PRISHTINË, 11 prill 2022-Gazeta DIELLI/ Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:Kryeministri Kurti takoi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc
Prishtinë, 11 prill 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu priti në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në këtë takim morën pjesë, Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi, Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, z.Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, z.Ragmi Mustafi, Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, z.Naser Aziri, Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, z.Shqiprim Musliu, Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, z.Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, z.Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, z. Arben Ferati. Ndërkaq, pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin Kryetari i Alternativës për Ndryshim, z. Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, z. Sami Salihu.
Gjatë këtij takimi u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit. Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike, tha ai. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore, veçoi kryeministri.Ai më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm, u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohë