….Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria faktorit politik të të njëjtit gjak në Maqedoni? Nisur së paku nga këto 26 vite pluralizëm politik? Por edhe nga hobeja e kryeministrit tonë që herë më herë, i thërret liderët politikë shqiptarë atje, sikur të ishte Putini i Ballkanit?! Eksperiencën parlamentare? Bashkëqeverisjen? Komunikimin politik të tipit perëndimor? Suksesin me theqafje të ekonomisë më informale në pellgun e Europës qëndrore?/
Nga Ilir Levonja/
Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të vinë fare në Tiranë. Nuk e di përse e bëjnë këtë. Përse i binden shtetarëve aty. Ndofta për mirësjellje? Ndofta nga ajo ndjenja që kanë brenda vetes për atdheun amë?! Duhet të provosh fatin e tyre që ta kuptosh. Por pluralizmi politik, zhvillimet demokratike, dëshmojnë se vendi amë, Shqipëria nuk e ka arritur atë stadin e duhur për të qënë faktor bindës. A për tu marrë si model për mirë nga shqiptarët jashtë kufijeve.
Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria faktorit politik të të njëjtit gjak në Maqedoni? Nisur së paku nga këto 26 vite pluralizëm politik? Por edhe nga hobeja e kryeministrit tonë që herë më herë, i thërret liderët politikë shqiptarë atje, sikur të ishte Putini i Ballkanit?! Eksperiencën parlamentare? Bashkëqeverisjen? Komunikimin politik të tipit perëndimor? Suksesin me theqafje të ekonomisë më informale në pellgun e Europës qëndrore? Modelin ekstravagant të parlamentarizmit të tipit Braçe, Berisha, Tahiri, Balla, Paloka, Frroku etj. Çfarë? Madje situata në rajon, me shqiptarët si në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës etj. Duhet të reflektojë thellë tek politika shqiptare në shtetin amë.
Por kjo nuk ndodh. Dhe kjo dëshmon atë që, se sa e personalizuar është lufta politike karshi fatit të shqiptarëve në përgjithësi.
Shqipëria në vetvete ka një sërë problemesh që në lidhje me pluralizmin, bashkëqeverisjen, shtetin e së të drejtës, krimin e organizuar, korrupsionin etj…, i kanë çakorduar balancat midis qytetarit dhe shtetit. Ndaj sot qyetari shqiptar ka dy alternativa zgjedhje. Dy, vetëm dy… Ose të iki, ose të anëtarësohet në LSI. Demokratëve më shumë se fati i një populli të tërë. U intereson lufta e ashpër parlamentare. Socialistëve më shumë se përmirësimi i jetës së një vendi. U intereson sharmi i disa ministrave me prejardhje revoltash karshi Sali Berishës. Ata që duan të hedhin ndonjë ide ndryshe, shpallen menjëherë kundërshtarë politikë, sikterisen. Deri me përjashtim…, duke mbushur me sukses radhët e LSI-s. Po edhe aty ku shkojnë, shkojnë sa për sharm, sa për luk. Pasi përjetësia i përket baba Likes nga Tomorrica.
Çfarë mund t’i ofrojmë ne shqiptarët vëllezërve tanë në Maqedoni? Një temë që ia vlen ta ritrajtosh ditë më ditë.
Ata kanë 5 parti që në raport me popullatën është një numër më se normal. Ne kemi 136 a 138 parti që në raport me popullatën është një shifër anormale. Kemi kryetarë që rrinë si të tillë deri sa vdesin. Edhe pse nuk fitojnë sikur gjysmën e votave të duhura për të qënë deputet. Po i bashkangjiten partive të mëdha dhe vegjetojnë aty, duke u prerë rrugën shanceve të vërteta të një individi që sapo nis karrierën politike. Kështu edhe partitë e mëdha kthehen në lojra të xhaketave të vjetra. Të aleancave shterpe me braktisje bastionesh, mandatesh etj. Të paktën PDSH-ja në këto vite pluralizmi ka ndërruar dy. BDI-ja asnjë. Lëvizja Besa një parti e re. Apo tu afrojmë modelin e dorëheqjes sa për të thënë. Dhe prapë jemi ne kryetarë.
Shqiptarët e Maqedonisë sot u duhet…., e para, të kuptojnë një herë e mirë se janë pjesë e shtetit të tyre. E dyta, kanë shancin historik të luajnë rolin që u takon, bashkëpunimi me opozitën e Zaevit. Duke u bërë kështu faktor i gjallë i ekzistencës së shtetit të tyre. Por dhe e ekzistencës reale si shtetarë formues. Plot imponim e të drejta.
Lëreni Tiranën në shenjterinjë e sherreve të saja. Mbase kështu i jepni edhe një mësim të duhur politikës konfliktuale, treçershekullore të saj.
Këtë jo për ide të njërit apo tjetrit. Por si shtetarë të Maqedonisë. Dhe përgjegjës për përmisimin e jetës, apo plot të drejtave të munguara nga aleancat dhe qeverisjet e deritanishme. Nga përçarja juaj.
Gjykoni vetëm një fakt, luftën e nëndheshme të përgjimeve Gruevski. Një qeveri që u përgjon, ka marrë fund. Eshtë e sojit të hajnave. Për më tepër jepini një mësim botës se shqiptarët janë të aftë në ndërtimin e një shteti. Mjaft adhuruat atdheun e sëmurë, duke jetuar e punuar në Zvicër e Gjermani. Lartësitë e Sharrit janë si ato të helveteve. Madje më të bukura. Eshtë shanci t’i jepni vetes dhe vendit, atë që meritoni.