
(Maqedonia, 34 vite pas pavarësisë)
Integrimi nuk është vetëm një proces teknik i përafrimit me standardet e BE-së; ai është një proces i brendshëm transformues, që kërkon prishjen e monopoleve oligarkike dhe ndërtimin e një kontrate të re shoqërore mbi themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Prandaj, momenti historik që ka përpara Maqedonia është më tepër se një sfidë politike: është një provë ekzistenciale. Zgjedhja është e qartë: ose të përqafohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit si themel i një shtetësie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse multietnike, ose të rikthehet logjika e përjashtimit dhe e oligarkisë që ka prodhuar krizë dhe stagnim.
Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë në fillim të viteve ’90, u hap një rrugëtim i ri shtetformues, i cili, në vend që të mbështetej mbi parimet e demokracisë liberale dhe barazisë qytetare, u orientua drejt centralizimit të pushtetit dhe unitarizmit politik-kulturor. Ky unitarizëm, i konceptuar si bazë për konsolidimin e identitetit shtetëror maqedonas, u shoqërua me privatizimin selektiv të kapitalit shoqëror, duke prodhuar një oligarki ekskluzive maqedonase. Kjo oligarki jo vetëm që monopolizoi sistemin bankar dhe sektorët strategjikë të ekonomisë, por krijoi edhe një regjim politik të brendshëm, ku pushteti alternohej mes dy blloqeve maqedonase, pa cenuar kurrë interesat e përbashkëta të elitës dominante.
Ky konfigurim u shoqërua me përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga proceset ekonomike, politike dhe institucionale. Oligarkia maqedonase, nëpërmjet lidhjeve të saj me qarqet ekonomike e shtetërore serbe, projektoi një strategji të heshtur të margjinalizimit të shqiptarëve, duke e shoqëruar këtë me retorikë përjashtuese dhe diskurs politik që i përkufizonte ata si “të huaj” brenda shtetit. Një qasje e tillë jo vetëm që dëmtoi perspektivat e brendshme të zhvillimit, por bllokoi për një kohë të gjatë edhe proceset integruese euro-atlantike.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit (2001) solli një përmbysje paradigmatike. Ajo u shndërrua në dokumentin themelor të barazisë qytetare dhe bashkëjetesës ndëretnike, duke hapur horizonte të reja për integrimin euro-atlantik dhe për pjesëmarrjen e barabartë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në jetën institucionale dhe ekonomike të vendit. Megjithatë, implementimi i saj mbeti i ndërlikuar dhe shpeshherë i shoqëruar me tensione, kryesisht për shkak të rezistencës së oligarkisë maqedonase, e cila synonte ta relativizonte frymën e saj. Çdo avancim i shqiptarëve në institucionet shtetërore interpretohej si kërcënim ndaj dominimit të mëparshëm, duke prodhuar mekanizma të rinj të pengesave politike dhe administrative.
Një ilustrim i qartë i kësaj dinamike u pa pas Marrëveshjes së Prespës (2018). Mbështetja ndërkombëtare që gëzonte qeveria e atëhershme nuk u përdor për konsolidimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe përmbylljen e ciklit integrues, por u instrumentalizua nga oligarkia maqedonase për tentimin e ridizajnimit të rendit kushtetues, me qëllim zbehjen ose relativizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Tentativa për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës ishte vetëm një prej formave konkrete të kësaj tendence, ndërsa marrëveshjet e fshehta ndërmjet dy partive kryesore maqedonase synonin margjinalizimin e faktorit politik shqiptar që kishte dalë nga lufta e vitit 2001.
Strategjia ishte e qartë: nga njëra anë, fragmentarizimi i skenës politike shqiptare për të ulur fuqinë e saj negociuese; nga ana tjetër, përdorimi i retorikës nacionaliste për të stigmatizuar subjektet politike shqiptare si forca me prirje separatiste. Kjo logjikë synonte krijimin e një terreni të favorshëm për relativizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për zhvendosjen e vëmendjes drejt temave artificiale, siç ishte çështja me Bullgarinë, e cila shpesh shërbeu vetëm si alibi për të shmangur obligimet e brendshme të barazisë.
Në Maqedoninë e Veriut, Prokuroria Speciale Publike, e menduar si një instrument i drejtësisë tranzicionale dhe i pastrimit të jetës politike nga korrupsioni, u bë objekt i një operacioni të sofistikuar të oligarkisë vendore, e cila me mekanizma të padukshëm, por të sinkronizuar, arriti ta minojë nga brenda dhe ta bëjë të paefektshme. Ky rrënim nuk ndodhi rastësisht, por ishte pjesë e një strategjie të heshtur për të mbrojtur interesat e rrjeteve të ngulitura ekonomiko-politike, të cilat e perceptonin këtë organ si rrezik ekzistencial për status quo-në. Megjithatë, ndërhyrja e tillë nuk mbeti pa pasoja, sepse disa prej aktorëve që udhëhoqën këtë proces u ekspozuan në arenën ndërkombëtare dhe u gjendën në listat e zeza të shteteve partnere që fillimisht e kishin mbështetur këtë projekt si shpresë për një kapitull të ri të sundimit të ligjit në vend. Në këtë mënyrë, me këto akte Maqedonisë i mbytet perspektiva dhe kjo paraqet ndërhyrjen më të drejtpërdrejtë të oligarkisë për të penguar ecjen e shtetit në proceset eurointegruese, duke e shndërruar vendin në një realitet me sisteme paralele, ku hijet e interesave private mbizotërojnë mbi dritën e ligjit dhe të demokracisë. Sepse sundimi i ligjit dhe ndërtimi i shtetit ligjor janë ndër kushtet bazë të integrimit evropian, sabotimi i këtij projekti nga oligarkia nuk është gjë tjetër veçse një veprim i qëllimshëm për të ngadalësuar integrimin e vendit në BE, duke sakrifikuar interesat strategjike të shtetit vetëm për të ruajtur privilegjet e saj të ngushta.
E gjithë kjo u reflektua edhe disa muaj pas zgjedhjeve, kur ishte paralajmëruar një takim ndërmjet kryeministrit dhe liderit të opozitës maqedone, i cili vetëm pak ditë më parë akuzohej nga institucioni shtetëror për antikorrupsion për krim të organizuar, por një ditë pas këtij takimi i njëjti institucion publikoi kumtesë se të gjitha procedurat ndaj tij ndërpriteshin. Pas kësaj drame të dy liderëve të dy partive maqedone, pasoi cënimi i neneve themeltare të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa nga partia opozitare, e cila ndër vite kishte ndërtuar narrativën e saj mbi shtetformimin dhe multietnicitetin, u shfaq një heshtje totale, që në vetvete dëshmon se kur cënohet Marrëveshja e Ohrit, më shumë mbizotëron kalkulimi politik sesa obligimi ndaj kontratës shoqërore mbi të cilën është ndërtuar vetë shteti.
Kjo logjikë politike, e artikuluar sidomos nga VMRO-DPMNE me diskursin e saj të ashtuquajtur “vtoro poluvreme” (pjesa e dytë e lojës) dhe me moton e fushatës zgjedhore të vitit të kaluar “Për rikthimin e shtetit”, dëshmoi se oligarkia maqedonase e sheh Marrëveshjen e Ohrit jo si akt themelor të shtetësisë së re, por si pengesë për ruajtjen e privilegjeve të saj. Në këtë kuptim, sfida e vërtetë për Maqedoninë nuk qëndron vetëm te kontestet bilaterale me fqinjët, por para së gjithash te rezistenca e brendshme ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Në horizontin ekonomik të Maqedonisë po shfaqet një realitet i mbështjellë me shumëshmëri pyetjesh, ku hyrja e miliardave në formë huash shfaqet si një shpresë e jashtme për stabilitet financiar, por njëkohësisht ngre dilema të brendshme mbi origjinën dhe destinacionin e këtyre fondeve; sepse përtej fasadës së zhvillimit dhe integrimit ekonomik, lind pyetja nëse këto mjete janë thjesht një instrument i financimit ndërkombëtar, apo ndoshta një mekanizëm i rafinuar i oligarkisë vendore për të zyrtarizuar dhe legjitimuar kapitalin e grumbulluar në mënyra të padukshme, duke e veshur me petkun e huave shtetërore; një dilemë që kërkon një qasje të mençur, jo vetëm për të ruajtur sovranitetin financiar, por edhe për të shmangur shndërrimin e shtetit në një platformë ku kufiri midis interesit publik dhe interesit oligarkik zbehet deri në pikën e padallueshme.
Nëse Maqedonia aspiron realisht të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo duhet të kuptojë se Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje e brendshme e vitit 2001, por një kontratë politike dhe shoqërore mbi të cilën është ngritur legjitimiteti i këtij shteti multietnik. Çdo tentativë për ta relativizuar atë është, në thelb, tentativë për të minuar themelet e bashkëjetesës dhe për ta rikthyer vendin në spiralen e krizave të viteve ’90. Shqiptarët, me kontributin e tyre politik dhe historik, janë jo vetëm partnerë, por edhe garantë të stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit. Vetëm përmes afirmimit të barazisë reale, përfshirjes së plotë institucionale dhe ndarjes së drejtë të përgjegjësive shtetërore, Maqedonia mund të shndërrohet në një shtet funksional, demokratik dhe evropian.
Integrimi nuk është vetëm një proces teknik i përafrimit me standardet e BE-së; ai është një proces i brendshëm transformues, që kërkon prishjen e monopoleve oligarkike dhe ndërtimin e një kontrate të re shoqërore mbi themelet e Marrëveshjes së Ohrit.
Prandaj, momenti historik që ka përpara Maqedonia është më tepër se një sfidë politike: është një provë ekzistenciale. Zgjedhja është e qartë: ose të përqafohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit si themel i një shtetësie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse multietnike, ose të rikthehet logjika e përjashtimit dhe e oligarkisë që ka prodhuar krizë dhe stagnim. Vetëm duke vendosur mbi barazinë reale të qytetarëve dhe mbi kontratën e re shoqërore, Maqedonia mund të dalë nga hija e tranzicionit dhe të projektohet si një shtet evropian, i barabartë dhe i qëndrueshëm. Kjo nuk është vetëm një kërkesë e shqiptarëve; është kushti themelor për vetë mbijetesën dhe ardhmërinë evropiane të Maqedonisë.
Shkup, 8 shtator 2025