsisht, shumë herë shqiptarët janë aventurierë, jetojnë me iluzione, nuk jetojnë realitetin dhe nuk jetojnë me këmbë në tokë. Thekson se aq firma ishin të pa imagjinueshme. Po ashtu ai thekson se në Shqipëri në çdo vend ka lojëra fati, ku dhe firmat të tilla ishin. Këto janë disa përfundime të tij, por pa i dhënë si deduksione të pandryshueshme. Kjo logjikë, ky mentalitet, kjo ëndërr e pamundur ekziston me sa duket në psikikën e shqiptarit. Por unë analizën e sociologut e lë tek ai, pavarësisht mendimeve të tij. Unë këtu kam intervistuar dhe një avokat, si shumë intelektual të tjerë që ishin pjesë e kësaj çmendurie shqiptare.
Çfarë tregon ky këndvështrim?
Tregon se paraja në këtë rast ishte unifikuar me vetë lirinë. Pra, liri në atë periudhë do të thoshte para. Nocioni i vërtetë i lirisë e kishte humbur kuptimin real. Pas kësaj drame, ata ishin shkundur si të dilnin nga një makth. Kishin nxjerrë mësime. Shembujt që sjell unë bien ndesh me një pjesë të sociologëve që thonë që shqiptarët nuk dinë të nxjerrin mësime nga gabimet e tyre. Puna e shumë intelektualëve tregon se ne dimë të dëgjojmë, dimë të nxjerrim mësime, dimë të marrim iniciativa të reja moderne dhe të kapim rezultate. Por në kësi rastesh ne duhet t’u referohemi edhe pësimeve të ardhura në kohë, të dëgjojmë njeriun e mençur, pasi ka ndodhur si në rastet e piramidave që njeriun e mençur as e kemi dëgjuar apo e kemi nxjerrë jashtë debatit të kohës. Personazhet e mia e kanë kapur veten, kanë vënë prapë pasuri, duke e njohur realitetin e hidhur, duke e kaluar me punë dhe humor gjendjen, ata mundën të përmbysnin pozitivisht situatën e krijuar. Ky humor, kjo forcë e tyre, më ka shpëtuar filmin nga fryma mbytëse, pesimiste, duke i dhënë veprës një dritë të bukur. Filmi nuk është një tregim për zhgënjimin. Përkundrazi. Sigurisht, për hir të së vërtetës, unë nuk mund t’i lija në harresë edhe ata që vazhdojnë të jenë të rënduar psikologjikisht e që nuk kanë arritur ta marrin veten nga kjo humbje. Janë dy dritare të ndryshme përballë njëra tjetrës. Nga njëra anë në sallë, ata që kanë humbur paratë dhe përballë ata që flasin me aromë humori për këtë situatë dramatike.
A ka sot firma piramidale?
Kam parë ne media se herë pas here shfaqen individë huamarrës dhe që arrijnë të mashtrojnë me dhjetëra individë. Por, me aq sa di unë, këto janë forma sporadike e që fiken shpejt, pa asgjë të ngjashme me çfarë ndodhi atëherë, kur firmat piramidale u bënë sistem. Firmat e mëparshme ishin një kthesë në historinë e Shqipërisë. Sollën pështjellim brenda familjes, brenda vetvetes, në raport me të tjerët, sollën vrasje dhe deformime psikike, por që sollën dhe nxorën dhe mësime.
Kush është mesazhi i filmit?
Paraja ka vlera, por nuk krijon gjithçka quhet vlera. Në qoftë se do ta shohim një popull, duhet ta shohim në raportin e tij me paranë. Është një tregues shumë i rëndësishëm se cilat janë vlerat tona, në raportin me paranë. Dua të tregoj si po e ndërtojmë ne lirinë, çfarë marrëdhëniesh kemi ne me të. Por konkluzioni është se ne e fyejmë paranë, e përdhosim madje. Shih ç’bëhet me paranë nëpër dasma? E shkelim me këmbë. Po të futemi në historinë tonë familjare, tregohet se nuk kemi pasur kulturë për paranë. Nuk kemi pasur para nëpër duar pasi atë e komandonte kryefamiljari. Ne vetëm vitet e fundit e kemi kapur paranë nëpër duar. Tashmë kemi edukatën e parasë. Sot kemi modele dhe pika referimi dhe jo si dje që u rritëm me këngët folklorike me pushkën. Ne jemi rritur midis luftërave dhe kemi këngë vetëm për to dhe nuk kemi këngë për bujqësinë dhe blegtorinë për të cilat shquhemi. Ne duhet të flasim për modelet e atyre që sot janë bërë biznesmen të suksesshëm. Duke njohur këto modele ne nuk do gabojmë. Unë solla histori njerëzore se çfarë ndodhi me jetën e tyre.
Pra çfarë tregoi vrapimi pas firmave piramidale?
Tregoi se shqiptarët nuk vrapuan pas Sudes, por pas ëndrrës. Ëndrra të pasuroheshin sa më shpejt. Një ëndërr reale pas viteve 1990. Ëndërr e bukur por rrugë e gabuar. I pasur bëhesh duke blerë dhe jo duke shitur. Ne duhet të luftojmë modelimin tonë psikokulturor të mos punojmë shumë, por të fitojmë shumë, gjë që nuk shkon. Ndaj ende jemi të rrezikuar nga firmat piramidale të një lloji tjetër që edhe ekziston. Modelimi ynë psikokulturor do më shumë se një shekull të ndryshojë.